Qeveria u kthen borxhin ushtarakëve, ja sa do përfitojnë

Apr 30, 2016 | 3:18
SHPËRNDAJE

Parlamenti ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin që do t’u rikthejë rreth 5500 ish-ushtarakëve paratë e mbajtura 5 vitet e fundit nga pensioni suplementar. Ndërkohë që po e njëjta nismë ligjore do t’i falë kësaj kategorie një borxh të akumuluar ndër vite, që kap vlerën rreth 985 milionë lekë.

ish ushtaraket

Nisma e propozuar nga Qeveria “Rama” do të ketë fuqi prapavepruese dhe do t’u kthejë ish-ushtarakëve një total prej 369 milionë lekësh, të cilat do të shpërndahen në kategori të caktuara. Nga ky ligj përfitojnë ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policës së Shtetit, efektivët e Gardës së Republikës, punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, policët e Burgjeve, Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe efektivët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Projektligji është miratuar me 75 vota pro e asnjë kundër, ndërkohë që në sallën e Parlamentit kanë munguar deputetët e opozitës, të cilët kanë vijuar bojkotin 10-ditor.

RIKTHIMI I PARAVE

Të dyja amendamentet ligjore të deputetes socialiste, Antoneta Dhima, janë miratuar gjatë miratimit nen për nen në seancën plenare. Deputetja Dhima u shpreh në Parlament se në 5 vitet e fundit ish-ushtarakëve u është ndaluar padrejtësisht rreth 368.5 milionë lekë, që në një hark kohor njëvjeçar duhet t’u rikthehen këtyre kategorive.

“Një numër i konsiderueshëm ushtarakësh, me vendime gjykate, kanë përfituar të drejta pensionesh suplementare shumë të larta dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore i ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rillogaritjen e tyre sipas ligjit nr.10367, datë 23.12.2010. Me anë të këtij projektligji, Këshilli i Ministrave i vjen në ndihmë një pjese të konsiderueshme të ish-ushtarakëve që kanë detyrime debitore lidhur me pensionet suplementare, të përfituara si rezultat i një legjislacioni jo të qëndrueshëm, me efekt prapaveprues dhe të kundërshtuar vazhdimisht ndër vite nga ish-ushtarakët.

Deri në fund të muajit shkurt 2016, janë 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi për t’u shlyer prej 985 milionë lekësh. Nga viti 2010 deri në shkurt 2016, janë shlyer 369 milionë lekë. Vetëm në Qarkun e Fierit numri i ishushtarakëve debitorë, si rezultat i ndryshimeve ligjore, është 487, shuma e ndaluar është 30.6 milionë lekë, ndërsa shuma e debisë së mbetur është 97 milionë lekë”, tha deputetja e PS-së, e cila në amendamentin e saj saktësoi:

“Shuma e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e pensioneve të paguara nga personat përfitues në harkun kohor dhjetor 2010 deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, t’u kthehet pensionistëve që iu janë mbajtur brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

DEBITORËT

Në relacionin e projektligjit thuhet: “Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë gjithsej 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi që mbetet për t’u shlyer për 984.5 milionë lekë. Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368.5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punë- suar apo të vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta.

Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi. Kostoja financiare e këtij projektligji parashikohet të jetë në rreth 984.5 milionë lekë për 5425 ish-ushtarakë debitorë, sipas të dhënave që rezultojnë nga sistemi informatik ‘PCAMS’ i pagesës së pensioneve, në sistemin online të pagesës, për periudhën deri në fund të muajit shkurt 2016″.

ushtarake

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura