Qeveria siguron Eurobondin e 6-të, 600 milionë euro borxhi! Interesi dyfish më shumë se në 2021

Jun 8, 2023 | 7:35
SHPËRNDAJE

Qeveria ka finalizuar procesin e emetimit të një eurobondi, i gjashti i realizuar, në shumën 600 mln euro. Ky borxh i ri u mor për një periudhë 5-vjeçare në tregjet ndërkombëtare, ndërsa të dhënat paraprake flasin se shuma e ofruar nga investitorët ishte edhe më e madhe se kërkesa e qeverisë shqiptare.

eurobond

Ndërsa norma e interesit arriti në 6.1% më e madhe në vitet e fundit, apo dy-fish më shumë se eurobondi i vitit 2021. Kjo situatë ishte e pritshme, pasi normat e interesit janë rritur në tregjet ndërkombëtare dhe pritet të rriten, edhe më tej. Për të shmangur huamarrjen me kosto edhe më të lartë, qeveria vendosi që të marrë 100 mln euro borxh më shumë, se plani fillestar i parashikuar në buxhet.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e pyetur për këtë transaksion, nuk dha shpjegime, pasi sipas saj, i gjithë procesi pritet të përmbyllet brenda javës, por kjo huamarrje ndihmon qeverinë për më shumë likuiditet.

Sipas eksperiencës së viteve të kaluara, një pjesë e këtyre parave do të përdoren për të mbyllur eurobondet e mëparshme, ndërsa pjesa tjetër për të financuar deficitin buxhetor.

Marrja e një borxhi të ri në masën 600 milionë euro pritet të ketë ndikim edhe në tregun financiar vendas, veçanërisht në kursin e këmbimit euro-lekë. Në mbledhjen e qeverisë u morën edhe dy masa mbrojtëse për bizneset eksportuese.

Teksa zhvlerësimi i euros nuk po njeh ndalje, qeveria ka ngrirë pagesën e tatim-fitimit nga këto biznese deri në mars të 2024. Pjesë e masave është edhe rimbursimi i TVSH-së në një afat më të shkurtër se 30 ditë.

“Bizneset eksportuese nuk do të parapaguajnë tatimin mbi fitimin deri në Mars të vitit 2024, kohë kur mbyllen bilancet e vitit paraardhës. Kjo është një masë e miratuar sot nga qeveria dhe I vjen në ndihmë bizneseve për të pasur më shumë likuiditet në aktivitetin e tyre. Paralelisht ne do të ndryshojmë dhe një udhëzimin, për të reduktuar më tej rimbursimin e TVSH nga 30 ditë në një kohë edhe më të shkurtër”, sqaroi Ibrahimaj. Pas 14 muajsh funksionim të bordit të transparencës së çmimeve në fushën e karburanteve, qeveria vendosi ta shfuqizojë atë, duke e lënë tregun të lirë në përcaktimin e çmimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura