Qeveria shton 48 milionë dollarë borxhe për rrugën e Qafës së Plloçës

Jan 26, 2022 | 23:04
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare vendosi të marrë një hua tjetër me vlerë 184 milionë rialë sauditë ose rreth 48 milionë dollarë, me qëllimin për të përfunduar punimet në një segment rrugor 43 kilometra të gjatë, një rrugë me dy korsi që pritet të lidhë fshatin Qukës në Librazhd me Qafën e Plloçës në Pogradec, duke shkurtuar në këtë mënyrë rrugën Tiranë-Korçë.Kantieri-ne-rrugeKëshilli i Ministrave miratoi në parim të mërkurën marrëveshjen e huasë shtesë me Fondin Saudit për Zhvillim, një agjenci e Mbretërisë Saudite që jep kredi zhvillimi nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas vendimit të publikuar, sauditët kanë rënë dakord të japin 184 milionë rialët pasi kanë dhënë një pjesë të kredisë fillestare si dhe një kredi tjetër shtesë në vitin 2014.

Rruga në ndërtim

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge nisën me forcat e buxhetit të shtetit në vitin 2009 dhe përparuan për 2.9 kilometra para se një konsorcium kreditorësh, përfshirë Bankën Islamike për Zhvillim, Fondin Opek, Fondin Abu Dhabi dhe Fondin Saudit, i erdhën në ndihmë për të financuar pjesën tjetër të rrugës. Punimet realisht nisën në vitin 2013, por ndryshimet në projektin e rrugës, të ndërmarra nga qeveria e re, e rritën menjëherë koston me 25 milionë dollarë të tjera, të cilat u siguruan me një kredi të dytë nga sauditët në vitin 2014. Punimet duhej të kishin përfunduar sipas kontratës rreth vitit 2018, por tre vjet pas tejkalimit të afatit, rruga nuk është ndërtuar dhe do të kërkojë, përveç kohës shtesë, edhe 48 milionë dollarë të tjera.

Kreditë e dhëna për këtë rrugë kanë afat shlyerje të gjatë dhe një periudhë fillestare pesëvjeçare gjatë së cilës nuk paguhet principal, por vetëm interesa. Megjithatë, ndërsa rruga mbetet e pandërtuar, taksapaguesit paguajnë interesat pa e përdorur investimin e kryer në këtë rrugë. Shqipëria filloi të paguajë principalin e kredisë së parë në vitin 2019, kohë në të cilën rruga duhej të kishte filluar të përdorej.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, mes të tjerave, duke u tallur me nismat e shumta të qeverisë paraardhëse për ndërtim rrugësh pa pasur paratë. Ai sajoi edhe togfjalëshin “rrugët e mbetura rrugëve”. Nëntë vjet më vonë, disa nga rrugët e nisura nga qeveria e tij kanë mbetur rrugëve gjithashtu dhe Qukës-Qafë Pllocë nuk është segmenti i vetëm. Rruga Kardhiq – Sarandë duhej të kishte përfunduar, por u përball me një tunel të shembur dhe me mbi 80 milionë euro investim, ndërsa rruga e Dibrës, e nisur me një kontratë koncesioni, është aktualisht e përbërë nga një segment malor që bie në kategorinë e rrugës së fshatit, pavarësisht se pritet t’i kushtojë taksapaguesve mbi 330 milionë euro.

© Panorama.al

Te lidhura