Qeveria, shkresë punonjësve të administratës: Vërtetoni që nuk keni…

Nov 21, 2019 | 8:35
SHPËRNDAJE

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm nuk pritet të jetë ndër më pozitivët e qeverisë shqiptare. Mbledhja e të ardhurave në çdo mënyrë të mundshme është kthyer në një mision më vetë për qeverinë dhe të gjitha strukturat tatimore.

administrate-640x318

Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka dërguar një letër për të gjithë punonjësit e administratës, që deri në datën 16 të këtij muaji patën afat për të deklaruar se nuk kanë asnjë detyrim të papaguar ndaj arkës së shtetit. Në letrën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie kërkohej që të gjithë punonjësit e administratës duhet ta deklaronin faktin se nuk rezultojnë debitorë ndaj shtetit në asnjë lloj niveli, si në atë individual, por edhe përmes kompanive, ku ata mund të kenë përqindje aksionesh.

“Brenda datës 16.11.2019, të gjithë punonjësit në varësi të strukturave tuaja respektive, të paraqesin një konfirmim të faktit se nuk kanë në ngarkim asnjë detyrim tatimor të papaguar, duke filluar nga detyrimet individuale e deri nga pjesëmarrja si aksione në shoqëri tregtare”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që i ka shkuar çdo punonjësi shtetëror. Ky lloj njoftimi konfirmon edhe një herë se të ardhurat në buxhetin e shtetit nuk janë në ditët e tyre më të mira.

Me anë të kësaj kërkese, qeveria po kërkon që të mos humbasë asnjë të ardhur të mundshme. Të ardhurat në buxhetin e shtetit për periudhën janar-shtator 2019 ishin në shifrën e 343 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 4.2 për qind. Por kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme, pasi në krahasim me planin, në buxhetin e shtetit u mblodhën 8 miliardë lekë më pak. Zëri i të ardhurave kryesore në buxhetin e shtetit, TVSH-ja për vitin 2019 pati një rënie me 4.4 për qind në krahasim me vitin e shkuar.

Shenjat negative në buxhetin e këtij viti u dukën disa javë më parë, kur ministrja Anila Denaj deklaroi se këtë fundvit nga qeveria nuk ishte parashikuar asnjë shpërblim për pensionistët dhe shtresat në nevojë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura