Qeveria “Rama 3”/ Tom Doshi bashkon votat me PS-në, kush janë deputetët e opozitës që bojkotuan seancën. Sot betimi në Presidencë

Sep 18, 2021 | 9:06
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Pas një seance që zgjati rreth 20 orë pa ndërprerje, deputetët e maxhorancës dhe tre deputetët e Partisë Socialdemokrate votëbesuan kabinetin e ri qeverisës dhe programin e 4 viteve të ardhshme.

kuvendi

Ndërkohë, gazeta “Panorama” zbardhi se si kanë votuar 140 deputetët e Kuvendit për qeverinë e re “Rama 3”. Me 77 vota pro, 52 kundër dhe 1 abstenim, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Parlamenti miratoi qeverinë e re.

Pro qeverisë së re dhe programit votuan 74 deputetët e Partisë Socialiste të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, por duke iu bashkuar edhe tre deputetët e PSD-së, parti që drejtohet nga Tom Doshi, i cili refuzoi të merrte mandatin menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Në listën e Kuvendit, vihet re se 10 deputetë nuk kanë votuar. Mes tyre ishin Sali Berisha, i cili nuk ishte fare në Kuvend ditën e djeshme. Deputetë të tjerë që nuk kanë votuar janë Monika Kryemadhi, Nustret Avdulla, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Seladin Jakuplltari, Fatmir Mediu, Flamur Noka, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho. Ndërkohë, rezulton se ka abstenuar deputeti i LSI-së, Agron Çela.

REAGIMI I KRYEMINISTRIT

Ndërkohë, pasi kaloi edhe testin e votëbesimit në Parlament, Kryeministri Rama në fjalën e tij, rikujtoi edhe një herë se e ka të shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën për reformat e rëndësishme. Ndërkohë, kryedemokratit Basha që tha se reformat do t’i diskutojmë me popullin, i kujtoi se ligjet miratohen në Parlament dhe duhen numrat e votave.

“Ajo që do kisha për opozitën, është se dëgjova nga kryetari i PD që të gjitha ato synime, të cilat janë të parealizueshme me shumicën do t’i ndjekin me popullin. Nuk kam asnjë problem që të zbresin me popullin të flasin për reformat. Por në fund të ditës, nëse duan të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë konkretisht realizimin e këtyre reformave, duhet të flasin me ne. Nuk duhet të bëjnë gabimin që kanë bërë.

Ndërkohë që ne i thoshim hajdeni ulemi, ata nuk vinin. Ne nuk kemi asnjë tabu. Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha. Mund të diskutojmë reformën territoriale, por mendojmë se duhet të ketë më pak bashki, jo më shumë. Sot është e qartë që kemi entitete shumë të vogla me çdo gjë të kufizuar.

Ajo që ne duhet të bëjmë, është që të ulemi e të ballafaqojmë argumentet. Kjo bëhet mes dy palëve. Nuk mund të bëhet ‘ju s’ju njohim dhe do ikim në popull’. Ata mund të shkojnë pa problem. Por këto duan dialog.

Ashtu edhe reforma zgjedhore”, tha Rama. Ndërkohë, pas votëbesimit të marrë nga 77 deputetë në Parlament, Kryeministri Rama dhe ministrat e tij do të betohen sot në Presidencë në orën 10:00 e pas kësaj procedure kreu i qeverisë do të udhëtojë drejt SHBA-së.

Kujtojmë se qeveria “Rama 3” do të përbëhet nga 12 gra e 5 burra bashkë me Kryeministrin. Rama dhe ministrat e tij do të betohen te një President që ka marrë ‘vulën’ e shkarkimit nga Kuvendi i vjetër, por jo nga Gjykata Kushtetuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura