Qeveria ofron 20 mijë euro shpërblim për informatorin që çon në kapjen e vrasësit në Gllogjan

Nov 28, 2021 | 14:39
SHPËRNDAJE

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ofron 20,000 euro shpërblim për këdo që ofron informata që mund të çojnë në zbulimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan, mbrëmjen e së premtes.

Screenshot_4-30

Në një njoftim për media të zyrës së kryeministrisë thuhet se Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

“Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:

Tel:-080019999 ose -192, dhe

e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.

Tre persona janë vrarë e një është plagosur pasi autobusi që po barte nxënës nga Gjakova në Gllogjan të Deçanit, është gjuajtur me armë zjarri, rreth orës 19:00 të së premtes.

Dyshohet se sulmi është kryer me armë të tipit kallashnikov, derisa autori i rastit nuk është zbuluar ende.

Në mesin e tre të vrarëve është shoferi i autobusit i cili ka mbetur i vdekur në vend të ngjarjes dhe dy nxënës të shkollave të mesme. Ndërkaq i plagosur ka mbetur po ashtu një nxënës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Policia ka bërë të ditur se është duke hetuar disa pista për të ardhur deri të zbardhja e rastit./Koha.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura