Qeveria në alarm për pronat, dëm 1 miliard USD në buxhet

Jun 21, 2016 | 14:46
SHPËRNDAJE

Kur Gjykata Kushtetuese dhe Strasburgu ende nuk e kanë dhënë verdiktin mbi ligjin e ri të pronave, Qeveria ka lëshuar sinjalin SOS.

arbenahmetaj

Mbi 1 miliard dollarë do të ishte fatura që do të rëndonte mbi buxhetin e shtetit në tri vitet e ardhshme nëse Gjykata e Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut nuk njeh ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”, i cili ka hyrë në fuqi vetëm pak muaj më parë. Paralajmërimin e dha vetë kreu i Financave, Arben Ahmetaj.

I pranishëm në konferencën “Analiza e Riskut”, organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ahmetaj e cilësoi çështjen e pronave si një nga risqet më të mëdha për ekonominë dhe buxhetin. Një gropë financiare që do t’i rëndonte çdo taksapaguesi shqiptar.

“Brenda hartës së risqeve, një nga risqet më të mëdha që ka sot buxheti i shtetit është risku i pronave. Në 25 vite, politika e pronave është menaxhuar në mënyrë emocionale, politike dhe jokoherente dhe sot më duhet të them që nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur, ky do të jetë risku më i madh që mund t’u kalojë 99% të qytetarëve shqiptarë, pra mënyra se si është menaxhuar çështja e pronave sot mund të sjellë një risk nga Strasburgu, i cili mund të kalojë, nëse prapë ne nuk bëjmë gjënë e duhur, në mbi 1 miliard dollarë në dytre vitet e fundit. Që do të thotë se çdo shqiptar do të duhet të punojë për të shlyer të gjitha pagesat për pronat apo dëmshpërblimet për pronat, jo më në një apo në dy, apo tre vite, por besoj në 30 vitet që vijnë”, tha Ahmetaj.

FATURA

Shteti shqiptar do të ndëshkohej edhe më shumë, me një faturë financiare që do të ishte edhe më e kripur, nëse Strasburgu gjykon 385 çështjet e depozituara aty. Ndaj që në krye të herës, qëllimi i kësaj Qeverie ka qenë të krijojë një bazë ligjore të pranueshme për t’i rikthyer ato dosje për shqyrtim në vendin tonë dhe për t’u bllokuar rrugën pronarëve që duan t’i drejtohen kësaj gjykate për të gjetur të drejtën që u takon.

LIGJI

Por formula e miratuar për kompensim, e cila merr për bazë zërin kadastral që prona ka pasur në momentin e konfiskimit, është kontestuar jo vetëm nga grupet e interesit, por edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili ka ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të vendosë pikat mbi “i” nëse do të vijojë të zbatohet ligji i ri apo do të hidhet poshtë me argumentin se cenon interesat e pronarëve.

Ministri Ahmetaj e pranoi se skema e re nuk është perfekte, por, sipas tij, ajo mbetet alternativa e duhur që do ta shpëtonte vendin nga kolapsi. “Ligji i pronave, i bërë nga Qeveria dhe i kaluar në Parlament, megjithëse është në Gjykatën Kushtetuese, nuk është perfekt, por bën zgjidhjen më të mirë të mundshme duke adresuar atë risk që është një nga risqet kryesore për ekonominë dhe buxhetin”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura