Qeveria merr 500 milionë euro hua. Rama dhe Ahmetaj: Morëm besimin e investitorëve

Oct 3, 2018 | 9:21
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria realizoi me sukses blerjen e eurobondit të tretë në tregjet ndërkombëtare. Afati i maturimit apo i kthimit të borxhit do të jetë 7 vjet, ndërsa interesi që do të paguhet do të jetë 3,5 për qind. Kryeministri Edi Rama u shpreh në rrjetet sociale se, falë reformave transformuese, Shqipëria shihet si vend pa risk nga tregjet ndërkombëtare. “Tregjet u përgjigjën qartë. 4 vjet më parë Shqipëria paguante 5.75 për qind bond 5-vjeçar, për të kompensuar ata që investonin paratë te ky vend. Sot paguajmë 3,5 për qind bond 7-vjeçar.

ramashkresa

Dallimi? Shqipëria nuk shihet më si risk, po si një investim i sigurt e premtues, falë reformave transformuese. Ende shumë për të bërë”, u shpreh Kryeministri. Në diferencë nga viti 2015, eurobondi i ri rezulton me interesa më të ulëta, ashtu dhe siç kishte paralajmëruar Ministria e Financave. Më herët, Ministria e Financave tha se maturimi 7-vjeçar vjen për herë të parë për Shqipërinë, është një arritje e rëndësishme, që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit. Në një lidhje telefonike me “News 24” dhe “BalkanWeb”, edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha nga Parisi se marrja e eurobondit me afat 7-vjeçar testim pozitiv i ekonomisë. “Është e rëndësishme të themi që kemi bërë një punë të gjatë me muaj. Sot është mundësia e një transaksioni të mundshëm nga Parisi. Ka një orë që është hapur tregu me orën e Londrës.

Arben-Ahmetaj-konference

Është një ditë e ngarkuar me ankth dhe emocion. Sa më afatgjatë të jetë bondi, dolëm me 7- vjeçar për të testuar ekonominë. Test i rëndësishëm për besimin e investitorëve. E rëndësishme është te besimi që kam te e ardhmja e ekonomisë”, u shpreh Ahmetaj. Kjo është hera e tretë që qeveria emeton eurobond në tregjet ndërkombëtare. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010, me interes 9 për qind. Në vitin 2015 u shënua dalja e dytë me një madhësi eurobondi 450 milionë euro me afat maturimi 5–vjeçar dhe me një normë interesi 5,75 për qind, i cili maturohet në 12 nëntor të vitit 2020. Emetimi i eurobondit në tregjet ndërkombëtare në këtë vit me madhësi maksimale deri 500 milionë euro, me afat maturimi 7 vjet, do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura