Qeveria merr 500 milionë euro hua, Ahmetaj: Borxhi ulet

Sep 21, 2018 | 10:34
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria do të dalë për herë të tretë në tregjet ndërkombëtare për të marrë 500 milionë euro borxh me emetim të eurobondit.

ahmetaj

Afati i maturimit do të jetë 7-vjeçar dhe përveç tregut europian, qeveria do t’u drejtohet edhe tregjeve financiare amerikane. Kuvendi miratoi dje ligjin për dhënien e autorizimit Ministrisë së Financave për marrjen e eurobondit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se afati i maturimit të eurobondit do të jetë 7- vjeçar.

“Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010, doli me interes 9 për qind dhe më pas për shkak të përkeqësimit financiar dhe fiskal të Republikës së Shqipërisë në vitet 2011, shkoi edhe në nivele 11 për qind. Në vitin 2015 kemi shënuar daljen e dytë me një madhësi eurobondi 450 milionë euro me afat maturimi 5- vjeçar dhe me një normë interesi 5,75 për qind, i cili maturohet më 12 nëntor të vitit 2020.

Emetimi i eurobondit në tregjet ndërkombëtare, në këtë vit me madhësi maksimale deri 500 milionë euro, me afat maturimi 5 deri në 10 vjet, vlerësohet si mënyra më optimale si për të plotësuar nevojat për financim për dy vitet që vijnë, si dhe një optimizim i menaxhimit të borxhit që do të shoqërohet me një blerje mbrapsht të një pjesë të eurobondit ekzistues prej 450 milionë eurosh.

Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje të plotë me objektivat e strategjisë afatmesme të objektivave të borxhit publik. Këtë herë do të dalim me variantet e formatit të tregut europian dhe atij amerikan dhe synojmë një eurobond me afat 7-vjeçar. Arsyeja është fare e thjeshtë. Në qoftë se do të shkonim me një eurobond 5-vjeçar që prapë nuk do të ishte keq, duke parë të gjitha maturimet në tregun ndërkombëtar deri në 2023 dhe për ta lehtësuar veten tonë në 2025, e shtymë afatin në 7- vjeçar”, tha ministri i Financave.

Ahmetaj tha se marrja e eurobondit do të shërbejë për rinovuar eurobondin e marrë në vitin 2015 dhe për të financuar deficitin. “Në përgjithësi, nevojat janë neto dhe janë dhe bruto. Neto është financimi i deficitit që këtë vit është 29,5 miliardë neto, ndërsa emetimi total është 315 miliardë dhe shitja është rreth 287 miliardë. Vitin tjetër, duke qenë në të njëjtën trajektore, nuk do të prodhojmë borxh të ri, deficiti mendohet të jetë mes minus 1,9 për qind dhe 2 për qind”, tha ministri.

Ministri i Financave shpjegoi se dy janë faktorët primarë në marrjen e këtij eurobondi, që nuk rrit borxhin publik dhe synohet interes i ulët. “Fakti primar, që është pozitiv, është që borxhi ulet, nuk rritet. Likuiditetet pseudo të tepërta në llogarinë e qeverisë janë në një moment nga 31 dhjetori deri në 1 janar, ku le të themi mbyllet kontabiliteti qeveritar dhe ato të gjitha janë për të bërë blerjet mbrapsht dhe për të plotësuar nevojat për vitin 2019 dhe vitin 2020. Një tjetër element është interesi, ndaj po dalim në këto momente që të kapim qoftë momentin e mirë të ekonomisë shqiptare dhe të tregut”, tha Ahmetaj.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura