Qeveria me plan konkret për 2016: Do arrestohen 5 % më shumë zyrtarë

Feb 18, 2016 | 11:45
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare parashikon të rrisë me 5 për qind numrin e zyrtarëve të arrestuar, të cilët janë të përfshirë në vepra korruptive në 2016. Kjo shifër është vendosur në planin e masave për 5 prioritetet e integrimit, një ndër të cilat është lufta kundër korrupsionit.

integrimi1Në këtë strategji të qeverisë, e diskutuar dje në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian thuhet se për realizimin e prioritetit të tretë të vendosur nga Komisioni Europian, qeveria do të rrisë me 5% numrin e zyrtarëve të të gjitha niveleve që do të referohen në Prokurori për përfshirje në korrupsion.

“Rritja e numrit të referimeve për korrupsion dhe krime të zyrtarëve në detyrë në të gjitha nivelet me 5%. Përpunimi i të dhënave statistikore dhe hartimi i raporteve të krahasuara me të njëjtën periudhë në vitin 2015. Rritja me 7 specialistë e numrit të personelit të angazhuar në luftën kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit. Rritja e numrit të referimeve për hetime proaktive për rastet e korrupsionit dhe krimeve të zyrtarëve në detyrë me 5%”, thuhet në planin e masave të hartuar nga Ministria e Integrimit.

DREJTËSIA

Për rekomandimin e raportit të progresit ku sugjerohet: “Të plotësojë vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative”, Ministria e Integrimit ka parashikuar si masë Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

intergrimiNë plan është vendosur vetëm viti 2016 si afat i realizimit të këtij prioriteti, ku thuhet se: “Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë mbetet një proces i papërmbyllur, por që gjithsesi mbetet në kompetencë dhe diskrecion të Kuvendit dhe Presidentit. Lidhur me emërimet në gjykatat administrative, ato mbeten kompetencë e KLD. Gjithsesi, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur disa ndryshime ligjore që synojnë eliminimin e disa barrierave lidhur me kriteret e emërimit në këto gjykata.

Drafti është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012, ‘Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative’, i ndryshuar “është përcjellë nga Ministria Drejtësisë për Këshillin e Ministrave më 7.5.2015”.

PËRGJIMET

Në planin e masave për 5 prioritetet qeveria ka parashikuar që të miratojë një legjislacion të ri për përgjimet dhe për kufijtë kohorë të hetimit. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Integrimit, thuhet se projektligji synon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ndërkohë që ligji është bërë gati nga Ministria e Drejtësisë dhe është në pritje që të miratohet në qeveri.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura