Qeveria mbush arkën/ Vetëm 10 për qind shkon për paketën antikrizë! Nga rritja e çmimeve u arkëtuan më shumë se 51 miliardë lekë, por…

Sep 16, 2022 | 13:03
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Ndonëse me një tendencë rënëse në raport me periudhën e parë të vitit, të ardhurat në buxhet, si pasojë e rritjes së çmimeve, janë rritur gati 16 për qind.

antikrize

Por pavarësisht mbushjes së arkës, vetëm 10 për qind e fondit të arkëtuar do të shkojë për familjet në nevojë, si mbështetje për përballimin e krizës.

Ministria e Financave ka publikuar një ditë më parë të dhënat për periudhën janargusht nga ku rezulton që janë arkëtuar 51 miliardë lekë më shumë në raport më të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 376 miliardë lekë ose 100.4 për qind të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhuruat janë rritur me 51.6 miliardë lekë ose 15.9 për qind më shumë”, thuhet në raport. Çfarë ka ndikuar padyshim janë çmimet e larta, jo vetëm për produktet e shportës, por edhe për hidrokarburet, duke sjellë rritjen e vazhdueshme të normës së inflacionit, i cili kulmoi në 8.0 për qind në muajin gusht, niveli më i lartë që nga viti famëkeq i 1997-s. Por pavarësisht kësaj, mbështetja apo ndihma e ofruar për qytetarët është minimaliste.

TË ARDHURAT

Në terma konkretë, të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u vlerësuan në masën 335.1 miliardë lekë, 53.4 miliardë ose 19% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 1.7 miliardë ose 0.5% më shumë se plani 8- mujor për vitin 2022. Konkretisht, të ardhurat doganore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 143.8 miliardë lekë, 24.8 miliardë lekë ose 20.8% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe 483 milionë lekë ose 0.3 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2022. Në mënyrë më specifike, të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 100.5 miliardë lekë, ose 26.7 % më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 34.7 miliardë lekë, ose 3.9% më shumë se viti 2021, të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.1 miliardë lekë, ose 95% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.5 miliardë lekë, 774 milionë lekë ose 16.4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sa u takon të ardhurave tatimore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT, për 8 mujorin 2022 u realizuan në masën 191.3 miliardë lekë, 28.7 miliardë ose 17.6% më shumë se 8-mujori i vitit të kaluar. Konkretisht, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar, u realizua në masën 25 miliardë lekë, 6.8 miliardë më shumë. Çfarë kanë pësuar rënie janë rimbursimet.

Për periudhën 8-mujore 2022 janë 11.5 miliardë lekë, 6.4 miliardë lekë ose 35.7% më pak se 8- mujori 2021, si dhe 759 milionë lekë ose 6.2% më pak se plani i rimbursimit të TVSHsë për 8-mujorin 2022. Sa u takon të ardhurave të mbledhura nga tatimi mbi fitimin, ato u realizuan në masën 30 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se 8-mujori 2021, ndërsa nga tatimi mbi të ardhurat personale janë arkëtuar 30.6 miliardë lekë, 3.4 miliardë lekë ose 12.6% më shumë se 8 mujori 2021. “Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 77.5 miliardë lekë, 7.1 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 8 mujori 2021, si dhe realizim 100.6 % të planit për 8 mujorin 2022”, thuhet në njoftimin e Financave.

SHPENZIMET

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8-mujore të vitit 2022, arritën në rreth 361.66 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6 për qind të planit të periudhës, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.4 për qind më i lartë ose rreth 5.08 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet korrente dhe ato kapitale për periudhën 8-mujore kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98 për qind dhe 87.7 për qind të planit të periudhës.

Në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 59.8 për qind dhe 35.5 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 60.1 për qind dhe 37.7 për qind të planit vjetor. Ndërkohë, niveli i suficitit për periudhën 8-mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 14.5 miliard LEK nga rreth 207 milion lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 32 miliard LEK, për periudhën 8-mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura