Qeveria Kurti heq dorë nga reciprociteti me Serbinë, nuk e sheh si zgjidhje të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve

May 25, 2021 | 16:30
SHPËRNDAJE

Qeveria e Albin Kurtit ka hequr sot dorë nga reciprociteti me Serbinë.

rozeta-hajdari

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë sot se nuk ka dashur që të aplikojë masën e reciprocitetit për asnjë shtet fqinj.

Hajdari, ka deklaruar se nuk ka dashur të vendos menjëherë reciprocitetin me Serbinë, por të shfrytëzojë mekanizmat rajonal që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes Kosovës e Serbisë. Qeveria e Kurtit nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjeve me Serbinë.

“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativa rajonale, Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari.

Vetë Hajdari më 6 qershor të vitit 2020 kishte deklaruar për vendosjen e masës së reciprocitetit, duke thënë se pa të nuk ka barazi.

“Pa reciprocitet nuk ka barazi. Nuk ka shtet. Nuk ka sovranitet”, ishte shprehur ajo në një status në Facebook.

Para se Albin Kurti të vinte në pushtet, reciprociteti ishte zotimi më i përsëritur i tij.

Edhe para zgjedhjeve të fundit, ai tha se reciprociteti do të ishte çështje ditësh apo javësh kur të ulej në karrigen e kryeministrit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura