Qeveria kërkon “hua” nga qytetarët për të paguar rrogat: Blini bono thesari, zero rrezik për financat tuaja

Nov 16, 2022 | 7:55
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/Qeveria kërkon “hua” nga qytetarët shqiptarë për të paguar rrogat e nëpunësve civilë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj u bën thirrje dje qytetarëve që të marrin pjesë në financimin e borxhit publik përmes blerjes së bonove të thesarit.

Banka-e-Shqiperise-3

Rritja e normës së interesit si pasojë e krizës së inflacionit dhe nevojës për të rritur të ardhurat në buxhet sipas tyre, qytetarët duhet që ta shfrytëzojnë këtë mundësi investimi për të rritur përfitimet e tyre. “Rritja e normave të interesit është një avantazh për të gjithë ata që investojnë në bonot e thesarit dhe në obligacione që janë me risk zero, duke paguar një komisionin shumë më të vogël se çfarë ofrojnë bankat e nivelit të dytë”, deklaroi Edi Rama.

Gjashtë sportele të Bankës së Shqipërisë do të jenë në shërbim të qytetarëve në bashki të ndryshme të vendit për të tregtuar bonot e thesarit dhe obligacionet që ofrohen me një normë interesi më të lartë në krahasim me bankat tregtare. “Nëse bonot e thesarit tremujore deri në vitin 2012 kishin një normë interesi 1 për qind, sot kanë një normë interesi 2.78 për qind. Nëse bonot e thesarit deri në vitin e kaluar kishin një normë interesi mjaft të ulët, sot kanë një normë interesi 5.74 për qind”, u shpreh Delina Ibrahimaj. Ndaj qeveria ka nisur një fushatë për të ftuar qytetarët që të investojnë në bono thesari dhe cilindo që pranon këtë ftesë, Kryeministri dhe ministrja e Financave përveçse e vlerësojnë si moment që duhet të mos humbet për të përfituar, shpjegojnë se ofrohen shumë lehtësira në sportelet e Bankës së Shqipërisë.

“Riskun e kanë praktikisht 0. Nëse bonot e thesarit 3-mujore, sot kanë një normë interesi 2.78%, 12-mujore kanë një normë interesi 5.74%”, tha Ibrahimaj. Por, rritja e normës bazë të interesit për bonot rrit edhe interesat që duhet të paguajnë kredimarrësit, por ministrja mendon se ata janë një kategori që mund ta përballojnë shtesën nëse depozitat që kanë i investojnë në bono thesari. “Me këto fitime të shtuara mund të balancojnë dhe rritjet e normave të kredisë”, deklaroi ministrja e Financave.

Ibrahimaj u shpreh se ata janë tituj që emetohen dhe garantohen nga qeveria shqiptare dhe do të ketë sportele në bankën e Shqipërisë, si dhe një hapësirë në faqen e MF-së që qytetarët të informohet për kushtet dhe procedurat që duhen ndjekur. Ajo tha se është shumë e rëndësishme që individët të kenë një kulturë të menaxhimit të parasë që të kujdesen për financat familjare dhe të jenë investitorë të zotë. “Individët kanë sot një mundësi investimi që ka kthime më të larta se mundësi të tjera që ekzistojnë në tregje. Janë tituj që emetohen dhe garantohet nga qeveria shqiptare. Flasim për bono thesari. Ne sot do të fillojmë një fushatë ndërgjegjësuese që të shpjegojmë si mund të investohet në bono thesari.

Në ndihmën tonë ka ardhur edhe banka qendrore që ka hapur sportelet në 6 qytete me qëllim tregtimin e bonove të thesarit dhe informimin për procedurat që duhen ndjekur. Nëse bonot e thesarit tre-mujore kishin normë të ulët sot kanë një normë interesi, 2.78%. Qeveria ka edhe tituj më afatgjatë dhe gjatë këtyre viteve ka punuar të rrisë maturitetin e tyre. Interesi nga tregu ishte shumë i lartë. Në faqen zyrtare të MF-së nga sot ka një seksion të detajuar për shpjegimin e bonove të thesarit dhe si qytetarët mund të investojmë. Do të vendosim sportel për edukim më të mirë financiar. Po punojmë me një strategji kombëtare, pasi është shumë e rëndësishme që individët të kenë një kulturë të menaxhimit të parasë pasi është e vetmja formë që të kujdesen për financat familjare dhe të jenë investitorë të zotë”, deklaroi Ibrahimaj.

Marrëveshja me francezët, 60 milionë Euro kredi për Ujësjellësin e Durrësit

Qeveria shqiptare do të marrë 60 milionë euro kredi dhe 1 milion euro grant për asistencë teknike nga Agjencia Franceze e Zhvillimit për të ndërtuar rrjetin e Ujësjellësit të Durrësit. Marrëveshja e kredisë u nënshkrua dje nga Ministrja Ibrahimaj dhe Ministrja Franceze e Shtetit për Europën, Laurence Bonne në godinën e qeverisë. Kryeministri Rama i pranishëm nuk e humbi mundësinë për të bërë lëvdatat e tij për Presidentin francez jo vetëm për ndihmën për tërmetin, por dhe kontributin personal për hapjen e negociatave. “Presidenti u angazhua personalisht të përfshijë drejtpërdrejtë Francën në grupin e vendeve që premtuan mbështetje financiare”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se ky investim do arrijë të mundësojë transformimin e qytetit. “Dua të shpreh kënaqësinë për këtë marrëveshje të rëndësishme e paraprirë qysh në krye të herës, por e realizuar tani. Për të ndërhyrë me një investim masiv në Durrës që mundëson një transformim të Ujësjellësit të Durrësit. Kujtojmë se kur tragjedia e 26 nëntorit ndodhi, Presidenti i Macron ishte i pari që u interesua, ishte nga ata kolegë evropianë në ato ditë të vështira pyeste për ecurinë e kërkim shpëtimeve. Angazhoi një trup, e cila erdhi në Shqipëri. Dhe më pas, Presidenti u angazhua personalisht duke përfshirë Francën në grupin e vendeve që premtuan mbështetje financiare”, tha Rama.

Ministrja e Shtetit për Çështjet Evropiane, Laurence Bonne, tha se ky është një tregues i miqësisë mes 2 vendeve. Ministrja Bonne pohoi se mes dy vendeve ka marrëdhënie shumë të mira politike, por premton dhe përmirësime në ato ekonomike, duke folur konkretisht për projektin e centralit fotovoltaik të Karavastasë. “Bëhet fjalë për centralin fotovoltaik të Karavastasë që ka një zhvillim shumë pozitiv dhe nëse Shqipëria është në majat e tranzicionit energjetik, është falë këtyre teknologjive. Agjencia Franceze e Zhvillimit operon prej tri vitesh në Shqipëri dhe nga Kryeministri vlerësohet jo si bankë kredidhënëse, por bankë dijesh”, u shpreh Laurence Bonne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura