Qeveria ka në plan ndërtimin e një TEC-i në tokën buqësore të Maliqit

Feb 6, 2016 | 22:09
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë pak ditë më parë një projektligj që synon të heqë nga statusi i tokës bujqësore një sipërfaqe prej 288 hektarësh në zonën e Maliqit në Korçë, me argumentimin se ndryshimi i statusit do t’i hapë rrugë shfrytëzimit të një lënde minerare të njohur si torfë, e cila mund të përdoret më vonë për t’u djegur në një termocentral për prodhimin e energjisë elektrike dhe avullit.

termoSipas relacionit të projektligjit, në zonën e identifikuar në ish-kënetën e Maliqit, gjendet një sasi prej rreth 156 milionë tonë torfë, e cila ka fuqi kalorifike prej 2 900 kkal/kg, përmbajte hiri rreth 29 për qind, lagështi 9 për qind dhe squfur, 1.1 për qind.

“Kemi kërkesa për pajisjen me leje minerare shfrytëzimi për torfat e ish-Kënetës së Maliqit, për ta përdorur për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-in që mund të ndërtohen në ketë zonë”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Projektligji është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë më 3 shkurt 2016 pasi është miratuar fillimisht në qeveri, por nuk është publikuar në faqen kryeministria.al, ku qeveria aktuale e ka zakon të publikojë vetëm projektligjet apo vendimet që nuk shkaktojnë debat.

Një energji ndotëse

Torfa krijohet nga një akumulim i vegjetacionit pjesërisht të kalbur që gjendet veçanërisht në zonat ish kënetore. Zakonisht torfa është rruga natyrore drejt krijimit të qymyrit të cilësisë së ulët si linjiti. Torfa zakonisht konsiderohet edhe më shumë ndotëse se sa linjiti për shkak se djegia e saj çliron në atmosferë edhe më shumë dioksid karboni se sa qymyri.

Në të shkuarën, Shqipëria nuk e ka konsideruar torfën si burim i mundshëm energjie për shkak se format e tjera të energjisë si nafta janë krahasimisht më pak ndotëse.

Torfa konsiderohet se mbart një sasi të stërmadhe dioksidi karboni, i cili çlirohet kur thahen kënetat, por çlirohet në veçanti edhe kur torfa digjet për arsye të ndryshme.

Drafti i strategjisë kombëtare të energjisë 2013-2020 shkruan se qymyri në tërësi në Shqipëri nuk shërben dot për prodhim energjie elektrike për shkak të fuqisë së ulët kalorifike.

“Përdorimi i qymyrit të vendit në të ardhmen e afërt nuk është parashikuar, për arsye të kostos së lartë të përftimit të tij dhe karakteristikave fiziko-kimike jo të favorshme. Sidoqoftë, nisur nga rezervat e limituara të hidrokarbureve në botë, opsioni i përdorimit të qymyrit të importit, për nevojat energjetike është lënë i hapur. Natyrisht, që përdorimi i tij do të bëhet duke respektuar rregulla të forta mjedisore të impianteve, që do të përdorin këtë lëndë energjetike” shkruhet në strategji.

Draftstrategjia nuk e përmend fare torfën si burim energjie, por një dokument tjetër i qeverisë, Strategjia Minerare e vitit 2011, argumenton se torfa mund të shërbejë për energji ose si pleh kompleks për bujqësinë.

Projektligji aktual dhe relacioni nuk jep të dhëna mbi nivelin e pritshëm të ndotjes dhe nuk dihet nëse qeveria ka bërë ndonjë studim mjedisor para se të vendosë të krijojë kushtet për licenca minerare për shfrytëzimin e saj.

Megjithatë relacioni thotë se ka “studime të paraqitura” pa shpjeguar se kush i ka bërë këto studime dhe për çfarë arsyeje dhe se sipas këtyre studimeve, me torfë do të mund të prodhohet rreth 500 milionë kilovatorë energji elektrike në një termocentral që parashikohet të kushtojë 170 milionë euro.

“MEI është e interesuar për zhvillimin e projekteve për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike duke shfrytëzuar llojet të ndryshme të burimeve vendore të mineraleve energjetike me cilësi relativisht të ulëta, siç janë edhe torfat e Maliqit. Një projekt i tillë për ndërtimin e një TEC-i në zonën e Maliqit është parë gjithmonë si një alternativë e mundshme,” shkruhet në relacion.

Torfa nuk është parë si një burim i vlefshëm i energjisë në shumicën dërrmuese të vendeve të botës me përjashtim të Finlandës, ku kjo lëndë fosile përdoret për të furnizuar një pjesë të vogël të energjisë elektrike që konsumon ky vend.

Marrë nga BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura