Qeveria i jep 15 mijë euro Delijorgjit, Strasburgu: Kaloi stres në burg

Feb 11, 2016 | 8:15
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare ekzekuton vendimin e Gjykatës së Strasburgut për dëmshpërblen me 15 mijë euro të biznesmenit Mihal Delijorgji, të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit.

Mihal Delijorgji gjatë një seance gjyqësore për Gërdecin
Mihal Delijorgji gjatë një seance gjyqësore për Gërdecin

Sipas vendimit të gjykatës, që është zbatuar së fundi nga qeveria, fondi nga buxheti i shtetit shqiptar duhet t’i jepet biznesmenit për shkak të stresit që ai ka kaluar teksa mbahej në burg përtej afatit ligjor në Tiranë.

Delijorgji ka pretenduar për tejkalim të afatit të mbajtjes në paraburgim “në pritje të gjyqit” dhe pas kërkesës së tij, gjykatat e refuzuan lirimin nga qelia. Pas arrestimit për ngjarjen e ndodhur në Gërdec, Delijorgji dhe të pandehurit e tjerë pritën disa muaj, deri sa u vendos gjykata kompetente për çështjen mes Gjykatës së Lartë dhe asaj të Tiranës.

Vendimi është dhënë nga Gjykata e Strasburgut pas ankesës së paraqitur atje nga dy avokatët e Delijorgjit. Masa e dëmshpërblimit në fjalë është dhënë nga shteti shqiptar, sipas procedurave, ndërsa vendimi përkatës është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare të fundit.

Në këtë dokument është zbardhur vendimi i plotë i dhënë nga Gjykata e Strasburgut në fund të shtatorit 2015. Sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, më 25 nëntor 2010, avokati i Delijorgjit kërkoi me shkrim, lirimin e të akuzuarit.

“STRESI NË BURG”

Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut theksohet se Mihal Delijorgji kërkoi 150,000 euro për dëmin monetar dhe atë jo monetar, që sipas tij shteti shqiptar i ka shkaktuar.

“Këtu përfshihej humbja e rrogës që ai do të kishte marrë gjatë punësimit të tij, në rast se do të ishte liruar, si edhe ndjenja e stresit që kishte kaluar ankuesi dhe anëtarët e familjes së tij për më shumë se një vit”, thekson vendimi i Gjykatës së Strasburgut. Sipas tij, Gjykata ka konstatuar një shkelje të nenit 5 në lidhje me ndalimin e paligjshëm të Delijorgjit midis datës 24 nëntor 2010 dhe 12 mars 2012. Si pasojë e kësaj shkeljeje, “gjykata vëren se Delijorgji mund të ketë vuajtur njëfarë ankthi dhe stresi për shkak të atyre shkeljeve të të drejtave të tij, të cilat nuk mund të kompensohen me anë të një konstatimi të thjeshtë”.

PROCESI

Ai argumentoi se periudha e tij e ndalimit përpara procesit gjyqësor ishte zgjatur me 81 ditë. Por më 26 nëntor 2010, Gjykata e Tiranës e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se nuk ishte dërguar me shkrim në përputhje me ligjin.

Pavarësisht kësaj, më 12 mars 2012, në një proces të gjatë, Gjykata e Tiranës e shpalli ankuesin fajtor për “shkeljen e rregullave për substancat eksplozive, të djegshme ose radioaktive” dhe e dënoi atë me 10 vjet burg. Të gjitha palët e apeluan vendimin në fjalë.

Më 13 shkurt 2013, Gjykata e Apelit Tiranë e la vendimin në fuqi, por ajo e uli dënimin e Delijorgjit me një të tretat për shkak të përdorimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar. Delijorgji bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, por ankimi i tij atje u hodh poshtë më 19 korrik 2013.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura