Qeveria e Kosovës akuzon grupet kriminale serbe për sulmin ndaj policisë në veri të vendit, nisin hetimet për rastin

Aug 6, 2022 | 18:18
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet ilegale serbe janë duke bërë përpjekje për të penguar punën e autoriteteve të Kosovës.

xhelalsvecla

Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar sulmin e së shtunës ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sipas Policisë, njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.

Sveçla ka thënë se Policia ka qenë duke kryer kontrollin rutinor në këtë liqen.

“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar, ose për t’i vrarë ata”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Sipas ministrit, grupet ilegale serbe “tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe”.

Ai ka thënë se autoritetet nuk do të zmbrapsen nga kryerja e detyrave të tyre, “pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”.

Kurti: Kanë nisur hetimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më vonë se kanë nisur hetimet për këto të shtëna.

Sipas tij, kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës është sulmuar nga “bandat kriminale në veri”.

“Fatmirësisht, nuk ka viktima. Sot, rrugët janë të lira nga barrikadat. Por bandat kriminale vazhdojnë t’i vendosin barrikada vetvetes kundër agjencive tona për zbatim të ligjit dhe kundër luftës sonë kundër krimit të organizuar”, ka thënë Kurti në një postim në Twitter.

Reagimi i Listës Serbe

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – u ka bërë thirrje qytetarëve “të mos bien pre e provokimeve të Sveçlës”.

Në një komunikatë për media, kjo parti ka thënë se dënon çfarëdo lloji të kërcënimit për sigurinë, mirëpo beson se autoritetet në Prishtinë po synojnë të paraqesin serbët si “njerëz negativë”.

Lista Serbe, e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është partia e vetme që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, gjegjësisht, i vetmi opsion opsion politik serb që merr pjesë në punën e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Kjo nuk është hera e parë që sulmohet Policia e Kosovës. Vetëm në prill të këtij viti janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj këtij institucioni.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në korrik se, ata që janë duke e sulmuar Policinë e Kosovës në veri të vendit, janë të njohur për organet e rendit si individë të kyçur në aktivitete ilegale.

Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve, që janë të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë.

Ditë më parë, në veri të Kosovës ka pasur tensione për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat e makinave – me emra të qyteteve të Kosovës – që lëshojnë autoritetet e Serbisë, si dhe dokumentet serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për lëvizjen e lirë më 2011, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimeve në fjalë, serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Si pasojë e situatës së tensionuar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për 1 shtator, me kusht që serbët lokalë të heqin barrikadat.

Barrikadat janë hequr deri në pasditen e 1 gushtit.

Beogradi zyrtar nuk e ka mirëpritur hapin e Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe këto dokumente, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë theksuar se Kosova është në të drejtën e saj dhe po vepron në linjë me marrëveshjen e Brukselit.

© Panorama.al

Te lidhura