Qeveria devijon nga plani i vaksinimit, ja si ishte parashikuar për punonjësit e policisë

Apr 3, 2021 | 12:35
SHPËRNDAJE

vaksinimit

Kur nuk ka përfunduar ende procesi i vaksinimit për punonjësit e shëndetësisë, arsimtarët dhe të moshuarit mbi 70 vjeç, qeveria ka njoftuar nisjen e procesit të vaksinimit për gazetarët e terrenit dhe punonjësit e Policisë.

“Fillojmë vaksinimin e gazetarëve të terrenit. Nga nesër fillojmë vaksinimin e efektivëve të Policisë. Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot (dje) në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”, tha ministrja Manastirliu nga Berati.

Por në fakt, ndryshe nga çfarë pretendohet, qeveria vijon të devijojë nga plani kombëtar i vaksinimit që vetë ka hartuar duke përfshirë në proces kategori të cilat në plan, janë listuar të fundit.

Kjo ndodhi edhe në muajin shkurt kur në mënyrë të beftë Kryeministri dha lajmin se do të vaksinoheshin personalitet, një proces që mbeti në gjysmë të rrugës.

Kapërcim u bë edhe me arsimtarët, të cilët në dokumentin qeveritar janë renditur po ashtu të fundit.

PLANI I VAKSINIMIT

Por çfarë parashikohet në planin kombëtar të vaksinimit?

plani i vaksinimit

Konkretisht, faza e parë është e dedikuar për vaksinimin e personelit shëndetësor, ndërsa në fazën e dytë, krahas vaksinimit të pjesës tjetër të stafit mjekësor, që po ashtu gjenden në vijën e parë, do të marrin vaksinën edhe personat e moshuar, si edhe ata me probleme të shumta shëndetësore.

“Në pjesën e parë do të vaksinohen të gjithë personat që jetojnë në institucione të kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë. Ndërsa në pjesën e dytë do të vaksinohen personat e moshuar, mbi 65 vjeç, duke prioritizuar grupmoshat më të mëdha fillimisht, në bazë të disponibilitetit të vaksinës”, përcaktohet në dokument.

Ndërkohë, në valën e tretë të vaksinimit janë përfshirë personat nën 65 vjeç, të cilët kanë probleme të caktuara shëndetësore që ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjes COVID-19 dhe personave obezë, ku prioritet do t’u jepet atyre të cilët kanë më shumë se një sëmundje.

“Në varësi të sasisë së disponueshme të vaksinave, në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë, si p.sh. mësues, edukatorë, forcat e rendit etj”, theksohet në strategji.

Çka do të thotë se vaksinimi i punonjësve të Policisë dhe arsimtarëve ishte parashikuar pas vaksinimit të personave mbi 65 vjeç, si edhe atyre nën 65 vjeç me probleme të caktuara shëndetësore. Ndërsa nuk ka asnjë rresht për vaksinimin e gazetarëve.

VAKSINA

Nga nisja e procesit të vaksinimit dhe deri më tani mësohet se janë kryer 172 486 vaksina, ndërsa prej së dielës ka nisur edhe vaksinimi i personave mbi 70 vjeç me vaksinën kineze “CoronaVac”.

Pikëpyetjet mbi efektivitetin dhe sigurinë e kësaj vaksine janë rritur ndjeshëm veçanërisht në ditët e fundit.

Nga Berati, Kryeministri vuri në dukje se fakti që kjo vaksinë nuk ka hyrë në Bashkimin Europian nuk ka lidhje me eficencën e saj.

“Të mos bjerë askush viktimë e hienave dhe kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë ‘SinoVac’ është një vaksinë e supersuksesshme, e cila faktikisht Turqinë po e nxjerr përditë e më shpejt nga tuneli i pandemisë. Është vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe të gjitha kurorat mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë, e cila bëhet në shumë shtete dhe fakti që nuk ka hyrë në Bashkimin Europian nuk ka lidhje me eficencën e vaksinës, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër, që neve nuk na interesojnë dhe nuk na prekin, pasi neve na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar, dhe të nxjerrim sa më shpejtë nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi dhe pasigurie gjyshërit dhe gjyshet, ata me sëmundje kronike, grupet e riskut dhe gjithë popullsinë”, tha Rama.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura