Qeveria, 200 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit. Ahmetaj: Ja sa do shkojë mbështetja nga donatorët

Dec 6, 2019 | 19:37
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Qeveria i ka varur shpresat te donacionet. Për vitin e ardhshëm parashikohet të përdoren 200 milionë dollarë për rindërtimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.rama kuvend

Por, ashtu siç edhe paralajmëroi pak ditë më parë Kryeministri Rama, fondi në adresë të të prekurve nga buxheti i shtetit do të jetë vetëm 60 milionë dollarë ose 0.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pjesa tjetër do të mbulohet nga donacionet. FONDI Këtë e konfirmoi gjatë seancës së djeshme parlamentare edhe kryetari i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kur tha se deri më tani janë mbledhur 70 milionë dollarë, ndërkohë që kjo shifër pritet të dyfishohet në ditët në vijim.

“Nuk do rrisim asnjë taksë, në mënyrë direkte as borxhin s’do e rrisim, por do t’i përgjigjemi në dinamikë duke nisur nga 1 janari me programin specifik të detajuar të ndërtuar nga vetë Kryeministri me ndihmën e Komisionit të Ekonomisë e Financave, për atë që sot prezantohet si programi i rindërtimit. E theksoj është dinamik, s’ka rritje taksash e që ditën e parë nis me gati 200 milionë USD. Fillojmë me 70 milionë dollarë nga donatorët. Të jeni të bindur se mbështetja nga donatorët do të shkojë mbi 150 mln euro”, tha Ahmetaj.ahmetaj kuvend

Sipas Kryeministrit Rama, programi për rindërtimin do të financohet si një program buxhetor më vete. Do të jetë një fond buxhetor i transferushëm dhe dinamik, gjithmonë brenda programit të përgjithshëm buxhetor. Pra, në mënyrë të vazhdueshme, qeveria do të vlerësojë çdo mundësi për rishpërndarje fondesh dhe transferim në adresë të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Me një vlerësim të saktë dhe të plotë të nevojave për ndërhyrje, nëse do të duhet angazhim i mëtejshëm i fondeve buxhetore gjatë vitit 2020, është parashikuar skenari që në çdo rishikim buxheti, kjo të ndodhë”, tha Rama.

NDËRTIMET

Për strehimin e familjeve të mbetura në qiell të hapur, qeveria ka në plan ndërtimin e 10 mijë apartamenteve. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Parlament, kreu i qeverisë zbuloi edhe lokacionet ku do të shtrihen lagjet e reja.

“Do të ndërtojmë një lagje të re në Durrës, do të ndërtojmë një lagje të re në Laç dhe do të ndërtojmë tri në Tiranë, dy lagje të rëndësishme nga pikëpamja e volumit, njërën te ‘5 Maji’, tjetrën në Kombinat dhe një të tretë, më të vogël, në ish-Uzinën e Autotraktorëve. Me Laçin do të fillojmë menjëherë. Besojmë që brenda pak kohe, shpresoj shumë në mars, të jemi në kantier. Me lagjen e madhe të Durrësit ka filluar puna për projektimin. Me lagjen ‘5 Maji’ dhe me Kombinatin po ashtu. Së shpejti fillojmë projektimin për ish-Uzinën e Autotraktorëve. Ndërkohë që do të adresojmë edhe godinat specifike në Lezhë apo në pikat e tjera që përbëjnë rrezikshmëri”, tha Rama.

Sa i takon faturës së dëmeve, qeveria ende nuk ka dalë me një shifër zyrtare. Janë mbi 10 mijë ndërtesa të dëmtuara, përfshirë këtu edhe disa institucione arsimore. Bilanci pritet të rritet, duke qenë se vijon procesi i vlerësimit nga ekspertët në terren.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura