Qetsor Ferunaj: Mendova disa herë të lë Shqipërinë, pushimet ishin të trazuara

Aug 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

qetsor 411921984_919808058100152_1055957657_n
Edhe pse kur fitoi edicionin e dytë të “Big Brother” u duk më shumë i prerë për biznes sesa për ekran, Qetsor Ferunaj flet tashmë nga pozitat e moderatorit. Ngjarja me televizionin “Agon Channel” natyrisht që ndikoi drejtpërdrejt në ritmin e punës së stafit, pjesë e të cilit ai është ende. Në këtë intervistë, Qetsori flet për ndryshimet në jetën e tij, pushimet me familjen në Karaburun, dhe faktin që shpesh ka menduar të kërkojë azil në Gjermani. Por, diçka ia ka ndryshuar mendjen, ndaj tregon detaje se çfarë do të bëjë këtë sezon të ri televiziv këtu në Shqipëri…

Si e kalove këtë verë, pasi për herë të parë ke ndarë foto familjare me publikun?

Pushimet e verës 2015 më ikën si pa u ndier fare. Jo për mungesën e kohës, se kohë kisha plot, por për terezinë që këtë vit na e prishën. Kështu vendosa që pushimet t’i kaloj me familjen, dy fëmijët, bashkëshorten dhe fisin, në vendin më të bukur që ka Shqipëria, në Karaburun. Për inat të atyre që na prishën terezinë, u kënaqëm me pushime në pronat tona të Dukatit. Pa harruar edhe ndonjë dasmë që na shkundi.

Një nga hobet e tua është zhytja. E praktikove këtë verë?

Prishja e terezisë na shkaktoi probleme edhe me hobet, por përsëri nuk arriti të na i shfarosë ato. Hobin e zhytjes s’ka qeveri që të na e privojë, sepse është e patatueshme. Kjo ishte për batutë, por as këtë verë nuk i lashë pas dore së shijuari si shpellat nënujore, ashtu dhe bukuritë e tjera të Karaburunit.

Në një nga fotot që kishe postuar në Facebook shkruaje se ke menduar të lësh Shqipërinë për të kërkuar azil në Gjermani. E ke menduar seriozisht largimin?

Po, është shumë e vërtetë! Fenomenit të zhdukjes fare nga Shqipëria besoj që nuk i shpëton askush, pa e kaluar të paktën një herë nëpër mend, dhe pa bërë disa telefonata me miqtë dhe të afërmit që kemi jashtë. Shumë vendime varen nga mbështetja që mund të na japin ata ku do të shkojmë. Liria e fjalës është një nga arsyet që më shtyu të mendoja ikjen nga Shqipëria, pasi po e provojmë në shpinën tonë dhe me kostot tona në televizionin ku punoj. Kështu që unë ktheva mendje dhe vendosa të qëndroj dhe ta bëj këtu luftën time, sepse s’kam luksin të humb në luftë beteja jashtë vendit.

E si do të vazhdojë jeta jote profesionale?

Këtë sezon të ri televiziv do të vazhdosh me emisionet e tua? Vazhdimi i jetës profesionale është një pikëpyetje e madhe që më mundon jo vetëm mua, por edhe familjen time. Edhe pse problematikat janë të ngjeshura, këtë sezon do të vazhdoj me “Të parët”, që është programi i mëngjesit dhe nuk do të mundem të shkëputem nga “Surpriza je ti”, format me të cilin jam i dashuruar.

Pas kësaj eksperience që ke marrë në televizion, cilat janë ambiciet e tua për më tej?

Ambiciet për moderim programesh të tjera nuk kam. Jam shumë i plotësuar me ato çfarë kam bërë, dhe do të doja t’i çoja para, duke përmirësuar veten.

Si ndikoi puna jote me orare të zgjatura në televizion te familja? Ka qenë e vështirë për ty të ruaje balancat?

Puna në televizion ka vështirësitë e veta, por jo deri në prishjen e balancave të jetës, sidomos atyre familjare që vazhdimisht vendosen në provë. Provat që ndesh familja, asnjëherë s’janë as si ne i duam dhe as kur ne i duam. Vullneti që kemi për t’i ruajtur këto balanca është bërthama. Janë prindërit që duhen të marrin “Nobel”, tha Papa, sepse zgjidhin probleme më të vështira se ekuacionet e fizikës.

Në televizionin ku punon ke kolegë me emër, si Adi Krasta, Saimir Kodra, Sonila Meço, Gent Zenelaj etj. Si është të ndeshesh korridoreve me njerëz që kanë gjithë jetën në televizion?

Për fatin tim të madh kam qenë pranë figurave më të mëdha shqiptare, por jo vetëm. Në korridoret e televizionit ku punoj kalonin figura të medias italiane, me të cilët kisha dëshirë të bëja foto, si Simona Ventura, Alessio Vinci, Pupo, Sabrina Ferili etj. Por në krah të tyre qëndronin gjithmonë denjësisht edhe figurat e medias shqiptare, Sonila, Adi, Genti, Sajmiri, Artioni dhe stafi mbështetës. Sonila ështe ajo që më ka përmirësuar vazhdimisht në punën time. Adi është ai që më ka inkurajuar kur hasja vështirësi në debatet me veten, Saimiri një kritik i përkryer, Genti më ka mësuar disa gjëra nga humori. Me Artionin kam hedhur hapat e parë në ekran, duke pasur mbështetjen e palodhur të Andeta Radit. Besoj se e kuptoni sa me fat kam qenë në mes tyre!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura