“Qepe gojën, mos bëj dërr-dërr, ça kujton se është këtu?”- Shkaku që çoi në përplasjen me tone të ashpra dhe largimin e PD nga seanca, ja debati i plotë në Kuvend

Sep 14, 2021 | 9:31
SHPËRNDAJE

Seanca e djeshme për zgjedhjen e anëtarëve në komisionet parlamentare ka prodhuar debate me tona të ashpra mes kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Shkak për përplasjen maxhorancë-opozitë u bë propozimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për shtyrjen e caktimit të anëtarëve të komisioneve për në seancën e ardhshme.

Të njëjtën kërkesë pati edhe LSI-ja, e cila kërkoi që votimi të shtyhej për seancën e radhës, pasi deputetët e LSI nuk kishin asnjë emër për t’u përfaqësuar në komisionet parlamentare.

Sipas Ballës, me propozimet e bëra nga opozita dhe listat e emrave për anëtarë në komisione ajo merr shumicën e grupeve, gjë që sipas tij, nuk mund të ndodhë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së kërkoi bashkëpunim për zgjidhjen e këtij ngërçi, por u shpreh se PS-ja do të ketë shumicën në të gjithë komisionet, që reflekton edhe rezultatin e zgjedhjeve.

Balla sqaroi se PS-ja ka në dispozicion rreth 60 deputetë për të plotësuar dhe pasur maxhorancën në të tetë komisionet, ndërsa sipas tij, opozita ka propozuar më shumë emra se ka deputetë në Kuvend.

Por pasi maxhoranca miratoi propozimin e Taulant Ballës që votimi për komisionet të bëhet seancën e radhës, kreu i PD-së, iu drejtua me tone të ashpra kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, duke i thënë se po shkel rregulloren.

Kreu i opozitës hodhi akuza se ajo merr urdhra si ushtare nga dikush që nuk duhet të ishte në sallën e kuvendit por në burg e për këtë duhet ti vijë turp.

Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj duke thënë se po zbaton rregulloren dhe se atë po e ndrysh me pushtetin e votës.

Menjëherë deputetët e opozitës lënë seancën e kuvendit, mes tyre edhe Sali Berisha, ndërsa ata të PS dhe LSI qëndrojnë brenda saj.

Në momentet e daljes u vunë re disa detaje, si takimi i Sali me Luçiano Boçin dhe biseda kokë më kokë mes Berishës dhe Flamur Nokës. Edhe në seancën e djeshme Berisha e Basha hynë dhe dolën duke shmangur njëri-tjetrin.

Më herët në këtë seancë u miratuan kryetarët e Komisioneve Parlamentare dhe zëvendësuesit e propozuar nga PDja dhe PS-ja.

Si të propozuar nga maxhoranca u zgjodhën Nasip Naço, si kreu i Komisionit të Sigurisë nga PS-ja; Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Jashtëm; Eduard Shalsi u zgjodh si kryetar i Komisionit të Ekonomisë; Arben Pëllumbi u zgjodh kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe komisionet që do të drejtohen nga PD-ja janë: Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian; Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Shëndetësinë; Agron Gjekmarkaj, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Median.

DEBATI NË KUVEND

Balla: Unë do të kërkoja që në bazë të eksperiencës së gjatë në çës…

Basha: Ça eksperience, po qepe gojën e mbaro atë që ke nisur për procedurë.

Balla: Unë do ju kërkoj emocionet t’i lëmë jashtë kësaj salle.

Basha: Mos bëj dërr dërr! Ushtar i krimit!

Balla: Nuk kam emocione fare, etika dhe rregullorja duhet të zbatohet!

Basha: Mbaroje atë që ke nisur. Ushtar i krimit!

Balla: Zonja kryetare, propozimi është konkret dhe është në një linjë me propozimin e PD-së dhe të Vasilit. Sot, është e domosdoshme caktimi i Byrosë dhe i komisioneve. Jam i bindur që edhe kolegët e LSI që çështjen e pikës 5 të rendit të ditës për caktimin e përbërjes së komisionit të përhershëm ta votojmë seancën që vjen. Kaq kisha unë.

Basha: E ke nisur ketë seancë duke shkelur rregulloren. Ke miratuar rendin e ditës dhe merr urdhra si ushtare nga dikush që nuk duhet të ishte në këtë sallë, trup të të vijë.

Nikolla: Unë jam deputete e Shqipërisë!

Basha: Ti je manekinë që merr urdhra nga dikush që duhet të ishte në burg.

Nikolla: Qetësohu të lutem, etikën e deputetit.

Basha: Me çfarë pushteti e ndryshon rendin e ditës ti? Ça kujton se është këtu?

Nikolla: Me pushtetin e votës.

Basha: Turp të të vijë, e rrënon që ditën e para parlamentarizmin, por kështu është kur vendos një njeri si ty.

Pas debatit, opozita ngrihet dhe braktis seancën e Parlamentit, ndërsa PS e LSI qëndron në sallë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura