“Qenka ‘dasma’ jonë, i thashë gruas”/ Flet 69-vjeçari që i vendosën tritol në banesë. Pista e hetimit? Dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i…

Oct 31, 2020 | 8:25
SHPËRNDAJE

Pas shpërthimit me tritol në shtëpinë e gazetarit në fshatin Balldre të Lezhës, një tjetër shpërthim tritoli u shënua në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 e 16 minuta të mëngjesit të së premtes në lagjen “Hajro Çakërri”, në qytetin e Vlorës, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në derën kryesore të banesës së shtetasit Tahsim Banushaj.

Tahsim Banushaj.

Shpërthimi i fuqishëm nga lënda plasëse ka shkaktuar panik te Banushaj dhe bashkëshortja e tij, por edhe te banorët e lagjes ku banon çifti Banushaj.

Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë Policia, ndërsa kanë nisur hetimet për këtë ngjarje. Motivet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta, ndërsa është marrë në pyetje edhe pronari i banesës, i cili jetonte në shtëpi vetëm me bashkëshorten e tij.

69-vjeçari Tahsim Banushaj ka punuar si kasap në Vlorë, ndërsa është me origjinë nga fshati Ramicë.

Sipas informacioneve nga Policia e Vlorës, mësohet se Banushaj kohë më parë ka qenë edhe bashkëpunëtor i SHISH-it, çka mund të jetë një nga pistat e hetimit të Policisë së Vlorës.

Ndërkohë, pronari i banesës ka folur rreth momentit kur edhe është dëgjuar shpërthimi dhe frikën e atyre çasteve. Për fat dëmtimi ka qenë vetëm në derën kryesore të banesës.

“Ishim në gjumë. Nga ora 3 e mëngjesit dëgjojmë si krismë, shpërthim. Obobo i thashë gruas, tërmet. Dolën edhe komshinjtë nga banesat e tyre dhe po pyesnin për shpërthimin. Mendova se mund të kishte ndodhur diku tjetër fillimisht. Mora elektrikun e dorës pashë këtu në banesë, fillimisht nuk gjeta gjë. U afrova te dera dhe aty pashë dëmet e shkaktuara. ‘Qenka ‘dasma’ jonë’, i thashë gruas. Na e kanë hedhur ne. Nuk më shkon mendja te njeri. Nuk i kam njeriu borxh. Kam punuar si kasap. Ndoshta dikush më ka borxh mua. Fëmijët i kam të shpërndarë, këtu dhe jashtë shtetit. Edhe mund të kenë gabuar derë, ndoshta. Edhe Policia ma ka ngatërruar emrin”, është shprehur Tahsim Banushaj.

HETIMET

Policia po heton në pistën që ka lidhje sipas burimeve me atë që 69-vjeçari ka qenë më herët bashkëpunëtor i SHISH-it, por dhe në ndonjë grindje të mundshme, pavarësisht se një fakt i tillë u hodh poshtë nga 69-vjeçari edhe gjatë deklaratës së tij në Polici.

Një tjetër pistë lidhet edhe me fëmijët e tij, ndoshta me ata që jetojnë jashtë kufijve të vendit. Për momentin është duke hetuar mbi këto pista të mundshme, ndërsa nuk ka ende ndonjë person të shoqëruar për ngjarjen, veç pyetjeve të banorëve që jetojnë pranë banesës së tij.

Zona ku ka ndodhur shpërthimi është në periferi të qytetit, ndërsa në zonë mungojnë kamerat e sigurisë, që mund të ndihmojnë në hetimet për zbardhjen e ngjarjes. E. N

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura