Qengji i mirë pi dy nëna, por në gjunjë…

Jan 19, 2021 | 9:20
SHPËRNDAJE

RAIMONDA SHUNDI

raimonda-shundi

“E vërteta është si dielli, mund ta fshehësh për ca kohë, por jo ta zhdukësh atë”, thotë në një nga këngët e tij Elvis Presli. Kështu ndodh me të gjitha të vërtetat, kanë kohën e tyre kur shpërfaqen përpara nesh, duke na mpirë për pak çaste. Shqipëria, si vendi ku skandali nuk përbën më lajm, zhytet çdo ditë e më shumë në llumin e goditjes së radhës. Sot, është Tirja, dje semaforë të shkatërruar dhe dekore që digjen nga adoleshentë. Ne pamë se si u tërhoqën zvarrë nga uniformat në gjuetinë e shtrigave fëmijët tanë. Janë “ata” që fillimisht përdhunuan prindërit e tyre, gjyshërit, fëmijët e fëmijëve, embrionet e së nesërmes, duke kultivuar shkatërrim e zemëratë. E nesërmja kushedi se ku do të na degdisë në këtë kohë absurdesh. Ne vijmë nga një diktaturë ende të ngrohtë, ndaj rebelimet i kemi të pakta dhe anemike duke u “kapur” shpejt nga pushteti. Vendi i vogël ku vogëlsia na “kap shpejt”, po tretet çdo ditë e më shumë.

Teksa ne mpakemi, shohim edhe fryrjen që pangopësia i bën pushtetit dhe bijve të tij, duke pirë ujë në shumë burime. Agolli e çon më tej shprehjen shqiptare të urtësisë “Qengji i mirë pi dy nëna”, duke e avancuar në …”por në gjunjë”. Pasi gjunjëzoi të urtët dhe lartësoi kasapët, Rama krijoi oazën e tij të mbretërimit, duke i mbajtur dhe u mbajtur fort pas tyre. Ata ruajnë të mirat materialo-karrieriste me gjunjëzimin e tyre duke pirë gjakun e këtij vendi dhe rrjedhimisht largojnë “të keqen”, që mund t’i ndodhë mbretit të zhvatjes nga kryengritësit e poshtëruar nga ky realitet i dhimbshëm. Ndaj mbreti nuk mban kur i prek armatën e tij të sulmmbrojtjes. Kjo tezë mbështetet dukshëm edhe në deklaratat e fundit “Ta harrojnë dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu!”, ose “Najada Çomon s’ka Zot që e prek me dorë”. Këto janë kufijtë që pushteti do t’i diktojë viktimës, pra, ne popullit. Natyrisht që nuk do të lëshojë vartësit e tij në detyrë. Denoncimi i vajzës së viktimës nga Covid-19 ishte bërë që në dhjetor, por ata nuk e publikuan. Shumë denoncime të frikshme zhduken nga zyrat e Policisë së Shtetit me të vetmin motiv; “Mosprekjen e mbretit dhe pushttetit të tij”.

Shumë drama janë zhvilluar në dhomëzat dhe korridoret në spitalet Covid, por propaganda qeveritare me në krye këta drejtues e kanë bërë të pashfaqshme për ne (rastet e hedhjeve nga dritarja). Por kjo tragjedi është jetuar nga një masë shumë herë më e madhe se ajo e propagandës. Kurrë nuk do të publikohen dramat reale dhe denoncimet e frikshme me drejtues si Veliu, i cili me shefat rreth e qark ka instruktuar qartazi se si veprohet në raste të tilla. Kjo Shqipëri nuk duhet të shihet. Duhen drita, uniforma të shtrenjta policore, makina të sofistikuara luftarake, spitale të bukura dhe njerëz që buzëqeshin në “mrekullitë që i ka dhuruar ky sistem”. Natyrisht që nuk do të ketë Zot të heq Çomon me kompani, e cila është në dijeni për shumë e shumë skandale në ato ambiente që drejton.

Askush nuk do të preket nga të përzgjedhurit e mbretit, deri sa mbreti të shkërmoqet në tokë nga kjo kategori, së cilës zhvatja i ka shkuar në kockë. E vërteta pret të dalë, shpresoj në këto zgjedhje! Them shpresoj, jo se nuk kam besim në atë që komuniteti do që të bëjë me vullnetin e tij të lirë, i cili i mori jo vetëm të dashurit fizikisht, por fillimisht shpirtin, zemrën, fëmijët, vitet.

Dielli i së vërtetës do të depërtojë në ato skuta ku historia na ka dhuruar data dhe shembuj pa fund. Unë besoj shumë se pikërisht kjo kategori e groposur do të mund të gjejë formën dhe forcën e duhur për t’i dhënë fund jo vetëm në këtë sistem, por edhe ata që do të guxojnë ta mendojnë. Pikërisht ashtu siç ndodhi edhe me sistemin nazist, siç ndodh me terroristët, me gjenocidet apo sulmet ndaj së mirës. Unë besoj. Po ju?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura