Qëndrimi i SHBA për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, flet Borrell: I bëj thirrje Rusisë që ta pranojë

Jan 27, 2022 | 11:57
SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qasje të njëjtë lidhur me zgjidhjen e krizës midis Ukrainës dhe Rusisë përmes diplomacisë, ka deklaruar shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

lavrov e blionken

Komentet e Borrellit vijnë pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e Moskës që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në aleancën ushtarake, NATO.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një letre njoftoi më 26 janar për refuzimin e kërkesave ruse, por ofroi atë që ai e quajti “rrugë serioze diplomatike” për të dalë nga kriza.

Perëndimi ka shprehur shqetësimin se Rusia është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, pasi ka grumbulluar mijëra forca pranë kufirit të këtij shteti.

“Mirëpres përgjigjen e shkruar të sekretarit Blinken për propozimet e sigurisë së Rusisë. Rruga diplomatike është e vetmja zgjidhje afatgjatë për qytetarët e Ukrainës dhe qytetarët e Evropës. I bëj thirrje Rusisë që ta pranojë. BE-ja dhe SHBA-ja janë të bashkuara në qasjen tonë të përbashkët”, ka shkruar në Twitter, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Rusia ka thënë se do të analizojë përgjigjen amerikane, e cila është dërguar në koordinimin me NATO-n.

Blinken më 26 janar po ashtu bisedoi lidhur me Ukrainën edhe me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Në këtë bisedë u tha se është theksuar çështja e sigurisë botërore dhe rreziqet ekonomike që mund të shkaktohen në rast të një agresioni rus, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, ka thënë inteligjenca perëndimore. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Moska po ashtu mbështetë luftëtarët separatistë që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës. Që prej prillit të vitit 2014, kur shpërtheu konflikti në lindje të Ukrainës, janë vrarë mbi 13,200 persona.

Kremlini, që mohon se ka plane për ta sulmuar Ukrainën, ka thënë se e sheh NATO-n si kërcënim të sigurisë dhe ka kërkuar garanci ligjore që aleanca ushtarake perëndimore nuk do të zgjerohet më tej drejt lindjes, përfshirë edhe në Ukrainë. Por, Uashingtoni dhe NATO kanë thënë se disa prej kërkesave ruse janë të papranueshme.

Blinken u tha gazetarëve se SHBA-ja është e hapur për dialog, por e bëri të “qartë se ka parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar që t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur vetë marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë”.

“Nuk ka asnjë ndryshim, nuk do të ketë asnjë ndryshim”, tha ai.

Letra, tha Blinken, është koordinuar plotësisht me Ukrainën dhe aleatët evropianë të Uashingtonit dhe “përcakton një rrugë serioze diplomatike përpara nëse Rusia vendos që ta pranojë atë”, pasi SHBA-ja po tenton që të shmangë një përshkallëzim ushtarak kundër Ukrainës.

Por, ai paralajmëroi se Uashingtoni po vepronte “me fokus të barabartë” për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Blinken njoftoi se gjatë ditëve në vijim do të bisedojë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të marrë përgjigjen për qëndrimin e SHBA-së.

Ndërkaq, gjatë bisedës me homologun e tij kinez Wang Yi, Blinken theksoi nevojën për uljen e tensioneve, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

“Sekretari Blinken përcolli mesazhin se ulja e tensioneve dhe diplomacia janë rruga e përgjegjshme përpara”, tha Price përmes një deklarate.

Ndërkaq, Wang ka bërë thirrje për qetësi sa i përket krizës në Ukrainë, tha Ministria e Jashtme kineze.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të jenë të qetë dhe të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve që mund ta tensionojnë situatën”, tha kjo ministri.

Kina dhe Rusia kanë forcuar bashkëpunimin dhe tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë rritur për një sërë çështjesh, përfshirë për të drejtat e njeriut, Tajvanin, Hong Kongun dhe pretendimet detare të Kinës.

NATO po ashtu ka dërguar një përgjigje të shkruar lidhur me kërkesat e Moskës, që sipas sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg përfshin propozime për zgjidhjen e krizës në mënyrë diplomatike.

Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që “menjëherë të ulë tensionet”, por ka shtuar se aleatët e NATO-s vazhdojnë të jenë “të përgatitur për më të keqen”.

Para se SHBA-ja dhe NATO-ja t’u përgjigjeshin kërkesave të sigurisë së Rusisë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një adresimi para Dumës Shtetërore kërcënoi Perëndimin se nëse nuk i përgjigjet kërkesave, Rusia do të ndërmarrë “masa të nevojshme”, por pa i specifikuar se cilat do të ishin ato.

Ndërkaq, presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss nuk e kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në rast të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve në Moskë se sanksionet individuale ndaj Putinit nuk do të “ishin të dhimbshme, por shkatërruese në aspektin politik”, duke shtuar se liderët kryesorë rusë padrejtësisht po iu ndalohet të kenë qasje në asetet e tyre, në prona dhe në llogaritë bankare jashtë vendit.

Për shkak të rritjes së tensioneve në Ukrainë, Ambasada amerikane në Kiev, më 26 janar u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që ta shqyrtojnë mundësinë që të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga vendi.

Si pjesë e përpjekjeve diplomatike, këshilltarët e liderëve të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Paris dhe përmes një deklarate të përbashkët thanë se janë të përkushtuar që ta respektojnë një marrëveshje armëpushimi të arritur më parë, që ka për qëllim t’i japë fund konfliktit në lindje të Ukrainës.

Edhe pse këto bisedime nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret, pjesëmarrësit u zotuan se do të takohen pas dy javësh në Berlin.

Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron më 28 janar do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin dhe pret që gjatë kësaj bisede të qartësohen qëllimet që ka Rusia në lidhje me Ukrainën.

REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura