Qendra Pompidou, dy javë panair arti në Tiranë

Jul 2, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze në bashkëpunim me Qendrën “Pompidou”, Paris, organizojnë një aktivitet, të parin e këtij lloji në Shqipëri, që synon t’u hapë mundësi të reja artistëve shqiptarë nën moshën 40 vjeç. Nuk bëhet fjalë për “diskriminim” moshor, por për më shumë ndihmë për brezin e ri të artistëve, të cilët kanë më shumë nevojë për t’u ekspozuar e për t’u bërë të njohur në Shqipëri e jashtë saj. Gjatë këtij aktiviteti dyjavor në Tiranë do të jenë të ftuar profesionistë ndërkombëtarë për të njohur punimet e artistëve dhe kuratorëve shqiptarë, pjesëmarrës në panair.

Thirrja për të marrë pjesë në këtë aktivitet është shpallur në fund të muajit maj, e tashmë pritet që komisioni përzgjedhës të seleksionojë kandidaturat e paraqitura dhe të përzgjedhë një kurator e 20 artistë. Pas paraqitjes dyjavore, e cila mendohet të organizohet mes muajve tetor-dhjetor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, procesi i përzgjedhjes do të kryhet në Tiranë nga një juri e përbërë nga personalitete të artit, si kryekuratorja e Qendrës “Pompidou”, Christine Macel, kuratorja e Qendrës “Pompidou”, Alicia Knock dhe artisti ndërkombëtar francez Sâadane Afif.

PJESËMARRËSIT

Ky panair arti është i hapur për artistët e artit vizual bashkëkohor shqiptar që lëvrojnë të gjitha mediumet, pikturë, vizatim, skulpturë, video, fotografi, instalacione, qeramikë, etj… Për të qenë pjesë e këtij aktiviteti gjithë konkurrentët kanë garuar me një dosje të plotë, ku përfshihen të dhëna për artistin, eksperienca të mëparshme të dëshmuara nga tekste e artikujsh shtypi, fotografi të punëve apo materiale audio-vizuale, në rast se operojnë në mediume të tilla. Po kështu edhe kuratorët, të cilët duhet të “furnizojnë” me sa më shumë informacione në lidhje me aktivitetet e fundit që kanë kuruar. Prej datës 25 qershor, që ishte afati i fundit i dorëzimit, dosjet i kanë kaluar komisionit përzgjedhës, i cili pas shqyrtimit do të kontaktojë artistët e përzgjedhur dhe do të publikojë vendimin e komitetit përzgjedhës në faqen web dedikuar bashkëpunimit franko-shqiptar përpara të premtes, 10 korrik.

Nga ky seleksionim do të përzgjidhet një kurator dhe 20 artistë. Kuratori i përzgjedhur nuk do të jetë pjesë e jurisë ose të ndikojë në përzgjedhjen e artistit nga juria. Roli i tij do të bëhet aktiv pasi artistët do të jenë përzgjedhur nga juria ndërkombëtare. Pasi të jetë njohur dhe familjarizuar më punët e artistëve të përzgjedhur, kuratori merr pjesë në krijimin e një koncepti dhe vizioni gjithëpërfshirës për zhvillimin e ACAS – “Albanian Contemporary Artist Salon”. Përveç hartimit të një teksti kuratorial për ekspozitën, ai do të asistojë dhe orientojë çdo artist në realizimin dhe prezantimin e punëve të tyre. Kuratori fitues do të marrë pjesë gjithashtu në organizimin e një ekspozite në Francë në 2016-n, me mbështetjen e Ambasadës Franceze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura