Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit marrëveshje me Arkivin e Shtetit, për të sjellë dorëshkrime të panjohura të autorëve të ndaluar shqiptarë

Nov 11, 2021 | 13:03
SHPËRNDAJE

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kanë nënshkruar sot një marrëveshje, që synon të risjellë në skenën publike autorë të ndaluar, dorëshkrime të panjohura të autorëve shqiptarë.

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Arkivi është një pasuri për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë së arkivave personale të autorëve shqiptarë deri në vitet 1945.

“Kjo marrëveshje i hap rrugë realizimit të një sërë projektesh të përbashkëta, të cilat kanë në fokus pasurimin e jetës publike të autorëve të ndryshëm të historisë sonë, me materiale arkivore që zbulojnë e sjellin këndvështrime të reja studimore të personazheve që kanë bërë historinë tonë. Në biseduam dhe për krijimin e një fondi të dedikuar për dorëshkrimet e autorëve shqiptarë, në kuadër të një projekti që QKLL-ja ka nisur për të ruajtur këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë gjuhësore”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

“Kjo marrëveshje rregullon marrëdhëniet midis palëve, me qëllim zbatimin e projekteve të përbashkëta. Projektet në fjalë kanë si qëllim përkujtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar. Projektet që do të realizojmë, synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, ku nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të jepet një panoramë e përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar”, tha Ardit Bido.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, do të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita, aktivitete dhe projekte të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave për sa i përket ekspozimit, ruajtjes dhe konservimit të dorëshkrimeve dhe materialeve të tjera arkivore.

Me interes të veçantë do të jetë edhe shkëmbimi i botimeve ndërmjet dy institucioneve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura