“Qëllova për vetëmbrojtje”, lirohet polici David Madani. Vetëm një në paraburgim për “luftën” në Mamurras

Apr 17, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Gjykata e Kurbinit ka lënë të lirë 3 nga 4 personat e arrestuar në lidhje me konfliktin e ndodhur të martën në qytetin e Mamurrasit, ku mbeten të plagosur 3 vetë, dy prej të cilëve policë.

Efektivi i Policisë, David Madani, dhe shtetasit Gjon e Rudolf Fufi do të hetohen me masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Ndërsa në burg do të qëndrojë vetëm Nikoll (Fufi) Vorfi, i cili nga hetimet e deritanishme rezulton të jetë organizatori i përplasjes me efektivët e Policisë.

Masa e sigurisë ndaj tij u zhvillua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim, pasi gjatë përplasjes me Policinë mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë. Ndërsa për policin dhe dy personat e tjerë, seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua e veçuar në Gjykatën e Kurbinit.

lufta ne mamurras

 

Efektivi i Policisë, David Madani, mësohet të ketë thënë se ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes dhe se nga përplasja ka bërë qitje të pakontrolluar, duke plagosur dy kolegët e tij dhe njërin nga agresorët.

Ndërsa dy personat e tjerë, Gjon e Rudolf Fufi, kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.

ARRESTIMI

Efektivi i Policisë, David Madani, dhe tre anëtarët e fisit Fufi u arrestuan nga Policia pas përplasjes që ndodhi mesditën e së martës në Mamurras. Sipas variantit zyrtar të ngjarjes, një grup personash u ka dalë para efektiveve të Policisë pasi kishin lënë turnin e shërbimit dhe dyshohet se shtetasi Nikoll (Fufi) Vorfi ka goditur me sende të forta efektivin e Policisë, David Madani.

Në këtë moment, efektivi i Policisë ka qëlluar me armë zjarri, duke bërë qitje të pakontrolluar e për pasojë mbeten të plagosur dy kolegët e tij, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, si dhe njërin nga agresorët, Nikoll (Fufi) Vorfi.

Sulmi ndaj Policisë erdhi pasi në orët e mëngjesit blutë kishin ushtruar kontroll në lokalin e një pjesëtari të fisit Fufi me dyshimin se aty kishte lojëra fati të paligjshme.

Ndaj efektivit të Policisë David Madani janë ngritur akuzat “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”. Ndërsa tre anëtarët e fisit Fufi akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

Sipas Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, këta tre shtetas kanë goditur me sende të forta punonjësin e Policisë, David Madani, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën.

Në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi (Fufi) dhe dy kolegët e tij, punonjësit e Policisë, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura