“Qëllimi ishte destabilizimi”- Kurti: Kisha dijeni për tri atentatet ndaj meje, por ndihem i sigurt

Sep 22, 2022 | 8:14
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për herë të parë se ai ka qenë në dijen të planeve për tri atentate kundër tij, por konfirmoi se ndihet i sigurt.

kurti

Teksa foli për informacionet e publikuara nga “Homeland Justice” nga hakerat që nxorën të dhënat nga email-et drejtuar ishkryepolicit Gledis Nano, Kurti u shpreh se nuk e di sa i sigurt është, pasi këtë e dinë institucionet e sigurisë që marrin edhe masat përkatëse. Sipas kryeministrit Kurti, qëllimi i planeve për atentate kundër tij ka qenë frikësimi i popullsisë dhe destabilizimi i vendit.

“Sa jam i sigurt nuk e di, por unë mundem t’iu konfirmoj se ndihem i sigurt. Ndërkaq sa jam i sigurt e vendosin organet e sigurisë që i marrin masat adekuate. Është e vërtetë që unë kam qenë në dijeni të planit për ato tri atentatet, por e keni parë edhe nga informacioni që ka dal, se qëllimi ishte frikësimi i popullsisë, destabilizimi i vendit”, tha Kurti.

Pas këtij lajmi të publikuar, reagoi edhe zyra e shtypit e Kurtit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në reagimin për “Euronews Albania”.

Kujtojmë që pas publikimit të email-eve të ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano, u gjet një dokument ku Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë raportonte se kishte zbuluar një plan për të vrarë Kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Në dokumentet e vitit 2021, theksohej se Njësia kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet. Sipas email-it thuhet se gjithçka duhet bërë për të sjellë destabilizim në të dyja vendet.

I dyshuari për atentatin del se është Prek Kodra nga Shqipëria, i cili thuhet se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Ndërsa pas tyre, do të vritej Kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën.

Këto tri vrasje ishin planifikuar të kryheshin në harkun kohor të tre muajve të ardhshëm që nga hartimi i planit. Prek Kodra dyshohet i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Kosovë dhe Mal të Zi. Kodra rezulton me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura