Që SPAK-u të mos vdesë pa lindur…

Jan 26, 2020 | 12:24
SHPËRNDAJE

ZEF PREÇI

zef preci

Sikurse dihet, mbi bazën e ligjit 95/2016, tashmë është duke u ngritur Njësia  Speciale Kundër Korrupsionit, e njohur ndryshe si SPAK. Ky institucion do të përbëhet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësia e Pavarur Hetimore, ndryshe e quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme.

Sipas Nenit 4 të këtij ligji, Prokuroria e Posac’me “…ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës se Shkallës së Pare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe Gjykatës së Lartë, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj”. Nëse hedhim vështrimin në objektin e veprimtarisë së Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit të Rumanisë (DNA) të krijuar me 2002 – agjencisë model për SPAK-un tonë dhe në vendet fqinje ku po zbatohen Reforma në Drejtësi, nuk mund të mos vësh re një ndryshim, që mendoj se do të bëhet së shpejti shumë problematik në efikasitetin dhe rezultatet e kësaj agjencie.

Kështu, DNA – Agjencia e specializuar e Ndjekjes së Antikorrupsionit në Rumani – trajton në mënyrë të përqendruar dhe është e specializuar në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të mesëm, që me parë trajtoheshin në të gjitha zyrat e Prokurorisë dhe inspektorateve policore të atij shteti. D.m.th., krijimi i njësisë së posaçme lidhet me përdorimin në mënyrë të përqendruar të burimeve në dispozicion për specializimin, trajnimin dhe ato teknike. D.m.th., nga një krahasim i thjeshtë i fokusit të veprimtarisë vihet re një ambiguitet dhe mungesë prioritetesh në agjencinë tonë që po merr formë këto ditë. SPAK ka një juridiksion formalisht më të gjerë dhe të papërcaktuar mjaftueshëm…

Detaji i dytë në ngjashmëritë dhe dallimet midis DNA rumune dhe SPAK-ut shqiptar ka të bëjë me përcaktimet ligjore sa u takon kritereve, mbi bazën e të cilave agjencia e ushtron aktivitetin e saj. Sipas ligjit rumun, DNA e ushtron veprimtarinë e vet mbi tri kriteret baze, që janë: a) pozicionet publike që mbajnë personat që dyshohet se kanë kryer një vepër korruptive; b) vlera e dëmit të shkaktuar; c) vlera e ryshfetit të dhënë ose të marrë. Ndërsa ligji për SPAK-un shqiptar mjaftohet me përcaktimin e mësipërm, duke theksuar se në cilat institucione Prokuroria e Posaçme përfaqëson akuzën si dhe pavarësinë e saj në procesin hetimor si prerogativa kushtetuese.

Nisur nga njoftimet e shtypit të javëve të fundit nuk mund të mos vihen re dy tendenca kontradiktore në raport me SPAK-un, që, sipas mendimit tim, shkojnë përtej parashikimeve ligjore e kushtetuese, por edhe përkundër interesit publik. Kështu, në këto njoftime, vihet re se në mjaft raste prokuroria dhe gjykatat, veçanërisht prokurorët që nuk i janë nënshtruar procesit të vetingut, po nxitojnë të “kopsitin letrat”, d.m.th., të mbyllin çështje, që në mënyrë krejt të natyrshme mund dhe duhej të ishin nën juridiksionin e SPAK-ut. Këtu bëjnë pjesë edhe makro-çështje të diskutuara në vite, apo çështje për të cilat ka një dyshim të gjerë publik për favorizimin ndaj elitës politike dhe individëve të korruptuar në radhët e vendimmarrësve dhe ligjvënësve të saj.

D.m.th., po nxirren jashtë juridiksionet e SPAK-ut, çështje që përfshijnë autoritete të larta shtetërore, çështje për të cilat dyshohet se janë shkaktuar dëme të mëdha në buxhetin e shtetit dhe në menaxhimin e aseteve publike si dhe përfliten dhe dyshohen përfitime korruptive në shuma të mëdha monetare. Tendenca e dytë e dukshme e kohëve të fundit ka të bëjë me “furnizimin” e SPAK-ut me çështje periferike, të dorës së fundit, deri edhe te korrupsioni i dyshuar i ndonjë inspektori të mjedisit, punonjësi të universitetit apo ndonjë polici rrugor që pranon 1 mijë lekë ryshfet për të mos ndëshkuar një shkelje që bën drejtuesi i mjetit etj.

Të dyja këto tendenca – largimi nga juridiksioni i SPAK i çështjeve me interes publik, pa folur për çështje që meritojnë të rihapen edhe sikur të ishin mbyllur me herët) dhe përcjellja drejt SPAK-ut e çështjeve, që normalisht duhet të trajtoheshin nga Prokuroria e zakonshme – mund të lexohen edhe si qëllime djallëzore të elitës politike “për të lëvizur gjithçka, duke mos lëvizur asgjë” apo “për t’u hedhur hi syve” qytetarëve, duke u mjaftuar thjesht me kapjen politike të institucioneve të reja të drejtësisë. Qytetarët, siç tregojnë edhe shifrat e braktisjes së vendit gjatë dekadës së fundit, nën presionin e varfërisë dhe të keqqeverisjes, kanë humbur shpresën dhe nuk e teproj të them se SPAK-u shihet për shumicën e tyre si një mjet i ligjshëm për të rikthyer normalitetin demokratik si dhe për të stabilizuar funksionimin e institucioneve të vendit.

E thënë ndryshe, pa ndëshkimin sipas ligjit të zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin, pa rikthimin në buxhet të shumave të grabitura nga taksat dhe asetet publike prej tyre, pa krijuar një mentalitet të shtetit që ndëshkon mbi bazën e ligjit dhe jo mbi bazën e urdhrit të shefit siç është sot, vështirë se ky vend mund të bëhet i jetueshëm…

Përfitoj nga rasti për t’i bërë një ftesë publike Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që me urgjencë të angazhohet në përgatitjen e akteve përkatëse në ndihmë të funksionimit të SPAK, duke përfshirë edhe përcaktimin e kritereve, mbi bazën e të cilave ky institucion duhet të ushtrojë juridiksionin e vet. Nëse do të jetë e nevojshme edhe përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë, kjo duhet bërë pa humbur kohë. Përndryshe, të gjithë duhet të bëhemi gati për një situatë të zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të keqqeverisjes, korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe më të keqe nga kjo e sotmja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura