Qasje e re ekonomike midis dy krizave

Apr 1, 2021 | 10:16
SHPËRNDAJE

anastas angjeli

AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

Kriza ekonomike globale e vitit 2008- 2012 dhe ajo aktuale e shkaktuar nga Pandemia e Covid-19, vunë në lëvizje mendimin ekonomik, duke sjellë “një qasje te re ekonomike”. Për më tepër evoluimi i mendimit ekonomik dhe drejtimi drejt një qasje më të re, në situatën aktuale, nuk po ndalet.

PSE NJË QASJE E RE EKONOMIKE PAS KRIZËS SË VITIT 2008?

Një dekadë më parë, kriza financiare shkundi jo vetëm sistemin ekonomik në botë, por të tërë besimin që politikëbërësit kishin mbi atë sesi do të menaxhonin krizën. Që prej kësaj dekade ndryshime të rëndësishme janë bërë dhe vazhdojnë.

Analiza ekonomike është sofistikuar më tej dhe qasje të reja janë duke u zbatuar. Pas krizës së vitit 2008-të, vënia përballë me fenomenet e reja të shfaqura në fushën ekonomike e sociale u bë më e dukshme.

Këto fenomene si: përshpejtimi i krizës mjedisore, ndryshimi i shpejtë teknologjik dhe inovacioni, automatizimi dhe veçanërisht inteligjenca artificiale, (shoqëruar me debate të mëdha në lidhje me ndikimin e teknologjive të reja për çështje që variojnë nga demokracia te tregu i punës apo shëndeti publik) etj., modelet e reja të globalizimit që u shfaqen, trendet e reja të ndryshimeve demografike, pabarazitë në rritje në shumicën e vendeve gjatë dekadave të fundit, dhe vetë kriza financiare e vitit 2008, që ekspozoi defekte serioze jo vetëm në rregullimin financiar, por në formën e rritjes së bazuar në kredi, krijuan një panoramë të “zymtë” dhe bënë të lindnin debate të ndryshme, veçanërisht për një qasje të re ekonomike. Dhe kështu ndodhi. Nuk është për t’u habitur që politikanët dhe komentuesit, nga e gjithë spektri i politikës – për të mos përmendur shumë votues – vunë në dyshim nëse politikat ekonomike aktuale dhe konvencionale janë të mjaftueshme për të adresuar sfidat dhe problemet, me të cilat përballen vendet e tyre.

Shumë nga politikat, të cilat janë zbatuar në shumë vende, jo vetëm gjatë dekadës së fundit, por gjatë dyzet viteve të fundit, duket se nuk ishin më në gjendje të përmirësonin rezultatet ekonomike dhe sociale në mënyrat që premtonin dikur. Nga ana tjetër, politikat e zbatuara të tregut të punës nuk kanë qenë në gjendje të mbështesin tërësisht kërkesën për punë që kërkojnë pak aftësi përballë automatizimit dhe globalizimit, ose kundërshtojnë ndarjen midis punëve të sigurta dhe atyre të pasigurta. Politikat e rishpërndarjes së mirëqenies kanë parë efektivitetin e tyre të reduktuar dhe nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kundërshtuar rritjen e pabarazive; politika mjedisore nuk ka arritur të parandalojë rrezikun katastrofik. Politika e konkurrencës nuk ka ecur në hap me rritjen e kompanive monopole me operacione përtej kufijve kombëtarë. Ndërkaq, vazhdojnë të kërkohen qasje të reja nëse eliminohet rreziku sistemik nga sistemi financiar. Megjithatë, rritja ekonomike ka vazhduar të jetë qëllimi kryesor i politikës ekonomike, nga ku supozohet se objektivat e tjerë do të rrjedhin. Konsumi i materialit është marrë si tregues i përparimit dhe zhvillimit. Barazia dhe elementet mjedisore janë trajtuar “pas ngjarjes” sesa pjesë e politikës ekonomike. Në periudhën para krizës financiare, ky model ekonomik (shpesh përshkruhet si Konsensusi i Uashingtonit) u ndikua fuqimisht nga një formë e veçantë e analizës ekonomike. Bazuar në një “version ortodoks” i teorisë ekonomike “neoklasike”. Kjo i dha përparësi funksionimit të tregjeve të liberalizuara si mënyrë për të optimizuar mirëqenien ekonomike, dhe kjo ishte përgjithësisht skeptike ndaj ndërhyrjes së qeverisë. Çrregullimi i llojeve të ndryshme u favorizua gjerësisht. Gjatë dekadës së fundit, ekonomistët dhe politikëbërësit kanë pranuar që modeli ortodoks neoklasik ka kufizime, duke pranuar se tregjet e liberalizuara nuk janë gjithmonë efikase dhe dështimet e tregut mund të jenë domethënëse. Ata e kanë parë të domosdoshme nevojën për ndërhyrje të qeverisë, në fusha të tilla si fuqia punëtore, politikat rajonale dhe ato të tregut të punës, si dhe në politikën monetare dhe financiare. Brenda fushave të ekonomisë dhe ekonomisë politike, dekada e fundit ka parë lulëzimin e formave të tjera, më të thella të rimendimit. Gjithashtu, teori ekonomike, dëshmi dhe teknika të reja janë zhvilluar, të cilat ofrojnë mënyra më të pasura për të kuptuar se si ekonomitë funksionojnë, dhe si mund të bëhen që të funksionojnë më mirë. Metodat dhe modelet analitike të bazuara në fuqitë e reja te mbledhjes së të dhënave dhe informatikës, për shembull, kanë hapur njohuri jo të disponueshme për brezat e mëparshëm. Të marra së bashku, një ekonomi e shekullit të 21-të ka filluar të shikohet më shumë për të ndihmuar hartuesit e politikave të gjejnë zgjidhje për problemet ekonomike të shekullit 21, me të cilat përballen tani. Debatet kanë qenë të thella dhe shumë është mësuar. Tani është e mundur të shihet sa prej përballjes me këto realitete të reja dhe se prej këtyre kritikave dhe eksplorimeve mund të afrohen mendimet për të krijuar “një rrëfim të ri ekonomik”.

Duke e parë më gjerësisht, kjo përbëhet nga tri elemente: 1) Një konceptim i ri i progresit ekonomik; 2)Kornizat e reja të teorisë dhe analiza ekonomike; 3)• Qasje të reja në politikën ekonomike

PROGRESI EKONOMIK-SOCIAL DHE SYNIMET E POLITIKËS EKONOMIKE

Për më tepër se shtatëdhjetë vite, rritja ekonomike (GDP) ka qenë synimi kryesor i politikës ekonomike dhe matësi kryesor i suksesit ekonomik thuajse në të gjitha vendet. Dhe me të drejtë: në pjesën më të madhe të kësaj periudhe, rritja e të ardhurave kombëtare ka nënkuptuar, njëhershmi, edhe rritjen e të ardhurave brenda shtëpisë (buxhetit familjar), dhe së bashku me to edhe të standardit mesatar të jetesës. Rritja ekonomike shtoi nivelin e punësimit, zvogëloi varfërinë, si dhe bëri të mundur që të ardhurat prej taksave të mund të financonin shpenzime më të larta të qeverive në shërbime publike. Në pjesën më të madhe të vendeve, në vitet ‘80, zhvillimi ekonomik u shoqërua me rënie të pabarazisë dhe me përmirësimin e cilësisë së mjedisit lokal, duke qenë se GDP-ja në rritje lejonte shfrytëzimin e më tepër burimeve për menaxhimin e ndotjes atmosferike dhe të ujit. Kështu që, ndërsa qeveritë kishin përherë një rrjet më të gjerë objektivash ekonomike sesa thjesht rritja e GDP-së, rritja ekonomike shërbente si njësi matëse për performancën e përgjithshme ekonomike. Një pohim i tillë sot do të ishte mjaft i vështirë për t’u bërë. Rritja ekonomike vazhdon të gjenerojë përfitime që lidhen me të ardhura më të larta kombëtare. Por, njëkohësisht, modelet dominuese të zhvillimit në vendet e OECD përgjatë dekadave të fundit kanë sjellë, gjithashtu, dëme të konsiderueshme.

Së pari, rritja e GDP-së u shoqërua gjerësisht me pabarazi gjithnjë e në rritje.

Në rrethana të tilla, ajo nuk u përkthye më në rritje të standardit të jetesës për ata që kanë të ardhura mesatare apo të ulëta. Në disa vende, normat e larta të varfërisë mbeten një shqetësim i vazhdueshëm..

Së dyti, rritja e GDP-së nuk ishte më në përpjesëtim të drejtë me rritjen e mirëqenies.

Studimi i mirëqenies ka përparuar tej mase përgjatë dekadave të fundit. Të ardhurat janë të rëndësishme, sidomos për ata që kanë të ardhura të ulëta. Por sot ne kuptojmë se perceptimi i njerëzve për një jetë të përmbushur dhe të begatë vjen gjithashtu nga një sërë faktorësh të ndryshëm: nga siguria dhe kënaqësia që përjetojnë në punë; shëndeti i tyre fizik dhe mendor, lidhjet sociale dhe marrëdhëniet personale dhe familjare; nga të mirat sociale që lidhen me nivelin e krimit dhe besimit në shoqëri, si edhe nga cilësia e shërbimeve publike, si për shembull ato që lidhen me shëndetin dhe arsimin. Asnjëra prej sa më lart nuk përmirësohet në mënyrë të vetvetishme përmes një GDP-je më të rritur, dhe madje shpesh ato mund të dëmtohen nga mënyrat se si gjenerohet – veçanërisht për ata me të ardhura më të ulëta dhe në pozicione më të pasigurta pune. Për pjesën më të madhe të njerëzve sot, GDP-ja në rritje nuk është më një njësi matëse e mjaftueshme për mirëqenien e tyre apo për punësim në rritje dhe zhvillimin ekonomik të shoqërisë.

Së treti, degradimi i rëndë mjedisor na detyron të pranojmë se modelet e sotme të rritjes ekonomike po kërcënojnë aftësinë tonë për të ruajtur standardet e tanishme të jetesës.

Ndaj edhe mendimi ekonomik beson se politikanët dhe politikëbërësit duhet të shkojnë “përtej rritjes”. Ata duhet të sigurojnë se, krahas rritjes së GDP-së, dhe falë saj gjithashtu, politika ekonomike po mbërthen një gamë të gjerë qëllimesh dhe mjetesh që do të çojnë në progresin ekonomik dhe atë social. Nuk mund të mbështetemi vetëm në rritjen ekonomike për të përmirësuar shoqëritë tona.

Në këtë këndvështrimin, katër synime për politikëbërjen ekonomike u renditen si parësore në periudhën para fillimit të krizës së Covid-19 dhe që mbeten aktuale si :- Qëndrueshmëria mjedisore; – Rritja e mirëqenies; – Rënia e pabarazisë; dhe- aftësia rimëkëmbëse e sistemit, kjo në kuptimin si aftësia e ekonomisë për të përballuar goditjet financiare, mjedisore ose goditje të tjera pa efekte katastrofike dhe që prekin të gjithë sistemin.

Vendet që kërkojnë të përmbushin këto katër synime, në vend që t’i japin rëndësi të madhe rritjes, do të bëhen pjesë e një rrugëtimi më të balancuar (si rrugëtimin e zhvillimit ku takohen nevojat e njerëzve me ato të planetit), të zhvillimit ekonomik dhe social, me rezultate më të drejta si për brezin e së kaluarës, edhe për atë të së ardhmes. Tanimë është e qartë gjithashtu se pabarazia ka prirjen t’i bëjë ekonomitë më të paqëndrueshme, pasi kursimet më të larta të të pasurve kanalizohen në asete financiare dhe të pasurive të patundshme të prirura ndaj paqëndrueshmërisë. Ekonomitë më të pabarabarta kanë statistikisht prirjen të kenë periudha më të shkurtra të rritjes. Edhe në aspektin politik, rritja e pabarazisë është pasqyruar në politika që anojnë ndaj të pasurve, duke përfshirë (për shembull) presionet për të ulur taksat. Nga ana tjetër, ata priren të zvogëlojnë shpenzimet në të mirat publike, si arsimi, shëndetësia dhe kujdesi për fëmijët, të cilat mund të përmirësojnë potencialin prodhues të ekonomisë. Kjo tregon se ekonomitë që karakterizohen nga pabarazia janë më pak të suksesshme se ato që karakterizohen nga barazia.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se drejtësia dhe begatia ecin krahë për krahë. Nëse ulja e pabarazisë mund të nxisë rritjen, ajo gjithashtu ka një ndikim të rëndësishëm si në mirëqenien sociale, ashtu edhe në atë individuale. Ka tri aspekte thelbësore për këtë proces që të zbatohet në praktikë. E para është miratimi i një game më të gjerë të treguesve kryesorë ekonomikë për të drejtuar politikëbërjen. Dihet tanimë që GDP-ja nuk është një njësi matëse më e mirë e performancës së përgjithshme ekonomike.

Ajo nuk përfshin shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë; mbërthen vetëm lëvizjet e të ardhurave dhe jo kapitalet stok që i gjenerojnë ato; nënvlerëson shërbimet me çmim të papërcaktuar dhe të pa prekshme; injoron punën e papaguar; nuk arrin të masë degradimin e mjedisit; nuk është treguesi i duhur për mirëqenien. Kjo përfshiu nevojën e përdorimit të një “paneli” treguesish kyç, përfshirë matjet e sigurisë ekonomike, mirëqenien subjektive, cilësinë e mjedisit dhe të mirat publike.Por miratimi i një sërë treguesish nuk është i mjaftueshëm. Duhet të shndërrohen në njësi matëse të pranuara të suksesit të politikëbërjes ekonomike. Prandaj, shkuarja “përtej rritjes ekonomike” duhet të jetë një qëllim i qartë politik, dhe, për rrjedhojë, të pasqyrohet në një rrëfim dhe ligjërim të ri publik mbi natyrën e progresit ekonomik dhe shoqëror.

Së fundmi, dhe më e rëndësishmja, treguesit e rinj ekonomikë duhet t’u bashkëngjiten politikave të hartuara për t’i përmirësuar ato. Është i pavlerë adoptimi i masave të reja të performancës, nëse më pas nuk ke mekanizmat për t’i diktuar ato. Treguesit shumëdimensionalë kërkojnë një “menu” më të sofistikuar politikash. Pjesa më dërrmuese e politikës ekonomike bëhet nga qeveritë kombëtare, por ky proces ka gjithashtu një element thelbësor ndërkombëtar. Në një ekonomi të globalizuar të zinxhirëve të ndërlikuar të furnizimit dhe marrëdhënieve tregtare, modelet e prodhimit dhe konsumit në një vend ndikojnë fuqishëm te të tjerët dhe shumë rezultate ekonomike nuk mund të përcaktohen vetëm përmes nismave kombëtare. Pra, ekziston një nevojë jetike për të arritur marrëveshje të reja ndërkombëtare dhe mekanizma koordinimi në fusha të tilla si, degradimi i mjedisit, standardet e punës dhe politika tatimore, që mund të garantojnë se qëllimet ekonomike të një vendi nuk mund të përmbushen në kurriz të të tjerave dhe se politika kombëtare rritet nga bashkëpunimi ndërkombëtar.

PERTEJ RRITJES: QASJE TE REJA NDAJ POLITIKAVE EKONOMIKE

Në pjesën më të madhe të kohës përgjatë 40 viteve të shkuara, qasja dominuese ndaj politikëbërjes ekonomikem në pjesën më të madhe të vendeve, ka qenë e fokusuar mbi çështjet e “supply side”, mbështetjes së ekonomisë.. Por, megjithëse mbështetja dhe politikat e përmirësuara janë tejet të rëndësishme, sot besojmë se ato nuk janë të mjaftueshme për të adresuar sfidat aktuale ekonomike. Duhet t’i kushtojmë vëmendje mënyrës sesi motori i ekonomisë funksionon në vetvete.

Kjo, për arsye se problematikat dhe sfidat më të mëdha gjenden në modelet e investimeve dhe formave të prodhimit. Nëse duam të arrijmë objektivat e reja ekonomike që kemi përcaktuar, qëndrueshmëria mjedisore, mirëqenia e përmirësuar, me shume kujdes për shëndetin dhe arsimin, një ulje e pabarazisë dhe një qëndrueshmëri më e madhe, duhet të ndërtohen në strukturat e ekonomisë që nga fillimi, jo thjesht si nënprodukt apo si diçka e shtuar më pas.

E dyta, është jetike që të hartohen politika integrale.

Kjo fillon me miratimin e treguesve të performances ekonomike dhe mirëqenies, të cilat japin një panoramë të gjerë të objektivave ekonomike dhe sociale për të cilën politika duhet të lëvizë përtej kornizave tradicionale.

E treta, politika e qëndrueshmërisë mjedisore paraqet sfidën më akute dhe urgjente në këto aspekte. Gjithashtu, inovacioni dhe politika industriale do të duhet që të luajnë një rol kyç. Duke u “orientuar nga misioni”.

Ky është momenti i duhur që të ketë një politikë industriale më aktive të mbështetur nga një politikë makroekonomike më aktive. Përmirësimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë  përmes rregullave më të forta financiare mbetet, gjithashtu, një përparësi e rëndësishme. 

Megjithëse periudha që nga kriza financiare ka çuar në një rregullim më të rreptë të institucioneve financiare të caktuara, shumë analistë paralajmërojnë që sistemi financiar në tërësi mbetet i brishtë. Sfida të tjera për për politikëbërësit, sidomos çështjet në pronësinë e pasurisë, e cila në shumë vende është bërë më e përqendruar gjatë dekadës së fundit, Tashmë po argumentohet gjerësisht se pasuria dhe të ardhurat nga pasuria duhet të tatohet më mirë. Ulja e pabarazisë do të kërkojë vëmendje të veçantë për politikat e tregut të punës,  për të menaxhuar më mirë proceset e automatizimit, duke u siguruar që përfitimet e një produktiviteti më të lartë nuk u takojnë thjesht pronarëve të kapitalit, por edhe punonjësve.

Ideja kyçe qëndron në faktin se ekonomitë dhe politika ekonomike duhen të kuptojnë qartë aspektet sociale të jetës njerëzore. Njerëzit nuk janë thjesht përfitues dhe kërkues të të mirave materiale sipas mitit të ekonomisë tradicionale.

Njëhershmi, zhvillimet e fundit kanë diktuar faktin që një regjim i ri i qeverisjes globale nevojitet me urgjencë. Pavarësisht proceseve të globalizimit, çdo vend do të mbajë historinë, kulturën dhe institucionet e veta dhe nuk ka asnjë model që i përfshin të gjitha këto. Por kudo, pa dyshim që do të duhet shumë kurajë dhe imagjinatë politike. Të tilla ndryshime do të kërkojnë reforma të qenësishme institucionale.

Mund të nevojitet një rol me ndryshe i shtetit. Në vitet e fundit, një numër i madh njerëzish në këtë fushë kanë kërkuar të eksplorojnë mënyrën sesi qeveritë moderne mund të ofrojnë më shumë siguri për qytetarët e tyre. 

Është e vështirë për politikëbërësit ekonomikë të shpalosin një transformim themelor në mënyrën e të bërit politika. Por ky lloj ndryshimi ka ndodhur dy herë përgjatë shekullit të kaluar. Rreth viteve 1940, menjëherë pas “Ëall Street Crash”, rënies së Ëoll Strit dhe Depresionit të Madh “Great Depression”, ekonomia mbizotëruese e tipit “laissez faire”, e cila kishte dominuar analizën dhe politikëbërjen në periudhën pararendëse u zëvendësua. Teoria ekonomike kejnesiane ofroi një mënyrë më të mirë të të kuptuarit sesi ekonomia mund të rigjallërohet dhe sesi politikat ekonomike të punësimit dhe shtetit social fituan mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik. Por ky konsensus i pasluftës u rrëzua përgjatë krizës së rreth viteve 1970 dhe si rrjedhojë u zëvendësua. Modeli i tregut të lirë ose “neoliberal” u zhvillua nga ekonomistë si Milton Friedman dhe Friedrich Hayek dhe dukej të ofronte një analizë më të mirë ekonomike dhe një dinamikë më të mirë të përshkrimit të politikave. E adoptuar fillimisht (dhe me plotësisht) nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequra përkatësisht nga Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher, ky model i orientuar drejt tregut në forma të ndryshme mund të aplikohej gjerësisht nga vendet e OECD-së përgjatë dekadave të ardhshme. Shkencëtarët e shkencave sociale i përshkruanin këto momente të ndryshimeve ekonomike si “paradigm shifts” (ndryshime të paradigmave), periudha kur elementët e vjetër të trashëguar nuk mund të shpjegonin ose ofronin zgjidhje politikash për të përmbajtur krizën dhe zëvendësoheshin nga politika të reja. Pra, ka ardhur koha për të pasur këtë ndryshim të paradigmave. Kornizat dhe përshkrimet, të cilat kanë dominuar politikëbërjen në dekadën e fundit, nuk janë më në gjendje të gjenerojnë zgjidhje ndaj probleme dhe sfidave me të cilat përballemi sot. Tashmë nevojiten ndryshime thelbësore dhe jo sipërfaqësore. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Nuk ka asnjë recetë të gatshme që të përfshijë të gjitha rrethanat. Çdo vend është i ndryshëm dhe mund të kërkojë të gjejë zgjidhjet e veta. Por duke pasur një sasi të madhe informacioni dhe të kuptuarit që ekziston në botën akademike të ekonomisë dhe politikëbërjes, zgjidhjet mund të gjenden aty.

VERSIONE TE REJA TE ANALIZES EKONOMIKE. Për një periudhë rreth tridhjetë vjeçare deri në krizën financiare të vitit 2008, modeli mbizotërues i rritjes ekonomike në vendet e zhvilluara mbështetej, në një masë të konsiderueshme, në një formë shumë të veçantë të teorisë ekonomike neoklasike.

Më e rëndësishmja e kësaj teorie ishte një supozim i sjelljes ekonomike “racionale”. Individët rritën përfitimet e tyre, duke u bazuar në preferencat e formuara jashtë procesit ekonomik, po ashtu edhe bizneset kërkuan të rrisnin fitimet e tyre.

Teoria neoklasike ortodokse pranoi ekzistencën e “dështimit të tregut”, ku tregjet konkurruese nuk prodhojnë rezultate optimale për shkak të ekzistencës së eksternaliteteve (të tilla si degradimi i mjedisit) ose të mirave publike (të tilla si shkenca ose mbrojtja).

Disa dështime të tregut justifikuan një sërë ndërhyrjesh të qeverisë, nga taksat mjedisore në sigurimin publik të shërbimeve të tilla si arsimi, shëndetësia, policimi në komunitet, kërkimi dhe zhvillimi. Por modeli neoklasik gjithashtu vuri në dukje se qeveritë mund të dështojnë: shtetet mund të kapen nga interesat e zyrtarëve ose politikanëve të tyre, ose thjesht nuk kanë njohuri apo kapacitet për të përmirësuar sjelljen e tregut. Si rezultat, formula ekonomike e bazuar në analiza standarde neoklasike kishte tendencë të ishte skeptike në lidhje me rolin e qeverisë në përpjekjen për ta drejtuar ekonominë drejt qëllimeve të tjera nga ato të përcaktuara nga tregjet ekzistuese dhe eksternalitetet e përcaktuara mirë.

Shumica e ekonomistëve tani këmbëngulnin (siç shumë kishin bërë prej kohësh) se lloje të ndryshme të metash në treg janë të pashmangshme dhe detyra e ekonomistëve është të kuptojnë se si ato ndikojnë në sjelljen dhe rezultatet ekonomike. Është vërejtur gjerësisht, për shembull, se kriza minoi “hipotezën e tregjeve efikase”, e cila kishte raportuar më parë çrregullime financiare.

Prandaj, modelet makroekonomike janë modifikuar për të përfshirë lloje të ndryshme të institucioneve financiare, ngurtësitë dhe dëmet të llojeve të ndryshme, me të cilat u përballën.

Tani është pranuar gjerësisht se tregtia e lirë dhe integrimi më i thellë në tregjet globale, veç anëve pozitive, mund të ketë pasoja të pafavorshme mbi grupe të veçanta të punëtorëve, sektorë dhe bashkësi gjeografike, dhe se për këtë nevojiten politika kundërbalancuese.. Këto zhvillime dhe të tjera si ato janë të mirëpritura. Por nuk janë zhvilluar ende aq sa duhet. Sepse ekonomia ka ndryshuar në mënyra më të dukshme gjatë dekadave të fundit. Në të gjithë këtë varg çështjesh, ekonomistët që punojnë në tradita joortodokse – në shumë raste të raportuara nga shkenca të tjera shoqërore – kanë zhvilluar teori të reja dhe sisteme analitike, të cilat mund të shpjegojnë më së mirë mënyrën, në të cilën funksionojnë ekonomitë moderne edhe pse jo shpesh. Disa nga zhvillimet kryesore të sotme lidhen me sjelljen ekonomike; tregjet, institucionet dhe fuqinë e tyre; evolucionin dhe kompleksitetin; financat dhe makroekonomia; mjedisi natyror; pabarazia; gjinia (barazia gjinore); etika dhe roli i shtetit etj. Janë këto çështje të mendimit ekonomik, të cilat sot po zhvillohen me shpejtësi.

Gjatë dekadës pas krizës së vitit 2008, dhe jo vetëm, ekzistonte një hapësirë e konsiderueshme për të përdorur “ekonominë e re” në ndjekje dhe zbatim të këtyre politikave. Dhe kështu ndodhi. Por kriza dhe recensioni ekonomik nga pandemia Covid-19 e frenoi për një çast, për të rifilluar me një “qasje edhe më të re”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura