Pyf!

Sep 27, 2015 | 13:02
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

EDMOND TUPJA
EDMOND TUPJA
Që në krye të herës, po e pranoj që një tjetër titull i këtij shkrimi mund të kishte qenë, për shembull, “Nga habia te neveria”. Nga habia, sepse në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike po ndodhin vërtet çudira, d.m.th. ca dukuri të përbuzshme që siç e theksoja të dielën e shkuar, ia bëjnë muuuuuuuuuuu e që po na diskreditojnë jo vetëm në sytë e botës, por edhe në sytë e vetvetes, e kam fjalën për ata shqiptarë që, të paktën, ende kanë sy e veshë, moral e ndërgjegje.

Ndërkohë, një ortek mediatik të papërmbajtshëm ose, më saktë një cunam të frikshëm shkaktoi raporti i OSBE-së që vë në dukje “korrupsionin e përmasave të mëdha që ka kapur qeverisjen e vendit (…), kriminalitetin që po i merr anën politikës (…), paratë e narkotrafikut dhe të veprimtarive të tjera kriminale që po investohen për zbardhje dhe karrierë politike të autorëve në aulën e Parlamentit, në elitat e partive politike etj.” siç shprehej para tetë ditësh në faqen e parë të gazetës “Panorama” shkrimtari e analisti Preç Zogaj.

Në këtë rrethanë tronditëse, lexuesi i vëmendshëm, por i shqetësuar i rubrikës sime, me siguri do të ketë kaluar pikërisht nga habia te neveria kur ka mësuar që zv/kryeministri i vendit, po sipas gazetës “Panorama” të së dielës së shkuar, kishte deklaruar gjatë një prononcimi për mediat në selinë e PS-së se qeveria nuk do të mbajë qëndrim lidhur me raportin në fjalë, çka do të thotë se nuk do të reagojë fare ndaj akuzave që rëndojnë mbi kreun e legjislativit dhe mbi atë të ekzekutivit (ndërkohë që, disa ditë para atij, një deputet socialist shumë pranë Kryeministrit kishte shkuar edhe më larg duke u shprehur se prania e OSBE-së s’qenka më e nevojshme në Shqipëri).

Mos vallë zoti zv/ kryeministër shpreson se, edhe në rastin në fjalë, do të funksionojë proverbi “Çudia më e madhe nuk zgjat veçse tri ditë” duke harruar se qershorin e ardhshëm do të bëhen tre vjet që po kalojmë nga çudia në çudi dhe, tani së fundi, nga habia te neveria? Nga habia te neveria… Pyf, thotë shqiptari në jetën e përditshme, kur diçka e neverit. Ashtu siç thotë kur ndien rreth e rrotull një erë të keqe, një kutërbim që të sjell zorrët në fyt.

Pyf!… Gjithsesi, s’mund të pritej gjë pas bëmave që kanë bërë muuuuuuuuuuu këto ditët, muajt, vitet e fundit. Oh, sigurisht, ka bashkatdhetarë të mi që kanë mbyllur sytë tek shihnin gjëra që bëjnë mu, që kanë futur gishtat në veshë kur dëgjojnë gjëra që ia bëjnë sërish mu, por tani që sytë i kanë të mbyllur dhe veshët të zënë, ndërkohë që duart nuk i kanë më të lira, si t’ia bëjnë për të zënë hundët?

Pyf! Pyf! Tri herë pyf! E pabesueshme duket, por mjerisht është e vërtetë: diçka po qelbet madhërisht e triumfalisht në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike! Po qelbet? Oh, u shpreha paksa gabim, sepse, në fakt, duhet thënë e shkruar se diçka është qelbur përfundimisht, fund e krye, kokë e këmbë, kryekëput mes një shkëlqimi vrastar të papërfytyrueshëm!

Pyf! Pyf! Tri herë pyf! Pa dashur të fyej ndonjë njeri, le të më lejohet të pohoj se pasthirrma “pyf” më kujton kohën kur shkoja në kopshtin e fëmijëve nr. 3 te rruga “Hoxha Tahsin” e kryeqytetit. Një ditë, njëri prej moshatarëve të mi nuk arriti të shkonte në nevojtore dhe e lëshoi drejt e në brekë, çka i bëri fëmijët e tjerë aty fare pranë të thërrisnin duke zënë hundët “Pyf, era zylyf!”.

U kërkoj ndjesë lexuesve e sidomos lexueseve të këtij shkrimi për këtë hollësi skatologjike, por fajin e ka raporti i OSBE-së që krijoi tërë këtë pështjellim politik e veçanërisht moral në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, ku korrupsioni, trafiqet dhe allishverishet e neveritshme kanë prekur deri në palcë klasën politike me në krye qeverinë aktuale dhe kanë tanimë një kumbim ndërkombëtar të parfumuar me zylyf, i cili, po të vazhdojë edhe ca kohë, rrezikon të kthehet në një kumbim ndërplanetar me pasoja për tërë Galaktikën tonë. Pyf! Pyf! Tri herë Pyf! S.O.S. Era zylyf!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura