“Pusulla të Verdha”, Vera Bekteshi me një roman për njerëzit me aftësi ndryshe

Apr 22, 2022 | 10:39
SHPËRNDAJE

Me romanin e ri “Pusulla të Verdha”, Vera Bekteshi bëhet e para grua që fiton çmimin letrar “Kadare”, akorduar nga Universiteti Europian i Tiranës. Një libër që vjen si dedikim për të birin, veten dhe plagët e tranzicionit. Një mesazh dashurie për të ndryshmin.

vera bekteshi

Jo vetëm përjetimet e gjalla të së kaluarës, që e rrëmbeu dhunshëm nga Blloku dhe e përplasi në fshatrat humbur në internim. Vera Bekteshi sjell plagët e tranzicionit në librin e saj më të ri, me të cilin u shpall fituese e Çmimit letrar “Kadare”, akorduar nga Universiteti Europian i Tiranës.

Tri herë finaliste, Vera Bekteshi bëhet kështu e para grua që fiton këtë çmim pas shkrimtarëve si Rudolf Marku, Musa Ramadani, Virgjil Muçi e të tjerë.

Libër të vështirë e cilësoi vetë shkrimtarja Vera Bekteshi romanin e saj më të ri, duke zbuluar se iu deshën katër vite ta sillte në jetë.

“‘Pusullat e Verdha’, ia kushtoj njeriut që njoh më shumë, që ka mbetur i dëlirë, megjithëse mbush 49 vjeç këtë pranverë”, u shpreh shkrimtarja në një dedikim për të birin, Arturin, duke zbuluar ngjashmërinë hera-herës me personazhin kryesor të romanit.

Shkrimtarja zbuloi atë që e quajti tërheqje fatale për njerëzit me aftësi ndryshe, të cilët vijnë në këtë libër përmes një mesazhi emancipues. Ata me inteligjencë të epërme apo ata që ia dilnin të mbijetonin në kushte ekstreme me dinjitet, si të përmbysurit nga regjimi, dha ajo hollësi të mëtejshme, historia personale e së cilës u ngjet këtyre të fundit.

Histori që Bekteshi e ka përshkruar me detaje në romanet e saj “Vila me dy porta” dhe botimin e më vonë “Vila me tri porta”. Duke ia lënë në dorë lexuesit të nxjerrë mesazhet nga ky libër, ajo theksoi dëshirën që i pari mesazh të ishte dashuria. “Dashuria dhe vëmendja e ndershme që duhet t’u japim personave me aftësi ndryshe, familja, shoqëria, mjekët, shtetit në tërësi dhe institucionet përkatëse në veçanti”. Ndërsa tërhoqi Çmimin letrar “Kadare”, akorduar në Universitetin Europian të Tiranës, mbrëmjen e 21 prillit, shkrimtarja ndau një kujtim me shkrimtarin Ismail Kadare.

Kam pasur një rrugë vërtet të mundimshme drejt këtij çmimi të rëndësishëm. Të rëndësishëm sepse mban emrin e shkrimtarit më të shquar të gjithë shqiptarëve.

Rreth viteve 2000, kur isha për vizitë te çifti Kadare, në një nga kthimet e tyre gjithnjë e më të shpeshta në atdhe, pata pyetur Ismailin se nëse filloj të shkruaj, çfarë duhet të kem më shumë parasysh? Ai m’u përgjigj në çast, se ato janë detajet. “Rëndësi ka të japësh detaje”, – përsëriti.

Them se e kam pasur gjithnjë parasysh në këto vite shkrimtarije, gjatë të cilëve librat e mi arritën tri herë në finishin e finales së çmimit, por veçse kësaj here, romani “Pusulla të Verdha”, preu shiritin.

S’besoj se ka arsye për të shkruar një roman, por nëse ka shtysa të fundit ma dha ime motër, kur para katër vitesh më tha të mos vërsillesha më kot me tema të njohura, sepse, sipas saj, më kishte ardhur koha të shkruaja një libër emancipues për një temë delikate, edhe pse e rrahur nga të tjerë më parë. Po do ta qëndisësh, – më tha ajo. U përpoqa sa munda, derisa e mbajta katër vite në duar, veçse në 2020 e lashë mënjanë nga lodhja dhe botova një vëllim me tregime, kryesisht për pandeminë dhe aftësinë e grave për t’u përshtatur me lehtësi në situatat më të vështira. Pata model shoqet dhe mikeshat e mia dhe ua kushtova atyre.

Këtë libër ia kushtoj njeriut që njoh më shumë, që ka mbetur i dëlirë, megjithëse mbush 49 vjeç këtë pranverë. E kam shkruar me dëshirën që ai të ndjekë rrugën e Marinit, personazhit kryesor të librit, sepse hera herës ata ngjajnë. Po më duhet të pohoj, se Marini ngjan më së shumti me mua. Me këtë rast mund t’ju sjell ndër mend shprehjen e Floberit, “Emma cest moi”, kur ai gjatë shkrimit të romanit “Madam Bovari”, nxirrte zorrët bashkë me personazhin e tij.

Kështu kam bërë dhe unë, kam vjellë dhe rënkuar e ndenjur pagjumë si Marini im hallemadh. Kam frikë se dhe ju kur ta lexoni do trulloseni pak. “Ani, mos u tutni, do të thoshte gjyshja ime e dashur po të qe ende gjallë, mos u tutni se kjo mbesa ime diçka di dhe do t’u udhëheqë në këtë libër përmes shumë kurtheve”, që në fund zgjidhen, jo si me mrekulli, por pas përpjekjesh të jashtëzakonshme, ashtu si ka bërë gjithsecili prej nesh në Shqipërinë tonë të vështirë.

E vërteta është se që në moshë të re kam pasur një tërheqje fatale, për njerëzit me aftësi ndryshe, veçanërisht për ata me inteligjencë superiore, ose për ata që mbijetonin në kushte ekstreme dhe ia dilnin me dinjitet, si të përmbysurit nga regjimi, p.sh. Nëse dikush më ka mësuar ç’është dinjiteti, ai ka qenë pa dyshim im atë, i cili përmendte papre një thënieje të famshme të Gëtes, veçanërisht gjatë internimit, sepse me sa duket druante mos ne thyheshim nga presioni i papërballueshëm i shtetit. Një nga këto tërheqje fatale ka qenë ajo ndaj Dhimos, që jetonte në lagje dhe të gjithë e donin, të gjithë pa përjashtim, sepse ai zëvendësonte “Googlin” e sotëm, aq i ditur ishte. Qe trup vogël, thatim dhe me një rrufë që nuk i ndalej as në vapën e korrikut, ishte dhe shumë i qeshur

Që t’u fus në temë, Dhimua pat kaluar një tronditje aq të madhe kur vëllai dhe motra e tij u vranë njëkohësisht në kohën që mbronin atdheun nga pushtuesi, sa që humbi të folurën. I përkiste një familjeje të njohur të shkolluar dhe patriotike. Me mundësitë që pati e ëma nuk la doktor pa e çuar. Bëhet fjalë për 80 vite të shkuara, kur ai mund të ishte disa vjeç. Siç e patën parashikuar mjekët asokohe, atij vërtet i erdhi goja, por nga trauma e pashlyeshme, mbeti një person me aftësi ndryshe.

Më pas, në kohën e dashurisë sonë me Republikën e Kinës, ai u dërgua atje, ku u kurua për dy vite dhe nga mjekët u quajt krejtësisht i shëruar. Veçse e ëma, që ishte engjëlli i tij mbrojtës, kontrolloi valixhen dhe i gjeti në astar një material të shkruar. Në këtë shkrim të gjatë ai kishte parashikuar të gjithë komplotet që do zbuloheshin nga diktatori në vitet ‘70, kohë në të cilën, ai d.m.th. diktatori, u bë më paranojak dhe më “prodhimtar” se kurrë. Në libër ishin dhe vitet kur këto komplote do të ndodhnin, gjë që u realizua me përpikëri.

Kisha kështu në dorë një subjekt jashtëzakonisht tërheqës për një libër të llojit të Pusullave. Po nuk u bazova në këtë fabul. Përse?

Sepse të gjithë ne pak a shumë jemi të helmuar nga e kaluara e hidhur dhe nga pandëshkueshmëria e saj, pa nxjerrë përgjegjësit kryesorë siç bënë p.sh. gjermanët me dy ngjarje madhore të njëpasnjëshme, me regjimin hitlerian dhe atë komunist. Siç duhet të bëjnë më vonë rusët, me mizoritë e fundit te vëllezërit e tyre në Ukrainë, kur lufta të mbarojë, gjë fort e vështirë, për shkak të shovinizmit të rrënjosur te ta që prej kohës së carëve të vjetër dhe këtyre të rinj.

Desha të shkruaj për një temë aktuale me probleme të shkaktuara nga tranzicioni i vështirë, që ende po vuajmë dhe që u shoqërua e po shoqërohet me plagë nga më të ndryshmet, të flisja për një Dhimokle të ditëve tona, se sa vështirë e ka ai të orientohet, krahasuar me të vjetrin që ishte i rrethuar veç me dashuri, sepse asokohe qesëndisja, apo bullizmi ishte i huaj, për arsye që s’di t’i shpjegoj, ndoshta nga frika e regjimit.

Gjithsecili, lexues do nxjerrë nga ky libër i vështirë mesazhet e tij, por e para do doja të ishte dashuria, pra, dashuria dhe vëmendja e ndershme, që ne duhet t’u japim personave me aftësi ndryshe; vëmendja e familjes, e shoqërisë, e mjekëve që i kurojnë, e shtetit në tërësi dhe institucioneve përkatëse në veçanti.

Ky libër është një roman, jo një reklamë për ndonjë metodë apo klinikë këtu apo jashtë vendit, dhe nëse ka ndonjë vlerë ato mund të jenë letrare, jo klinike. Mbi të gjitha, është një libër ku vërtet jam përpjekur të gjej fjalët e duhura, shpesh së bashku me Suelën, sepse ato, pra, fjalët, mund të jenë gjithashtu udhërrëfyes, mund të jenë rrugë shpëtimi, që gjenden veçse në hartat e copëtuara të shpirtit, dhe këtu romani dhe analiza shkojnë bashkë, pasi që të dy janë udhëtime drejt një gjuhe të arsyeshme, me qëllimin e vetëm për të të liruar nga errësira më e thellë, që arrijnë të ndërtojnë këto sindroma.

*Vera Bekteshi. Fjala e mbajtur gjatë ceremonisë së akordimit të Çmimit letrar “Kadare”, 21 Prill 2022

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura