Pushteti korrupton, mandati i tretë korrupton në mënyrë absolute

Mar 4, 2021 | 9:14
SHPËRNDAJE

fitim-zekthi-150x150FITIM ZEKTHI

Kryeministri Rama është i zhytur plotësisht dhe me gjithçka në përpjekjet me çdo mënyrë për të fituar një mandat të tretë qeverisës. Kryeministri, njerëz të qeverisë dhe njerëz të tij në media, po thonë kudo se ata e kërkojnë mandatin e tretë pasi kanë në duar shumë projekte, që nuk mund të lihen në mes, që ata po punojnë për rindërtimin dhe vaksinimin dhe se ata nuk mund të lejojnë që të vijë një forcë politike, e cila, sipas tyre, do t’i kthejë gjërat pas.

Kaq është e gjithë narrativa e Ramës për të kërkuar mandatin e tretë. Përtej kësaj ka vetëm gjëra krejt apolitike, për të mos thënë diçka tjetër, që shoqërojnë këtë narrativë si deklarimet se Kryeministri do të donte të rrinte me familjen, por ai po e kërkon një mandat të tretë për popullin. Kjo narrativë e varfër, e dobët, mediokre, gati qesharake, është megjithatë dëshmi e një gjëje shumë të rrezikshme.

Sikur në Shqipëri të vinte nga një planet tjetër një qenie me inteligjencë si e njerëzve apo sikur të vinte një njeri nga ndonjë vend i botës që nuk ka dëgjuar kurrë për Shqipërinë dhe të dëgjonte narrativën e Ramës, arsyet pse ai kërkon një mandat të tretë, ai me siguri do të mendonte se fushata e tij është në krizë të thellë, se ky person është një person me mendësi të theksuar totalitare, që ka një neveri për demokracinë dhe zgjedhjet etj.

Në një vend që ka zgjedhur demokracinë për sistem politik, të thuash se unë kërkoj një mandat për të qeverisur sepse kam nisur disa projekte dhe nuk dua që ato të mbesin në rrugë, është vërtet lemeri. Po të ishte kështu, atëherë nuk do të bëheshin fare zgjedhje. Çdo parti në pushtet apo çdo qeveri në detyrë ka gjithnjë një projekt që nuk kërkon ta lërë në rrugë. Pse nuk kishte projekte Donald Trump, nuk kishte projekte Aleksis Tsipras, nuk kishte projekte Abdullah Hoti, nuk kishte projekte Milo Gjukanoviç, nuk kishte projekte Helmut Kohl apo Xhorxh Bush i Vjetri. Është me të vërtetë e rëndë të dëgjosh një Kryeministër që kërkon të rrijë në detyrë për një mandat tjetër, sepse paska projekte dhe nuk do që t’i lërë ato pa përmbyllur. Rama në këtë pikë nuk dallon aspak nga çdo komunist, fashist apo lider totalitar, i cili kërkon mandate të përjetshme sepse projekti i tij është ndërtimi i socializmit apo ndërtimi i shtetit absolut fashist ku realizohet vetë qenia njerëzore.

Rama, me sa duket, kur flet për projekte, e ka fjalën për gjëra konkrete si rrugë apo spitale, si shkolla apo koncesione, por e ka fjalën edhe për projektin e madh politik, Rilindjen, e cila synon një Shqipëri që ai e quan të “gjeneratës tjetër”, një botë edenike në të cilën vendi është i zhvilluar, ku shteti më në fund është funksional dhe i drejtë (siç e koncepton Rama një gjë të tillë). Me pak fjalë, kemi të bëjmë me projekte si ai i ndërtimit të socializmit, të cilat kërkojnë vite apo edhe shekuj dhe në fund janë shkatërrim. Në fakt, Rama ka thënë shpeshherë se kjo gjë apo aksh çështje kërkon kohë, se ai nuk ka shkop magjik, se ato po bëhen apo se do të bëhen, se ai po i realizon, se janë hapur 240 mijë vende pune deri tani, se do të bëjë autonominë spitalore etj. Ai nuk do t’ia dijë se këto janë gjera që në demokraci premtohen për mandate 4-vjeçare dhe jepet llogari për 4 vite. Në demokraci nuk ka mandate shumëvjeçare apo shumëdekadëshe. Në vitin 1990 pas 45 vitesh ndërtim të socializmit, Shqipëria ishte një tmerr, mjerim dhe zi kudo. 45 vitet ndërtim kishin qenë 45 vite llahtari. Projekte të tilla ndërtimi nuk mund të kufizohen nga zgjedhjet apo nga mandatet. Ato dhe liderët e tyre duket se janë përtej mandateve dhe zgjedhjeve. Projekte të tilla janë krejtësisht kundër demokracisë. Në këtë shtrat rri edhe Rama me narrativën e vet.

Pastaj Rama zbret te gjera konkrete, pasi e kupton se ka nevoje për të zbritur te to. Ai thotë se ai do të përfundojë rindërtimin dhe vaksinimin dhe këto ai i quan sfida të mëdha për Shqipërinë, të cilat nuk mund t’i lërë rrugës. E para, rindërtimi dhe vaksinimi janë procese rutinë që mund të bëhen nga çfarëdo qeveri. Për to e rëndësishme është të dihet nëse ka para mjaftueshëm. Në qoftë se ka para mjaftueshëm, atëherë ato mund të bëhen nga cilado qeveri. Nuk kërkohet as vizion i posaçëm, as dije e posaçme, as vullnet i posaçëm, as përkushtim apo organizim i posaçëm. Shqipëria ka bërë vaksinime në jetë të jetëve dhe kur të ketë vaksina për të gjithë njerëzit, sistemi shëndetësor do ta kryejë këtë proces. Gjëja e vetme që ka një lloj vlere në këtë drejtim, është aftësia e qeverisë për t’i sjellë vaksinat më shpejt në një kohë krize ndërkombëtare. Në këtë pikë, Rama ka dështuar, ne jemi ndër vendet me ritmin më të ngadaltë të marrjes së vaksinave. Por, edhe sikur Rama të kishte treguar aftësi më të mëdha për të sjellë vaksina, ai nuk mund të pretendojë të marrë një mandat katërvjeçar sepse ia doli që të sjellë dy javë më shpejt vaksinat. Për dy-tre muaj do të ketë vaksina pa fund për të gjithë. Sa për rindërtimin, Rama nuk ka çfarë bën asgjë më shumë nga çfarë mund të bëjë një qeveri tjetër. Rama, në fakt, ka dështuar me këtë proces ose të paktën nuk ka pasur sukses kur dihet se mijëra njerëz ka dy vite që jetojnë në çadra apo në shtëpi të dëmtuara dhe që rrezikojnë të shemben.

Veç kësaj, projekte si rindërtimi apo si vaksinimi mund të ketë gjithnjë kudo. Mund të ketë një situatë përmbytjeje apo një situatë thatësire, mund të ketë një epidemi apo një tërmet tjetër (Zot na ruaj!). Qeveria mund të cilësojë projekte me rëndësi të madhe si ujitja, si kthimi i shqiptarëve në atdhe, si rritja e popullsisë, si bashkimi kombëtar dhe atëherë përsëri do të duhet të mbajmë në pushtet qeverinë që kemi, pasi qeveria do të thotë “dua të rri se nuk lë dot projektet e mëdha”. Mendjet totalitare gjithnjë gjejnë projekte të mëdha që nuk i lënë dot në mes dhe vetë qeverisja e tyre është projekti më i madh.

Narrativa e Ramës për kërkimin e mandatit të tretë ka edhe një pjesë tjetër, që është cilësimi i opozitës si diçka e keqe, si diçka e rrezikshme që po të vijë në pushtet, do të dëmtojë vendin dhe do “ndërpresë projektet e Ramës”. E para, të kërkosh të rrish në pushtet pas dy mandatesh me arsyetimin se “unë jam e keqja më e vogël” është non sens logjik. Pas dy mandatesh në qeverisje, kundërshtari është diçka që nuk merret më fare në hesap si arsye për të mbajtur pushtetin. Pas dy mandatesh, ajo që vlen është vetëm ajo që je dhe ajo që ke bërë. Nuk është rastësi që mandati i tretë është thuajse diçka e pamundur. Nuk është rastësi që në Britani ,në gati 300 vite nga mbi 80 kryeministra, vetëm 6 e kanë marrë mandatin e dytë. Nuk është rastësi që Franca që nga koha e Talleyrand në vitin 1815, nuk ka pasur asnjë Kryeministër nga rreth 120 të tillë që të ketë qëndruar mbi tetë vjet. Pas dy mandatesh jepet llogari, vlerësohesh vetëm për arritjet. Nuk ka më “opozita është e keqe”. Vetëm opozita mund të sulmoje qeverinë si të keqe, sidomos kur qeveria ka kohë në pushtet. Vetëm opozita, jo vetëm te ne, por kudo në botë, mund të thotë ose nënkuptojë se ajo është e keqja më e vogël. Ka pasur pa fund raste kur janë votuar opozitat si të këqijat më të vogla. Madje, në shumicën e rasteve, opozita zgjidhet thjesht si e keqja më e vogël.

Së dyti, të thuash që opozita është e keqe kur je në pushtet dhe ke kontroll të plotë mbi Parlamentin (ndryshon edhe Kushtetutën si të duash), mbi gjykata, mbi prokurorinë, mbi policinë, mbi mediat, mbi ekonominë kombëtare etj., është vetëm një qasje totalitare mbi konstruktimin me domosdo të armikut, mbi cilësimin e kundërshtarit si armik që duhet asgjësuar (mundësisht burgosur apo vrarë po të ishte një kohë tjetër). Kjo qasje nuk pranon në thelb pluralizmin dhe mundësinë e ndërrimit të pushtetit me vota. Rama është i njohur për një qasje të tillë antipluraliste. Në vitin 2003, në kohën kur ai hyri kot në garën për kryetar PS-je përballë Nanos, ai tha në një takim se marrja e pushtetit nga opozita e asaj kohe, nga PD-ja, ishte tradhti kombëtare. Kjo do të thotë se për Ramën, PD-ja, opozita, duhet të shpalleshin armike, të nxirreshin edhe jashtë ligjit.

Në vitin 2005, Rama përdori sloganin “Mbro Tiranën”, “Mbro Shqipërinë”, që do të thoshte se Shqipëria dhe Tirana ishin përballë armikut, i cili hollë-hollë vendin e ka në askund ose në burg. Në vitin 2011, Rama kishte sloganin “E vetmja rrugë”, që nënkuptonte po ashtu një qasje totalitare dhe që e mendonte PD-në si parti armike që nuk meritonte të ishte një rrugë, një ngjyrë në pluralizmin tonë. Edhe tani jemi tek e njëjta gjë. Kjo është normale për një mendje totalitare, qoftë ajo komuniste apo fashiste. Ajo kërkon një projekt të përjetshëm ndërtimi të një “bote edenike”, projekt i cili nuk mund të vihet në diskutim nga mandate zgjedhore, nga parti apo grupe të tjera.

Në një demokraci i kushtohet një rol shumë i madh kufizimit dhe kontrollit të pushtetit. Në teoritë e demokracisë thuhet se njerëzit, duke qëndruar në pushtet, nuk bëhen më të mirë, por, përkundrazi, bëhen qeveritarë më të këqij. Natyra e njeriut dhe e pushtetit është e tillë që e bën qeveritarin të tundohet, të shkëputet nga realiteti, të humbë kthjelltësinë dhe të bëhet i keq dhe i korruptur. Duke u bërë i tillë, ai do të kujdeset që pushteti i tij të zgjatë sa më shumë (përjetësisht) dhe kështu që ai që ai do ta shkatërrojë qeverisjen dhe liritë e njerëzve. Për këtë arsye dhe vetëm për këtë arsye, bota demokratike ka caktuar mandate kohore, ka caktuar limite në mandate. Po të ishte se njerëzit bëheshin më të mirë në pushtet, atëherë nuk i vendosnin kufizimin me dy mandate Ronald Reaganit apo Dwight Eisenhauer-it, për shembull. Në sistemet parlamentare si i yni, duke qenë se qeveria është produkt i Parlamentit dhe ai produkt i votës së popullit, atëherë nuk ka kufizim me dy mandate, por, siç e thamë, është tmerrësisht e vështirë për një Kryeministër që të rrijë mbi 8 vite në pushtet. Vetë natyra e sistemit të republikës parlamentare nuk e lejon një Kryeministër më shumë se tetë vjet.

Pra, Rama, duke thënë “më besoni mandatin e tretë, më besoni edhe një mandat, kam mësuar shumë, askush nuk ka përvojë si unë mbi qeverinë”, po thotë diçka absurde. Ai po thotë që me kalimin e viteve në pushtet është bërë qeveritar më i mirë. Ai, në fakt, është bërë më i keq, shumë më i keq dhe do të bëhet edhe më i keq po të qëndrojë akoma. Kjo gjuhë, kjo qasje e Rames nuk ka të bëjë asfare me atë që është demokracia. Rama edhe këtu flet si një lider totalitar, i cili ishte gjithnjë e më i mirë.

Këto ditë, një nga politikanët më të fuqishëm të SHBA-së, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, është në prag dorëheqjeje dhe përballë një stuhie të rëndë politike. Ai akuzohet se ka fshehur numrin e vdekurve nga Covid-19 në azile. Ka nisur një hetim nga Prokuroria e Nju Jorkut dhe nga FBI. Deri dje një politikan i fortë, sot Cuomo është i shkatërruar. Atij i kanë plasur edhe skandale të ngacmimeve seksuale që po e fundosin. Si për ironi, në vitin 2010, kur ai po hynte në garë për guvernator, ai i tha një mikut të tij në një restorant në Manhatan, i cili e pyeti se si dhe çfarë duhet bërë për të rregulluar gjërat në Nju Jork se “gjithçka duhet bërë brenda dy mandateve nëse do të bësh diçka, kërkimi i mandatit të tretë është gabim”. Cuomo, i cili vjen nga një familje e madhe politike, është djali i Mario Cuomo-s, ish-guvernator i Nju Jork në vitet ‘80-të, e kishte të qartë (si kushdo në atë vend në fakt) se mandati i tretë është gabim. Ky nuk është një ligj i matematikës, por përvoja dhe natyra njerëzore e vërtetojnë.

Cuomo tani është në mes të mandatit të tretë. Mandati i tretë është vërtet një gjë shumë serioze dhe ai kthehet në një fatkeqësi për njerëzit kur kërkohet të merret nga ata që në dy mandatet e para kanë dështuar. Rama ka mbërritur në këtë narrativë krejtësisht antidemokratike, mediokre, të dobët dhe të rrezikshme, sepse narrativa e vitit 2013 dhe 2017 dështoi. Në vitin 2013, Rama kishte për narrativë Rilindjen. Ai dështoi me vendet e punës, me shëndetësinë, me legalizimet, me ikjet e shqiptarëve, me drogën dhe trafikun etj. Në vitin 2017, ai zgjodhi diçka tjetër, zgjodhi “timonin”, sepse, sipas tij, nuk kishte pasur sukses në katër vite për shkak të tepsisë së LSI-së. Tani që e kishte timonin dhe ka dështuar shumë më keq nuk mund të ketë asnjë narrativë brenda pluralizmit dhe demokracisë. Fatkeqësisht, për të, por shumë më fatkeqësisht për vendin që është përballë një situate të tillë, ai tani duhet të mbështetet vetëm te gjera të tilla që duket se janë edhe thelbi i tij si antipluralizmi, antidemokracia, mospranimi i lënies se mandatit qeverisës, cilësimi i pozitës si armike etj. Micael Goodwin thoshte pak ditë më parë, referuar në fakt gjendjes së rëndë të Cuomo-s se “pushteti korrupton, mandati i tretë korrupton absolutisht”. Ai nisej nga thënia e famshme e lordit Acton që thoshte se pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Rama i ka të dyja, edhe pushtet absolut, edhe kërkon mandatin e tretë. Më keq nuk ka. Kjo rrugë do ta ndëshkojë keq Ramën. Askush nuk ka dalë mirë nga kjo rrugë.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.