Pushkatimi i ish ministrit/ “Po pse, Javer beun do vrasësh ti?!” – Si iu përgjigj të atit, Enver Hoxha. Kujtimet e panjohura të ish deputetit

Mar 29, 2020 | 20:30
SHPËRNDAJE

20200328_223742-750x375

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Javer bej Hurshitit (me origjinë nga Kaukazia e largët), ish-kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës në vitin 1920, i cili përgjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe atë të pushtimit të vendit (1939-1944), do të shërbente në detyra dhe funksione të larta në administratën shtetërore, si deputet, prefekt dhe ministër, deri sa u arrestua nga komunistët e sapoardhur në pushtet në nëntorin e vitit 1944, të cilët e nxorën në Gjyqin Special në marsin e 1945-ës.

Aty e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan, edhe pse babai i Enver Hoxhës, Mulla Halili, i tha të birit:

20200328_224003-552x375

“Po pse Javer beun do vrasësh ti?!, dhe Enveri iu përgjigj” “Nuk e vras unë, e vret populli”, si dhe dënimi i të birit të Javerit, Mehmetit, ish-sekretarit të Bashkisë së Tiranës në periudhën e pushtimit, që vuajti 25 vjet në burgun e Burrelit.

E gjithë historia e Javer beut dhe familjes së tij, që nga periudha kur ai ishte i vogël dhe u adaptua në Stamboll nga beu i famshëm i Jugut, Maliq Pashai nga Libohova, pasuria që trashëguan pas vdekjes së tij, pjesëmarrja e tij në krye të 450 forcave vullnetare në vitin 1912-të në luftimet për marrjen e Sarandës nga forcat greke duke ngritur flamurin shqiptar aty dhe në Delvinë, shpëtimi i qytetit të Gjirokastrës duke iu paguar 5 mijë naplona floriri grekëve që donin ta digjnin pas vrasjes së Dhespotit, gjë për të cilën shkroi gazeta “Labëria” në marsin e vitit 1925 kur ai vuri kandidaturën për deputet, angazhimi i tij në jetën publike dhe politike me një karrierë të gjatë afro 35 vjeçare, si kryetar bashkie, deputet, prefekt dhe ministër, krushk i Ismail Qemalit dhe Mbretit Zog, mik i ngushtë i Mihal Gramenos, Avni Rustemit, Faik Konicës e Padër Gjergj Fishtës që i pati dhuruar me autograf, “Lahutën…”, organizimi prej tij i ceremonive zyrtare për marrjen e eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit në vitin 1936 në Shkodër, etj., është e shkruar me dorën e tij në katër fletore të trasha, të cilat ruhen nga nipi i tij, Shahin Mehmet Hurshiti.

20200328_223829-720x375

“Si prokuror i Gjygjit Special, m’u desh në bazë të ligjit që të asistoja në ekzekutimin e atyre 19 fatzinjëve. Disa nga ata më besuan amanetet e tyre. Midis këtyre të fundit Javer Hurshiti dhe Bishqemi kërkuan që t’ju ruhej paprekshmëria e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Unë u thashë e u garantova se familjet e tyre do të kishin në Shqipëri po atë trajtim që do të kishin të gjithë banorët. Sa e besuan këtë slogan, një pernëndi e di. Por ngjarjet u zhvilluan në një mënyrë të tillë që përgënjeshtuan deklaruesin dhe të gjithë ata që pretendonin se ishin ndërtues të një Shqipërie të re e të lumtur njerëzore…”, Kështu do të shkruante në kujtimet e tija aty nga viti 1993, Bedri Spahiu, ish Prokurori i Gjyqit Special që u zhvillua në marsin e largët të 1945-ës, ku u dënuan me vdekje 19 persona, ish ministra, deputetë, ushtarakë, dhe funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek ajo e Fiqëri Dines nën pushtimin gjerman në tetorin e 1944-ës. Sipas ish Prokurorit Spahiu, njëri nga të 19-të personat që u pushkatuan ishte dhe Javer Hurshiti, i cili kërkoi që pas ekzekutimit të tij, të mos i prekej familja. Kush ishte Hurshiti, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij, çfar funksionesh kishte mbajtur në karrierën e gjatë politike e përse po pushkatohej duke u quajtur “kriminel e armik i popullit”?!

20200328_223853-732x375

Javer Hurshiti nga Kaukazia

Në listën e gjatë prej më shumë se 60-të personash të cilët u vunë në bangon e të akuzuarve si “kriminel e armiq të popullit” në atë mars të ftohtë të vitit 1945, midis 19-të të pushkatuarve ishin dhe tre persona që nuk kishin origjinë shqiptare. Njëri nga keta, origjina e të cilit ishte nga Kaukazi i largët atje ku ndahet Europa me Azinë, ishte dhe Javer Hurshiti, i cili i mbylli ditët e fundit të karrierës së gjatë politike afro 25 vjeçare në shërbim të shtetit shqiptar, si Prefekt i Shkodrës gjatë periudhës së pushtimit italian e gjerman të vëndit.

20200328_223702-580x375

E gjithë historia e beut me origjinë nga Afkazia, duke filluar nga peripecitë e familjes e cila përfundoi në Stamboll pas luftërave ruso-turke, adoptimi i tij si djal i Maliq Pashës, (Beu i madh i Libohovës dhe i gjithë Jugut të Shqipërisë), i cili e solli në sarajet e tija dhe deri tek ndjekja nga turqit e futja e tij në jetën publike, për të ngjitur shkallët e karrierës në administratën e lartë të shtetit shqiptar, si Kryetar Bashkie, Prefekt, Deputet e Ministër, janë të shkruara në formë kujtimesh në katër fletore nga vetë Javer Hurshiti në vitin 1938. Në parathënien e këtyre kujtimeve të cilat sot ruhen nga Shahin Hurshiti, pinjolli i fundit i kësaj familje fisnike (nipi i Javerit) midis të tjerash shkruhet:

2shtator1928v-750x375

”Fatkeqësisht, shumë të pakë, janë ata shqiptar që kanë mbajtur shënime të kujtimeve të tyre, sikur t’i kishin shënuar do të mundnin një ditë të nxirrnin në dritë historinë e plotë të Rilindjes Kombëtare. Edhe unë jam njeri prej atyre të shumëve që kurrë nuk mbajtën shënimin e kujtimeve. Unë, pothuajse, jam ndodhur në të gjitha lëvizjet kombëtare, që kanë ndodhur në krahinën e Labërisë: Nuk jam tundur prej Gjirokastrës gjithë kohën e okupacionit grek dhe italian, kam qenë dëshmues i aq shumë ngjarjeve të rëndësishme që sikur qysh në ato kohra t’i kesh shënuar ngjarjet ditë për ditë, sot do jesh në gjendje të botoja historinë e plotë të Gjirokastrës qysh prej vitit 1912 deri më 1925. Pikërisht historinë e atyre kohërave që kanë më shumë rëndësi për historinë e Rilindjes sonë Kombëtare. Sot vendosa t’i shkruaj kujtimet, por këto do të jenë me shumë të meta. Shumë data me rëndësi dhe shumë emra të personave që kanë luajtur role me rëndësi, i kam harruar. Prandaj kjo vepra ime nuk do të ketë një rëndësi të madhe për historinë e kombit tonë, por do të jetë shumë e vyer për familjen time. Pasi unë jam kryetari i një familje që është krijuar prej meje, të pasardhurit e mi, duhet ta dinë se kush jam unë, nga kam ardhur, ku jam rritur, ç’rol kam luajtur në Shqipëri… dhe besoj se të pasardhurit e mi do të jenë kryenalt kur të deklarojnë se janë nipërit e mi. Prandaj këto kujtime, më shumë se t’i shërbejnë historisë së vendit, do t’i shërbejnë familjes sime”.

Si erdhi në Shqipëri

Shtator-1928-750x375

Sipas kujtimeve që Javer bej Hurshiti ka lënë të shkruara me dorën e tij, ai lindur në Afkazi (Republika Sovjetike e Kaukazit) aty nga viti 1883. Ai ka ardhur në Shqipëri rreth vitit 1889, kur nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç, pasi u adoptua nga Maliq Pashai, i cili ishte nga Libohova e Gjirokastrës. Maliq Pashai ishte nipi i Shanishasë, motrës së Ali Pasha Tepelenës. Ai ishte martuar për herë të parë me vajzën e Tahir Beut nga Gjirokastra, të cilën e ndau vetëm pas pak muajsh, dhe për herë të dytë u martua me Shemshie Hanëmin, që ishte e bija e Nurullah Beut po nga Gjirokastra me të cilën bëri katër vajza e katër djem.

1938-e-libohova-kostaq-kota-faik-shatku-1-750x375

Mbas shumë vitesh që kishte bërë të tetë fëmijët, Shemshie Hanëmi u sëmur nga tuberkulozi dhe për këtë arsye Maliq Pasha, vendosi që të martohej përsëri.

Javer-beu-1-498x375

Por për të mos hidhëruar gruan dhe fëmijët, nuk deshi që të martohej me ndonjë grua prej familjeve shqiptare, e vendosi që të martohej duke marrë si grua një xharije (skllave). Lidhur me këtë në kujtimet e tija, midis të tjerash Javer Beu shkruan: ”Aty nga mezi i shekullit XIX-të, Maliq Beu vajti në Stamboll dhe bleu për 300 lira turke, Esma Hanëmin, e cila atëhere ka qenë siç thoshte vetë, 17 vjeç, dhe Maliq Pashai 50 vjeç. Në ato kohra në tregun e Stambollit shiteshin lirisht djem e çupa ku më të shumtit e tyre ishin çerçezë (Çirscasien). Ky komb pasi luftoi prej 50 vitesh trimërisht kundër Rusisë, më së fundi u pushtua prej saj. Shumica e madhe e popullsisë muhamedanë e kafkazianë e ashkë me këta dhe çerqezët emigruan në Turqi ku shumica e emigrantëve nga që nuk e përballonin dot jetesën, filluan të shisnin fëmijët e tyre. Kjo gjë bëhej kryesisht me vajzat çerqeze të cilat shquheshin për bukurinë e tyre dhe shumica bliheshin për pallatin e Sulltanit. Kështu mbasi e bleu në Stamboll, Esma Hanëmin, Maliq Pashai e mbajti atë për grua dhe e dërgoi të jetonte brenda në sarajet e tij në Libohovë, ku kishte pronat. Megjithëse kishte dhe Shemsie Hanëmin si grua, Maliq Pashai mbajti dhe Esmanë, duke lindur me të dhe tre vajza e një djalë, por që asnjë nuk i rrojti më shumë se dy vjet. Maliq Pashait i sygjeruan që për t’i rojtur fëmijët, ai duhet ta lironte nga skllavëria Esmanë dhe të vendoste me të kurorë. Maliq Pashai kështu veproi dhe lidhi martesë legale me Esmanë, me rekomandimin e tij adoptoi një fëmijë të quajtur Ferhat, i cili u vra në grindje e sipër në moshën 25 vjeçare, me një gardian në Libohovë. Në këto rrethana dramatike për Esmanë, Maliq Beu i sugjeroi që të adaptonte një fëmijë tjetër, që ta kishte si fëmijën e saj. Kështu motra e Maliqit, Shanishaja, që rrinte në Stamboll, me porosi të vetë Maliqit i gjen një djalë të vogël rreth pesë vjeç, puro çerqez i cili ishte nga një familje fisnike”. Ky djalë që motra e Maliq Beut e gjeti në një familje të pasur shqiptare në Stamboll dhe e mori për të vëllanë e gruan e tij, ishte Hurshiti, të cilin më pas Maliq Beu me Esmanë ja ndërruan emrin, duke e quajtur Javer. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija midis të tjerash, Javer bej Hurshti shkruan: “Në Libohovë kam ardhur në vitin 1890. Përsa i përket vitit jam i sigurt se siç më thoshte Esma Hanëmi, unë kam ardhur në Libohovë pa mbushur vitin që Ferhati kishte vdekur. Si në ëndërr më kujtohet që kur erdha në Sarajet të Libohovës, më shpunë drejt e në odën e Pashait, i cili sipas zakonit rinte i shtrirë afër zjarrit dhe rreth e rrotull i rrinin pas macet. Unë kam hyrë në dhomë me një shufër në dorë dhe porsa pashë macet fillova që t’i rrihja me shufër. Pashai qeshi dhe tha: me tersëllëm na ka ardhur ky djalë, do të bëhet shumë i mënçur”.

Shkollohet në “Zosimea” dhe Stamboll

1558244027_Screenshot1-750x375

Maliq Pashai ashtu dhe Esmaja, gruaja e tij e konsideronin djalin e adoptuar, Javerin sikur ta kishin fëmijën e tyre të vërtetë. Po kështu dhe Javeri i donte dhe i respektonte shumë dhe për të cilën shkruante: ”Nuk doja në asnjë mënyrë të largohesha prej nënës, të cilën e doja më shumë se një nënë të vërtetë dhe ajo më donte më shumë se një djalë të barkut. Nuk e ndjeja veten aspak çerqez. Jeshë shqiptarizuar aq shumë dhe idetë nacionaliste shqiptare më sundonin aq shumë sa që nuk mund të largohesha prej Shqipërisë edhe sulltan sikur të më bënin….”. Javeri i vogël u mbajt prej dy prindërve që e adoptouan në kushte përrallore. Ai u shkollua në shtëpinë e tij në sarajet e Libohovës me mësues privatë që i vinin nga Gjirokastra të cilët paguheshin shumë mirë nga Maliq Pashai. Provimet e shkollës së mesme ai i dha në gjimnazin e “Zosimea” të Janinës dhe më pas mbaroi shkollën e lartë në Stamboll. Po me mësues private, ai mësoi frengjishten, italishten, greqishten dhe turqishten që e dinte mjaft mirë që i vogël. Në vitin 1889, Maliq Beu vdiq dhe Javeri mbeti vetëm me Esmanë në sarajet e Libohovës. Ata qëndruan aty deri nga viti 1900, kur u shpërngulën për në Gjirokastër. Javeri shkonte çdo vit për pushime në Athinë, ku e thërrisnin Beu i Megalles, titull të cilin e kishte marrë që në moshën 12 vjeçare. Edhe pasi u rrit, ai shkonte vazhdimisht në Athinë ku kishte zenë shumë miq dhe kishte çifligun e tij në Argjirohar. Pas vitit 1900, Javeri u vendos në Gjirokastër dhe filloi që të ingranohej në jetën publike të qytetit, duke bërë emër që në moshë fare të re kur akoma nuk i kishte mbushur të njëzetat. Lidhur me këtë në kujtimet e tija Javeri shkruan: ”Në vitin 1900, blemë në Gjirokastër shtëpinë e Nurullah Beut, për 700 lira turke. Në vitin 1902 erdhi Prefekt në Gjirokastër Xhavid Pashaj, i cili ishte një nacionalist i flakët çerqez. Zonja e tij ishte motra e të famshmit Hasan Çerqezit, që vrau tërë Këshillin e Ministrave kur rrëzuan prej froni Sulltan Azizin. Kur Xhavid Pashai mori vesh se në Gjirokastër ndodhej një djalë çerqez, dërgoi dhe më thirri në shtëpinë e tij. Sa më pa më tha: dukesh nga fytyra që je çerqez. Pas kësaj Pashai filloi të më donte si djalin e tijë dhe megjithëse isha i ri, më pyeste shpesh dhe shumë herë i pëlqente mendimi im. Unë në atë kohë vazhdoja mësimet arabisht në Medrese dhe në vitin 1902 u emëruash anëtar i Këshillit Shkollor e inspektor i shkollave fillore të qytetit. Këto detyra i bëja pa rrogë për të kënaqur Xhavid Pashanë, i cili më stërviste për detyra zyrtare. I përkrahur siç jesh prej Xhavid Pashait, fillova të kesh një farë pozite dhe të gjithë nënpunësit e shtetit më nderonin. Po kështu më nderonin dhe populli i Gjirokastrës, i cili më lutej për nevojat që kishte në Prefekturë. Kështu fillova që të ç’quhesha në Gjirokastër si një njeri me influencë dhe që i shkonte fjala pranë autoriteteve të vendit. Por kjo influencë e imja dihej se nuk do të vazhdonte gjatë pas largimit të Prefektit Xhavid Pashaj, prandaj mundohesha që të bëja të mira për të siguruar pozitën time pranë opinionit vendas”. Javeri, krahas punëve që filloi të kryente në administratën shtetërore të Gjirokastrës, i kushtonte një kohë të konsiderueshme librave dhe për të cilat në kujtimet e tija, midis të tjerash shkruan: ”Jesh mik me konsullin e grekut të Gjirokastrës, me të cilin këmbenin romane në frengjisht. Një ditë më dërgoi një roman të cilin e kishte mbështjellë me një gazetë të vjetër në gjuhën greke”. Po kështu Javeri ishte i dhënë shumë dhe pas teatrit, e shkonte deri në Athinë për të ndjekur shfaqet që jepeshin aty. Javer Hurshiti së bashku me nënën e tij Esmanë, bënin një jetë mondane të zhytur në lluks, duke harxhuar si familje 700 deri 900 lira turke në vit nga pasuria e madhe që ju kishte mbetur pas vdekjes së Maliq Pashait. Ata mbanin rreth vetes shërbëtorë e roje personale të shumta, kurse pronat e tyre gjendeshin brenda kufijve të Shqipërisë që fillonin nga Radati në Kakavijë, Bularat, Zervat, Voshtinë, e deri në malin Makri-Aleksi e Koshovicë të Greqisë së sotme. Kështu shumë nga këto prona si toka bujqësore, kullota, pyje, mullinj etj., ata nuk ishin në gjendje që t’i kontrollonin dot. Lidhur me këtë, Javeri shkruan:”As unë, as nëna ime Esmaja, nuk ishim në gjendje që të kontaktonim dot drejt-përsëdrejti me nënështetasit grekë që kishin në përdornim tokat tona për t’ju marrë qeratë. Por bujqtë tanë grekë i depozitonin qeratë e pronave që na takonin neve në bankat greke ku kishin dhe numrat e llogarisë. Ne merrnin prej tyre gjithmonë aq sa na jepnin dhe kurrë nuk i detyronim që të paguanin aq sa u takonte, sepse kishim aq shumë prona, që sido të ishin detyrimet e bujqërve neve na dilnin e na tepronin”.

Ndiqet nga kryeministri Ferid Pashaj

Javer Bej Hurshiti ishte kundër politikës robëruese të Turqisë në Shqipëri dhe për propagandën që bënte, ndiqej prej administratës turke të Gjirokstrës me urdhër direkt të kryeministrit Ferid Pashaj nga Stambolli. Lidhur me këtë në kujtimet e tija, Javeri shkruan: ”Nga fillimi i muajit korrik, erdhi telegram nga Stambolli që Ferid Pashaj ra nga detyra dhe vendin e tij e zuri Seid Pashaj. Rënia e Ferid Pashajt na gëzoi shumë, se e dinim që të gjitha ndjekjet kundra meje bëheshin me urdhër të tij. Pas rrëzimit të Ferid Pashajt kisha shpresa që drejtësia të vepronte brenda ligjeve dhe pasi nuk ekzistonte asnjë dokument që të provonte fajin tim, kisha shumë shpresë që të shpëtoja”./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura