Punonjësit e OSHEE i prenë dritat, 67-vjeçarja gjendet e ngrirë në banesë 3 ditë pas vdekjes! Jetonte në kushte të mjerueshme, familjarët: Nuk i lidhën as një llambë

Jan 28, 2022 | 13:01
SHPËRNDAJE

Një 67-vjeçare është gjetur e ngrirë në banesën e saj nga të afërmit 3 ditë pasi kishte ndërruar jetë nga i ftohti.

Viktima është identifikuar si Liljana Sema dhe jetonte në kushte të mjerueshme në fshatin Ferras të Fierit.

Sipas akuzave të familjarëve, edhe pse ajo kishte paguar dritat deri në muajin dhjetor punonjësit e OSHEE i kishin prerë dritat dhe kishin refuzuar që t’i lidhnin një llambë për ndriçim.

I vëllai 67-vjeçares tha se ishte pikërisht ai që kishte gjetur të motrën pa shenja jete në banesë. Ai tregoi se e Liljana Sema jetonte e vetme dhe pa përkrahje nga shtetit.

“Jam i vëllai Liljanës, e gjetëm të ngrirë nga i ftohti. I kishin hequr dritat të OSHEE. Nuk kishte lekë të paguante. Këtu jetojnë biznesmenë dhe nuk paguajnë, kurse motrës sime i shkëputën dritat. Unë e gjeta të ngrirë, doktori tha ka ngrirë nga i ftohti. Kishte 3 fëmijë, 2 djem dhe një vajzë. Nuk i ndihmonte njeri, i ka marrë dhe tokën autostrada. Jetonte vetëm, pa përkrahje”, tha ai.

Ndërkohë i biri u shpreh se i kishte blerë nënës së tij një rezistencë për ditëlindje në nëntor, por e kishte përdorur vetëm një javë pasi i kishin prerë dritat.

“Më mori kushëriri në telefon, më tha ka vdekur mamaja. Kur erdha e gjeta ashtu siç e gjeti daja. Para 10 ditësh isha këtu, bëra sherr me ata të dritave, ti lidhnin të paktën një llambë. Kishte 3 ditë që kishte vdekur. Kishte pension 70 mijë lekë e mblidhte kanaçe. Unë e ndihmoja mesa kisha mundësi, se marr një rrogë të ulët si roje objekti. Me ato lekë s’na dilte as rruga dhe as ardhja deri këtu. I merrja ilaçet 60 mijë lekë, vuante nga zemra, tensioni. Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, ata thonë s’i ka paguar. Unë kam librezën e faturat, edhe një rezistencë që kishte nuk e vendoste dot. Ia bleva për ditëlindje rezistencën, por 1 javë e përdori”, rrëfeu i riu.

Ndërsa motra e viktimës tha mes lotësh se 67-vjeçarja: “Ka qenë sëmurë gjithë jetën. Motra ime mblidhte kanaçe nëpër rrugë. Vinim si motra ta ndihmonin, por sado. Ndërroi jetë në atë kasollen atje, aty dha shpirt motra ime. Vdiq nga i ftohti, çfarë binte jashtë, hynte brenda. Se ndihmonim dot”.

Drejtori i OSHEE në Fier, Arjan Fasko deklaroi se prej 1 viti kontrata e energjisë elektrike në banesën ku jetonte Liljana Sema është ndërprerë nga vetë ajo. Ndërsa objekti është raportuar i mbyllur dhe se atu nuk jetonte njeri, pasi sa herë që punonjësi i OSHEE ka shkuar në banesë s’ka gjetur njeri.

Fasko shtoi se nuk kanë pasur asnjë kërkesë nga ana e familjarëve të viktimës për lidhjen e energjisë elektrike.

“Kontrata që furnizonte objektin ku jetonte zonja, është debitore për një periudhë të gjatë. Ka lidhur aktmarrëveshje në 2018 dhe e ka ndërprerë. Ka mbi 1 vit e ndërprerë kontrata e energjisë elektrike. Nga ana e punonjësit të OSHEE, që bën leximin e sistemit të matjes është raportuar i mbyllur dhe nuk banon njeri, pasi objekti ka qenë i mbyllur ku ai ka shkuar atje për rileximin e sahatit. S’kemi asnjë kërkesë nga familjarët për lidhje të energjisë në këtë periudhë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura