Punonjësit e naftës, ulet me 5 vite mosha e pensionit

Feb 1, 2017 | 13:38
SHPËRNDAJE

Ulet me 5 vite mosha e daljes në pension për burrat e gratë naftëtarë. Me votat e maxhorancës dhe opozitës, Komisioni i Ekonomisë miratoi dje projektligjin “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit”.

blendi-klosi

Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, qëllimi i kësaj nisme është të mbrojë të drejtat e punonjësve të kësaj industrie, në marrëdhënien e tyre të punës, pagës, sigurisë në punë, shëndetit dhe pensionit. Nga momenti i zyrtarizimit të këtij drafti, të gjithë ata që punojnë në puset e naftës do të përfitojnë një status të veçantë dhe do të pajisen me një dëshmi zyrtare identifikuese të përcaktuar nga Komisioni i ngritur për këtë qëllim. Rreth 5 mijë vetë mësohet se do të përfitojnë nga kjo nismë.

KUSHTET E PENSIONIT

Lidhur me kushtet që duhen përmbushur për pension, Klosi tha se për meshkujt është parashikuar mosha 60 vjeç me një vjetërsi të përgjithshme prej 30 vjetësh, nga të cilat 20 vjet në një profesion si naftëtar. Ndërsa gratë do të dalin në pension në moshën 55 vjeçe. Periudha e punës në profesionet e parashikuara për femrat është 15 vjet dhe vjetërsia totale 30 vjet.

PAGA

Sa i takon pagës, ajo do të përcaktohet në bazë të kontratës kolektive të punës, por duke vendosur një pagë dysheme nën të cilën nuk mund të lidhet kontrata kolektive e punës, që është sa 150% e pagës minimale në shkallë vendi. “Ky përcaktim është vendosur, duke parë vështirësitë e këtij profesioni, produktivitetin e punës, rreziqeve që ka, si dhe duke pasur parasysh pagat që aktualisht paguhen në sektorin shtetëror dhe privat të shfrytëzimit dhe përpunimit të naftës”, tha ministri Klosi.

TRAJTIMI MJEKËSOR

Të gjithë ata që do të pajisen me status, do të kenë mundësi që të përfitojnë edhe nga paketa shëndetësore. Ata do të gëzojnë të drejtën që, dy herë në vit të kryejnë vizita mjekësore falas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura