Punonjësit e ALBtelecom dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Jun 18, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

Për të disatin vit radhazi duke vazhduar traditën e dhurimit të gjakut, ALBtelecom në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar organizoi fushatën për dhurimin vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë.

Foto 1

Kësaj nisme të organizuar në zyrat qendrore të ALBtelecom, të kthyer në një pikë dhurimi përshtatur për këtë qëllim, i janë bashkuar punonjës të shumtë vullnetarë, të cilët nën kujdesin dhe vëzhgimin e mjekes së kompanisë dhe mjekëve specialistë kanë dhuruar gjak për të kontribuar në plotësimin e nevojave të fëmijëve të cilët vuajnë nga kjo sëmundje.

Përfaqësues të Kryqit të Kuq Shqiptar u shprehën se dhurimi është jetik për të prekurit nga sëmundja e talasemisë, të cilët kanë nevoja të vazhdueshme për gjak. Për këtë arsye ndërgjegjësimi i shoqërisë për të kontribuar luan një rol thelbësor.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëria ka 10,7 dhurime për 1000 banorë, ndërkohë që nevojat janë për 20 dhurime për 1000 banorë për të plotësuar kërkesat. Nevojat për gjak janë më të larta në zonat e Lushnjes dhe Fierit. Në Shqipëri janë 170 fëmijët talasemikë, të cilët kanë nevojë jetike për gjak për të bërë një jetë sa më normale. Çdo fëmijë talasemik ka nevojë për të marrë gjak çdo dy javë.

Përmes këtij kontributi, punonjësit e ALBtelecom solidarizohen me përpjekjet e të gjithë atyre të sëmurëve që luftojnë për jetën, pasi çdokush mund të shpëtojë jetë duke dhuruar gjak.

Foto 2 Foto 3 Foto 4 Foto 5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura