Punonjësi i Postës vodhi 7.3 milionë, u arratis në SHBA

May 28, 2016 | 9:19
SHPËRNDAJE

Punonjësi i Postës arratiset në SHBA, pasi rrëmben 7.3 milionë lekë të pensionistëve. Skerdinand Hoxha, 28 vjeç, banues në Maqellarë të Dibrës, është shpallur në kërkim nga policia pas konstatimit të vjedhjes, duke përdorur postin si kryetar e njëkohësisht punonjës i Postës në këtë zonë.

Pensionet

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, por u konstatua vetë, të enjten, kur pensionistë nga Maqellara dhe Sllova, të cilët merrnin pagesat në këtë degë të Postës, lajmëruan policinë. Pas nisjes së hetimit, nga policia ka rezultuar se Hoxha ishte larguar pa asnjë shenjë nga puna dhe nga banesa e tij, duke marrë me vete pakot me para. Ndaj tij është bërë shpallja në kërkim nga ana e Policisë së Dibrës, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

“Specialistët për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore Dibër, pas veprimeve me iniciativë të kryera gjatë ditës së djeshme mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe pas kallëzimit të bërë pasditen e së enjtes nga kryetarja e Degës e Postës sh.a Dibër, shtetasja S.Ç., kanë nisur procedimin penal duke shpallur në kërkim dhe po punohet së bashku me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për kapjen dhe ndalimin e shtetasit Skerdinand Hoxha.

Shtetasi i mësipërm, duke shfrytëzuar detyrën si “Kryetar e punonjës Shërbimi i Zyrës Postare Maqellarë, Dega e Postës sh.a Dibër, ka tërhequr nga arka e Degës së Postës sh.a Dibër për kryerjen e shërbimeve një sasi prej 7.356.092 lekësh të reja dhe është larguar duke marrë me vete dhe shumën në fjalë”, bëri të ditur Policia. Ndonëse vendndodhja e tij nuk dihet, ka dyshime të forta se ai ka kaluar jashtë vendit.

Nga verifikimet e para mendohet se Hoxha të ketë kaluar matanë Atlantikut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me shumën e parave. Posta Shqiptare, pas kësaj ngjarjeje, shkarkoi nga detyra kryetaren e Degës në Peshkopi, shefen e financës dhe arkëtaren e degës.

Nga ana tjetër, sipas Postës, po verifikohen të gjithë punonjësit, nëse kanë abuzuar apo jo me detyrën. Ndërkohë, të gjithë pensionistët e dëmtuar do të kompensohen në ditët në vazhdim nga ana e Postës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura