Punonjësi i bankës bie në pranga për pedofili

Jul 6, 2015 | 7:59
SHPËRNDAJE

Punonjësi i sektorit IT në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë u arrestua dje me akuzën e pedofilisë. 

Foto Ilustruese

Burimet zyrtare të Policisë njoftuan se shtetasi Enkel Vela, 31 vjeç, akuzohet se ka mbajtur dhe shpërndarë material pornografike në internet dhe në komunikimet elektronike me e-mail.

Me anë të një komunikate të posaçme në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit informoi se më datë 4 korrik 2015, strukturat e Sektorit për Krimet Kompjuterike në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Policisë qarkut Tiranë, kanë realizuar operacionin policor “Pedofili”.

Sipas burimeve zyrtare mësohet se si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit Enkel Vela, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, punonjës IT pranë një banke të nivelit të dytë.

Ndalimi i këtij personi, siç raportoi Policia, është bërë pas kryerjes së hetimeve proaktive në funksion të procedimit penal të vitit 2015, ndjekur nga Sektori për Krimin Kibernetik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqë- sor Tiranë.

HETIMI

Sipas të dhënave nga Policia mësohet se sinjalet e para për aktivitetin kriminal të shtetasit Enkel Vela kanë ardhur nga Policia gjermane.

Pas kë- tyre sinjaleve mësohet se ka nisur hetimi në Shqipëri për 31-vjeçarin. Policia ka thënë se nga hetimet ka rezultuar se i ndaluari prej një kohe të gjatë ka shkarkuar, ruajtur, poseduar dhe shpërndarë nëpërmjet përdorimit të aplikacionit dhe rrjetit kompjuterik “eMule” dhe “eDonkey”, materiale si regjistrime filmike video dhe fotografike me përmbajtje pornografike me fëmijë të mitur.

Burimet zyrtare kanë thënë dje se “hetimet për aktivitetin kriminal të kryer nga i ndaluari janë kryer në bashkëpunim me autoritetet policore gjermane nëpërmjet kanalit të bashkëpunimit INTERPOL.

Pas ndalimit në Tiranë të personit të dyshuar, hetimet do vazhdojnë për verifikimin e gjithë aktivitetit të paligjshëm të mundshëm”, bëri me dije Policia e Shtetit ditën e djeshme. Sipas saj, në ngarkim të të ndaluarit, u kryen veprimet hetimore për veprën penale “Pornografia”.

PORNOGRAFIA 

Personi i arrestuar ditën e djeshme në Tiranë, me urdhër të Prokurorisë, akuzohet se ka shpërndarë te shtetas jashtë vendit materiale me përmbajtje pornografike.

Pikënisja e hetimit ka qenë mbërritja e materialeve të tilla të ndaluara nga adresa e Enkel Velës, te disa të mitur në Gjermani.

“Filtrat” e linjave të internetit në këtë vend kanë bërë efektin e tyre dhe ngjarja është raportuar në Polici. Ka qenë policia gjermane që ka parë se materialet po dërgoheshin nga një shtetas në Shqipëri dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e autoriteteve vendëse.

Prokuroria dhe Policia shqiptare kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, i cili e kryente veprimtarinë e tij me anë të njohurive që kishte në sektorin IT dhe si zhvillues i shumë programeve e aplikacioneve elektronike. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura