“Punoni për Atdheun”!

Sep 17, 2018 | 12:13
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI/ROMEO GURAKUQI Punoni për Atdheun”, – ky ishte mesazhi i një nxënësi 12- vjeçar, djali i një miku tim, një natë më parë në Tiranë, në momentin kur po përshëndeteshim. Një thirrje e bërë seriozisht, me vendosmëri dhe me bindje, që kishte brenda tone të një pakënaqësie të akumuluar. Një thirrje që të bën të mendosh, se është në të njëjtën kohë mesazhi shpotitës i çdo studenti në “hollin e ikjes” së Portit të Durrësit apo të Aeroportit “Nënë Tereza”. Një lutje, një akuzë dhe një urdhër, që të lë pa fjalë. Është subjekti i aktpadisë, që brezi më ri i Shqipërisë i adreson prej kohësh klasës politike, qeverisë së këtij vendi, që prej pesë vitesh nxjerr jashtë në heshtje, pa dhimbjen më të vogël, mijëra vajza dhe djem maturantë, dhjetëra mijëra fëmijë, që ikin çdo ditë me prindërit e tyre nga ferri, që socialistët i rihapën këtij vendi. Është “ushtria e dëshpërimit” që ndërtoi regjimi i Kryeministrit.

11000 maturantët e këtij viti, që refuzuan me përbuzje sistemin universitar shqiptar si të pabesueshëm, mijëra të tjerë, që u larguan të frikësuar nga qendrat universitare të qyteteve të degraduara kriminalisht nga politikat, kinse Rilindase, duhet të rëndojnë mbi ndërgjegjen e qeveritarëve dhe administratorëve, që në gjashtë vite ndryshuan në mënyrë marramendëse pasurinë e tyre, por që përkeqësuan paralelisht, në përmasa të paimagjinueshme, të ardhmen e një kombi të tërë. (Çfarë e pengon Arta Markun të verifikojë pronësitë e vilave të qeveritarëve dhe ndihmësve të tyre në Kunorën e Tiranës?)

Paroditë me ministra, që dhurojnë libra nxënësve, nuk mundën të fshehin dot të vërtetën se ky vend është i sunduar nga një lukuni ujqish, që kanë katandisur popullin në marramendje kolektive. Ata në pesë vite, kanë konturuar një shtet që largon pa kthim studentë, intelektualë dhe qytetarë normalë; kanë sendërtuar një hapësirë të lirë të kaosit, që lejon të lëvizin të sigurt, me pesë palë emra, hajdutë, kriminelë, trafikantë, që kanë rrënuar nëpër botë imazhin e dikurshëm të një vendi të besës dhe mikpritjes ilirike.

Veset, veprat e pafama, shtrembërimet e qëllimshme të ekipit politik shpirtërisht të deformuar dhe gabimet e injorantëve pa vizion, e hodhën Shqipërinë në kaosin e tmerrshëm shtetëror ku ndodhet sot, me një sistem arsimor në dekadencë të plotë nga politizimi ekstrem i drejtimit shkollor, me sistem konstitucional dhe juridik në kolaps, me një shoqëri pa rend, pa rregulla, pa siguri dhe me një ekonomi në informalitet dhe klientelizëm. Është fundi i shtegut pa krye ku e ka fut vendin aventurieri i socialistëve dhe ekipi i tij i karshëllinjve qeverisës.

Udhëheqësi i tyre, një shtagë vërtetë çehrevrarë, por ama krenar, po orvatet ta shndërrojë popullin e mbetur në vend, brenda kurthit të tij djallëzor, në një turmë, që ka humbur udhën, e sunduar nga një mishmash kopukësh, gangsterësh, hajdutësh dhe “sipërmarrësish” rrjepacakë. Njerëzit e demoralizuar të këtij vendi po trajtohen pabesisht nga udhëheqja si një kope e padisiplinuar, që ka nevojë për kamxhikun e shtetit. Ekipi i maskarenjve me pushtet të patundur prej parasë së grabitur me çdo mënyrë, po e çon Respublikën kuturu drejt askundit. E gjitha kjo ndodh për të çimentuar pushtetin politik dhe financiar të një dinastie biologjike dhe ideologjike horrash, të themeluar shumë herët mbi krimin e natës së 16 nëntorit 1944, këtu në Tiranë. Është krimi i kryer prej fiseve dhe sojeve të sajueme, ardhur në kryeqytet prej ferrave dhe drizave të urrejtjes ndaj civilizimit për të mposhtur Shqipërinë tradicionale. Janë bijtë dhe nipërit e atyre që dikur shkatërruan Shqipërinë e Kombit të Bashkuar, themeluar mbi nderin, familjen, lirinë, laicizmin dhe konstitucionalizmin. Janë ata, që faljen tolerante të datës 21 shkurt 1991 e lexuan si dobësi të disidencës, naivitet dhe mungesë vendosmërie për të nxjerrë jashtë ligjit për breza të tanë, farën familjare të komunizmit. Janë ata, që me përulje dhe hipokrizi, përgatitën gradualisht terrenin e rilindjes së tyre hakmarrëse.

Dua ta ilustroj gjithë këtë me një shembull kuptimplotë: Dikur, në vitin 1970, Sekretari i Parë i Komitetit të PPSH-së për Shkodrën, përveçse firmosi me dhjetëra urdhra arrestimesh dhe internimesh, dogji të ardhmen e qindra të rinjve, nxënës të shkëlqyeshëm të gjimnazeve të qytetit tim. Stërgjyshat, gjyshat dhe baballarëve e të privuarve ishin shkolluar në universitetet më të mira të Austrisë, Italisë dhe Francës. Ata, bijtë e tyre, u dënuan të mbesin pa shkollë dhe me vonë morën rrugët e Europës, larg atdheut. Sot, 28 vite pas rënies së regjimit të Sekretarit të Parë, Satrapi Provokator, dikur “antikomunist i tërbuar”, ka nominuar në Shkodër si deputet, të birin e tij, i cili me votën e pasuesve të kolaboracionizmit komunist, jo vetëm u mohon të drejtën e kthimit dhe riintegrimit në administratë, bijve të shkolluar të emigrantëve shkodranë të persekutuar nga i ati dhe orda e tij e kuqe, por ka ndërtuar në gjashtë vite struktura ilegale të frikës dhe dhunës, që e kanë shndërruar Shkodrën nga një qendër universitare tradicionale, qendër kulture, ekonomie të lirë, në një vend të frikshëm për studim dhe përparim intelektual në sytë e prindërve shqiptarë.

Është në fakt, një pjesë e skemës së goditjes së qendrave refuzuese të pushtetit të sotëm të socialistëve, përmes nxitjes së boshatisjes prej popullsisë rezistente, varfërimit dhe gllabërimit të pasurive të veriut të vendit, zënies së pasurive komunitare dhe private turistike, shkatërrimit të mjedisit alpin, përmes licencave të hidrocentraleve private.

Edhe përpjekja e sotme për imponimin e një takse të padrejtë, pa marrë miratimin e përfaqësisë së krahinave, mbi Rrugën e Kombit, mund të konsiderohet si pjesëz konstante e një politike të tillë diskriminuese. Sot ai ka ndërmend të përdorë sërish forcën e dhunës së pushtetit për një skemë të tillë. 31 marsi 2018 atij nuk i mjaftoi për të mbajtur duart larg shfrytëzimit deri në palcë të kësaj ane të vendit dhe ngritjes sërishmi të barrierës penguese të një populli që sapo përjetoi bashkimin e vërtetë nacional. Rruga e Kombit sot është sërish nën shënjestrën e tij dhe pasuesve gegofobë të hajdutërisë së Tiranës zyrtare. Ai siç duket nuk ka zënë mend dhe kërkon tani të marrë një mësim të dytë nga Mirdita, Mati, Shkodra dhe Kosova, të cilave Luma dhe Hasi besoj se nuk do t’i ndahen. Sot është dita, që ai duhet të detyrohet të kuptojë se Rruga e Kombit është edhe e Mirditës, Matit, Pukës, Shkodrës dhe Lezhës, është e vetmja nyje rrugore ndërlidhëse e popullit të Kosovës me tregun Adriatikas, është arteria themelore, që lidh plotësisht Gegërinë me Toskërinë. Po ashtu, edhe qytetarët e Kosovës gjenden tani të vendosur nën presionin e morsës, që në verilindje shtrëngohet në Mitrovicë nga Vuçiçi, ndërsa në jugperëndim, në Kalimash, nga dora e mikut të tij, Edi Ramës dhe 40 hajdutëve, që e mbështesin regjimin eksperimental socialist.

PO PSE NDODHIN TË GJITHA KËTO NË KËTË VEND?

Kemi të bëjmë me një çoroditje të një sistemi, që ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë graduale si një sëmundje e trashëguar, e përshpejtuar së fundmi nga ndërhyrjet aventureske, që na kanë sjellë në prag të shkatërrimit të kolonave ku mbahet në këmbë shteti. Dhe ky sistem nuk mund të korrigjohet, duke mbajtur si garant ose si faktorë reformatorë, autorët e rrënimit. Largimi i tyre, me çdo mjet të justifikueshëm nga sovrani, është një imperativ për korrigjimin e sistemit konstitucional, politik, juridik dhe arsimor, një kusht paraprak për pastrimin e politikës dhe drejtësisë. Pa këtë zhvendosje të tyre pa kthim, nuk mund të ketë asnjë garanci për brezin e ri të Shqipërisë, për arsimin e tyre cilësorë, jetën e tyre në një vend normal, që nuk prodhon më kasta hajdutësh. Për një të ardhme tjetër të nxënësve shqiptarë është e nevojshme një rithemelim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, strukturalisht e ndërtuar ndryshe dhe me burime njerëzore cilësisht të ndryshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura