Punime në shtëpi? Nga dyert tek panelet, ja ç’duhet të bëni që mos ta pësoni nga ligji

Mar 14, 2018 | 11:46
SHPËRNDAJE

Aksioni për vendosjen e kontrollit mbi territorin u shoqërua me shembje të ndërtimeve pa leje por edhe denoncime për ata që kishin shkelur ligjin.

legalizimet

Por duket se vrulli i kontrollit ka sjellë një pengesë të madhe për qytetarët që brenda shtëpive të tyre nuk munden të bëjnë ndërhyrje të thjeshta, që ligji ua lejon por Bashkitë ua zvarrisin duke i lënë pezull për një përgjigje. Këshilli i Investimeve gjatë vlerësimit të platformës e E-leje ka marrë në analizë edhe pjesën e ndërhyrjeve jothelbësore që kryhen në banesa vetëm me deklaratë paraprake.

Në këndvështrimin e Sekretariatit praktika e ndjekur aktualisht nëpërmjet platformës e-Lejet e cila kërkon miratimin e deklaratës nga Bashkitë përpara se të fillojnë punimet duhet rishikuar.

“Në germën dhe frymën e ligjit Nr. 107/2014, punimet që kryhen me deklaratë paraprake janë ato për të cilat nuk është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi.

Në këtë kuptim, ligjvënësi, në funksion të lehtësimit të procedurave në fushën e ndërtimit dhe veçanërisht për t’ju ardhur në ndihmë individëve që kryejnë punime të thjeshta dhe jothelbësore, ka kërkuar me këtë dispozitë vetëm shprehjen e interesit nga kërkuesi (aplikanti) dhe jo domosdoshmërinë e miratimit nga Bashkitë në formën e një Leje dhe/ose Autorizimi. Nisur nga kjo mendojmë se për këtë kategori punimesh nuk duhet të pritet më parë ndonjë formë aprovimi nga ana e Bashkive. Këto të fundit, kanë mundësi për të kundërshtuar këto punime kur ato kryhen në kundërshtim me kërkesat ligjore, ndërkohë që mekanizma të tjera të kontrollit dhe inspektimit të punimeve në terren duhet të vendosen për të shmangur abuzimet me këtë kategori punimesh” propozon Këshilli i Investimeve.

 

Dokumentet për ndërhyrje me deklaratë paraprake

Në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” saktësohet se disa punime mund të bëhen vetëm me një deklaratë paraprake. Pra nëse dikush do që të kryejë një ndërhyrje brenda shtëpisë së tij siç mund të jetë vendosja e paneleve diellore, tendë apo ndërhyrje në dyer e dritare të brendshme duhet që pranë sporteleve të njësisë vendore të depozitojë deklaratën dhe dokumentet që kërkohen.

Lista e dokumenteve përcaktohet në rregulloren për zhvillimin e territorit për këto ndërhyrje është përveç deklaratës paraprake edhe formular të deklaratës, sipas shtojcës D, të kësaj rregulloreje, në dy (2) kopje, dhe, sipas rastit, dokument që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private apo publike për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me  legjislacionin në fuqi dhe së treti projektin teknik të realizimit të punimeve, firmosur nga projektues të licencuar.

Punimet me deklaratë paraprake

Rregullorja për zhvillimin e territorit përcakton listën e ndërhyrjeve që mund të kryhen vetëm me deklaratë paraprake pa marrë leje ndërtimi. Të tilla janë punimet e jashtme si: ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese,  punimet mirëmbajtëse për mbulesat, vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese.

Po kështu është edhe një grup me punime të brendshme si përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme, krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike,  realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes,  punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara, struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast b enda një afati kohor maksimal 150-ditor,  vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave punime riparimi, mirëmbajtje dhe rehabilitimi të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja;  vendosja e tendave të diellit dhe pergolateve, në përputhje me ligjin.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura