Punësimi në Gjermani, profesionet që kërkohen. Duhen mjekë, inxhinierë dhe zanatçinj me moshë nën 21 vjeç

Jul 21, 2015 | 21:01
SHPËRNDAJE

Që nga fillimi i vitit e deri në fund të qershorit llogariten të kenë kërkuar azil në Gjermani 22.110 shtetas shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve do të kthehen mbrapsht.

Megjithatë një pjesë e tyre, të paktën ata që kanë një diplomë Mjekësie, Inxhinierie, apo të ndonjë profesioni tjetër për të cilin mund të kenë një pagë vjetore deri në 48 mijë euro, e kanë një mundësi për të qëndruar atje.

gazetaAgjencia e Punësimit në Gjermani ka hedhur idenë që ata persona që arrijnë të firmosin një kontratë pune, në sektorët e lartpërmendur, me pagë mujore minimumi 4 mijë euro, mund të marrin lejen e qëndrimit, e quajtur ndryshe karta blu.

Këta persona, edhe pse kanë aplikuar për azil, mund ta tërheqin aplikimin në momentin që do të arrijnë të lidhin kontratën e punës dhe të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi. Raimund Beker, kreu i Agjencisë së Punësimit, është shprehur në portalin gjerman “Zeit” se, për raste të tilla, profesionistët mund të shkëputen nga statusi i azilantit dhe të integrohen me status tjetër.

Megjithatë, ideja e tij duket se nuk ka gjetur mbështetje nga disa grupime politike të qeverisë gjermane. Sekretari i Shtetit ka deklaruar se kjo mund të sjellë abuzim me procedurat e azilit dhe se numri i azilkërkuesve do të rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Ai është shprehur se nuk duhen ngatërruar procedurat e azilit me ato të kartës blu (lejes së qëndrimit). “Në Gjermani sistemi i azilit është i ndarë në mënyrë strikte nga opsionet e tjera të migracionit”, është shprehur Sekretari i Shtetit për portalin gjerman të lajmeve.

LEJET E QENDRIMIT
Përveç mjekëve, inxhinierëve apo personave të tjerë që kanë një profesion, për të cilët ka vende pune në Gjermani, Agjencia e Punësimit atje ka hedhur idenë edhe për një grupim të rinjsh që mund të pajisen me leje qëndrimi. Sipas Agjencisë, të rinjtë që nuk janë më shumë se 21 vjeç dhe kanë prirje për profesione artizanale e mund të sigurojnë një kontratë pune në këtë drejtim, kanë një mundësi qëndrimi në Gjermani.

Në këtë formë është bërë një përllogaritje që, sipas zyrtarëve të kësaj Agjencie, nga 500 mijë aplikime për azil që priten deri në fund të vitit, maksimumi mund të pajisen me kartë blu 12 mijë prej tyre. Nga viti 2012 e deri tani, në Gjermani janë pajisur me leje qëndrimi 20 mijë refugjatë, të cilët fillimisht kishin aplikuar për të marrë statusin e azilantit.

Duket se ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, nuk është shumë dakord me idenë e Agjencisë së Punësimit, megjithatë ai nuk është prononcuar ende në lidhje me këtë. Disa ditë më parë, në një intervistë për të përditshmen gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, De Maiziere është shprehur se është shumë e rëndësishme që të reduktohet në mënyrë drastike numri i azilkërkuesve.

Për ministrin është e habitshme që, në vend që t’u kushtohet vëmendje azilkërkuesve nga vendet në krizë, në Gjermani kërkojnë azil shtetas nga Kosova e Shqipëria. Objekt kritikash është edhe pagesa prej 143 eurosh në muaj që shteti gjerman u jep azilkërkuesve, që, sipas tij, i nxit edhe më shumë këta persona që të aplikojnë.
ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura