Punëmirët e Zadrimës…

Apr 7, 2021 | 9:37
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli

FRANO KULLI

E kam evokuar nga e shkuara titullin e shkrimit. Ka qenë titulluar kështu një shkrimi im i mëse tri dekadave më parë, matanë kufirit ku ndahen kohët tona e dy regjimeve administrative; pak pa u mbyllë e shkuara dhe duke ardh e ardhmja.

Diku në kapërcyellin e fundviteve ’80 dhe fillimviteve ’90. Ma kujton shpesh miku e kolegu Tom Therçaj edhe si për të më matrikuluar origjinën time, gjithnji si respekt e parapëlqim i tij, diku i arshivuar, po herë-herë edhe si qestisje e “shpoti”…

Se zadrimorët, më shumë se për pushkë, disi ndryshe nga me ç’janë krenuar shqiptarët në shumicë, sidomos në male, ata janë për punë. Jo se pushkën s’kanë dijtë me e përdorue kur ua ka lypë nevoja. Në Hajmel, për shembull, ka pasë qenë e zhvilluar zeja e prodhimit të çarqeve të hutave, qysh në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. E kishin krijuar dhe e kolonisnin zejtarët e mëdhenj të qytetit, të Shkodrës.

Sikurse ka lulëzuar rritja e krimit të mëndafshit e cikli i përpunimit të fijes së tij vezulluese, thuajse derë për derë e shtëpi për shtëpi, katund më katund. Rrallë, grua a vajzë nuk nderte në oborrin e shtëpisë trinën me thupra, me shtroje me gjethe mandi, ku për tri javë a një muaj krimi i vogël i mëndafshit, ushqyer po me gjethe mandi, rritte fshikëzën e vet. Fshikëza, masandej, kthehej në fije mëndafshi.

E me fijen e hollë e të ndritshme thureshin veshje dritëpërcjellëse e vezulluese të nuses së Zadrimës; riza, boçe e këmisha harkate (e madhe, e gjatë) me mëngët e mëdafshta. Kjo ka ndodhë rëndom, së paku deri në fundvitet ‘60 të shekullit të shkuar. Për këto kam shkruar edhe atëherë se për këto mund të flitej.

Siç mund të flitej edhe për zeje të tjera. Po për aso zejesh, që nuk i bënin hije kooperativizmit dhe socializmit të “ndritur”… E nuk viheshin përballë me luftën kundër zakoneve prapanike a paragjykimeve fetare, deviza e revolucionionarizimit të jetës, si shëmbëlltyra e pështirë e revolucionit kulturor kinez, që e rrënoi për disa dekada antropologjinë e njeriut shqiptar. Pra, për punë e zeje janë dalluar zadrimorët edhe kur ka qenë rasti i armëve. Po për punë të bukura, sidomos.

Etnografi i shënjuar Rrok Zojsi, që në hulumtimet e tij nuk pati lënë pëllëmbë pa shkelë, në qytet e katund, në mal e në fushë e, mbasi e kishte njoftë e studiue si ai e kurrkush Shqipërinë etnografike, me doke e zakone, me kulinari e veshje sidomos, e vinte në krye të kresë kostumin e gruas zadrimore. Por jo vetëm ai, apo pasuesja e tij më vonë, mjeshtrja Afërdita Onuzi.

Të rrallë janë piktorët shqiptarë me emër, të njëqind vjetëve të fundit, që të mos kenë hedhë në tablotë e tyre penelata nga ky reliev estetik i kësaj krahine të begatë në krijimtarinë e tyre. Portreti i zadrimores ka qenë gjithherë joshës për ta. Simon Rrota, Kel Kodheli, Zef Shoshi, Pashk Pervathi, Nikolin Ivanaj, Pjeter Koleci…

Po edhe të huaj “shëtitës” këndej, piktorë a fotografë, gjithashtu… Me larminë e paskajshme të ngjyrave dhe me mjeshtërinë e ndërthurjes estetike të tyre në punimet e pambukut a të linit, të leshit a të mëndafshit sidomos. Nusja zadrimore, veshja e saj, shndrit si fërfërima e krahëve të fluturës.

Dhe, për fat, edhe në këto këtë kohë shprishjesh të mëdha të traditës në përballje me prirjet e gjithësishme globale, kjo traditë është mpakë, por nuk është shuar. Në Blinisht a në katunde të tjera ka tezgjahpunuese të mira që e ushtrojnë ende këtë zeje. Por, edhe në Shkodër, në familjen me emër të Mjedave, ushtrohet ky artizanat. Si në traditën më të mirë të Shkodrës emërmadhe edhe për këto punë…

Në Zadrimë, edhe me tokën e me bukën është bërë art. Toka, gjithherë është punuar mirë e bukur. Kollomoqja (buka e misrit) ka qenë në shéj e në zá në shqiptari. “Bukë Zadrime e vénë (verë) Podrime”, thoshin herët.

Një bukë e hollë, me miell të bluar imtë, por dhe e vizatuar me ornamente të bekuara me gishtat dhe me shputën e dorës së gatojcës (gruas së shtëpisë që e gatuante) ajo dilte një bukë e shijshme sa s’ka, por edhe e pashme, e bukur, gjithashtu. “Pshesha me kollomoqe, të mira e për zotni/kur don për rob e shpi, me i fal’ i madhi Zot”, lëmonte vargjet e veta për kollomoqen, liriku i lëmuar, poeti Mjeda…

NË ZADRIMË SHKOHET PËR… MRIZ

Sot, në Zadrimë shkohet për shumëçka; shkohet për te poçeria e Vasilit në Krajnë, a për një tours kulturor a pelegrinazh nëpër kishat duke filluar nga Kisha e Sh’misë në Kallmet për historinë që mbart, nga Kuvendi historik i Troshanit, prej të cilit kanë filluar shkollimin e tyre françeskanë si Fishta e Gjeçovi, që më vonë janë shënuar si fondamente të kulturës së kombit të kohëve të reja e deri në Nenshat, në Sapën e dikurshme ku prej më se 960 vjetësh është Katedralja, qendra e Dioçezës së Sapës.

Por një atraksion gati unitar është ai i kulinarisë e më përtej. Më shumë se për shumëçka, në Zadrimë sot shkohet për…mriz. Ky është motivi i fortë, për cilindo që në fundjavën e vet, pas zagushisë së “vapës” që të shtyp dimër e verë në qytetet e rrëmujshme shqiptare, të josh të pushosh, të mrizosh atje. Janë së paku katër restorante me emër në Zadrimë.

Porse “Mrizi i Zanave” i Altinit, Altin Prengës, në zemër të Zadrimës në Fishtë, sot është një patentë turistike shqiptare, për shqiptarë mbrenda e jashtë e për mjaft të huaj nga Europa e më përtej. Këtë të vërtetë e pohojnë të gjithë; media e politikanë nga dy krahët; edhe ata në majë të piramidës. Kjo arritje ka ndodhë sepse krijuesit e Mrizit kanë prekë në rrënjët e traditës së këtushme dhe e kanë evokuar atë në më të mirën e saj. Dhe Zadrima ka përbërë epokë në mirësinë e saj.

Shekuj me radhë. Do të shkruante Frang Bardhi (1606-1643), Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, më i riu ipeshkëv në historinë e Kishës Katolike shqiptare dhe ndër më të diturit, po ashtu, në njërin prej relacione të tij të njohura që dërgonte në “Propaganda Fide” e Vatikanit në Romë, të cilat i ka pasë sjellë në të sotmen tonë në shqip në vitet ’60 të shekullit të kaluar, eruditi Injac Zamputi: “Krahina e Zadrimës… një provincë e vogël në mes dy qyteteve, Shkodrës dhe Lezhës, në një fushë të bukur, shumica e së cilës shtrihet përgjatë Drinit, është shumë pjellore, ku bëhen të gjitha llojet e frutave. Ka fiq, dardha, kumbulla, shegë, pjepër, shalqi, maré, çikore, rrepa, hudhër, qepë dhe zarzavate të tjera e të gjitha llojet e perimeve në sajë të Perëndisë.

Po rritet edhe grurë e mel dhe bëhet verë. Ka qé, lopë, dele, derra, kuaj … ka burime të freskëta çdo metër përgjatë maleve e kodrave shumë të bukura që e rrethojnë atë. Ka lumenj të mëdhenj e të gjatë si Drini, po edhe Gomesigeia (Gomsiqja) e Ghiadri (Gjadri), të mbushur plot e përplot me të gjitha llojet e peshkut. Ka burime uji për mullij për të bluar grurin…”.

Thotë edhe që kishat janë ndërtuar në shumicën e tyre me altar drejt lindjes dhe dyert e tyre kryesore të hapjes në perëndim… Por ajo që ndërlidh kohët e vendet e vlerat ndërmjet, prej atëherë e deri te “Mrizi…”, sot është njohja mirë e kësaj tradite e trashëgimie. Po është kombinuar mirë me përvojën e fituar në vitet e emigrimit në Italinë fqinje, njëshi europian i kulinarisë. Sigurisht, edhe me nuhatjen e hollë të djemve vullnetmirë si Altini.

FISHTA, I PARI E FUNDMI PARLAMENTAR ZADRIMOR

Gjergj Fishta, lindë në Fishtë të Zadrimës, është i pari deputet zadrimor. I zgjedhur në Parlamentin e Parë të Shqipërisë me 1921 edhe nënkryetar i tij, gjithashtu. Kjo është e njohur e hershme dhe e përsëritur shumë e shumë herë. Ajo që njihet pak e rreth së cilës flitet pak e hiç publikisht, është tjetra, se Fishta ka qenë i pari, por edhe i fundmi parlamentar zadrimor.

Mjeshtrit e politikës, prijësit 30-vjeçarë që e kanë pasë në dorë si pronë të vetën parlamentarizmin këtu, e kanë psikologjisë e njoftë mirë cilësinë e mosbëzamjes e mosbërtitjes së zadrimorëve, si sjellje e qytetëruar e jo për tjetër. Dhe nuk e kanë mirëpërdorë atë. Sidomos ata të së djathtës.

Duke i parë e kategorizuar ata si votues të një bastioni të sigurt, rregullisht kanë dërguar të preferuemin e kupolës, me lidhje krejt të tërthorta me krahinën.

I vetmi rast kandidimi i një zadrimori në Zadrimë ka qenë Zef Preçi, një format dinjitoz e i plotpërputhshëm me kërkesat e përfaqësimit për një krahinë si kjo. Por… u çmua si në krahun e gabuar e në kohën e gabuar, gjithashtu. E q’prej atëherë (2005), nuk ka ndodhur më…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura