Publikohet raporti i kreut të misionit britanik në betejën e Tiranës: Ja arsyeja pse u shmang bombardimi i kryeqytetit

Aug 4, 2018 | 23:32
SHPËRNDAJE

Studiuesi Erald Kapri publikon një raport të Majorit Britanik J.P.F Oliver, që ishte kreu i misionit britanik pranë Mehmet Shehut në betejën e Tiranës, dhe ku sipas tij konfirmohet arsyeja përse ishte shmangur bombardimi i kryeqytetit për të larguar gjermanët.

erald-kapri

Raporti i Majorit Britanik J.P.F Oliver, Dosja: HS 5/123, National Archive

Në datën 29 tetor, në mbrëmje, arrita të bëja një zbulim duke shkuar në periferi të Tiranës pa dijeninë e partizanëve. Zbulova se trupat e divizionit të parë ishin tashmë në lindje të qytetit dhe gjermanët po tërhiqeshin pa ndonjë kundërveprim. Në mëngjes mora një”guidë” për të vendosur shtabin tim në Tufinë, rreth 5 milje larg Tiranës, pata mundësi të heq rreth vetes partizanët dhe hyra në një shtëpi në pjesën lindrore të qytetit. Zbulova se gjermanët kishin evakuar këtë pjesë të qytetit, duke përfshirë ushtarakët, pjesëtarët e spitalit të tyre, madje dhe barakat e inxhinierëve gjermanë. Ata kishin formuar një perimetër për mbrotjen e qendrës së qytetit dhe pjesën e Tiranës së re dhe plani i tyre i tërheqjes ishte tepër i lexueshëm.

Pas 3 ditësh në qytet, arrita në konkluzion se garnizoni gjerman përbëhej nga rreth 300 vetë, ndërsa Mehmet Shehu më thoshte se janë 3 mijë, kur e vetmja rezervë që gjermanët kishin në Tiranë ishte një skuadrion i lëvizshëm me vetëm dy tanke dhe disa makina të blinduara me transportues. Këtë perimetër gjermanët e ruanin me aftësi të mëdha dhe me sukses ecnin përtej perimetrit dhe pastronin çdo zonë ku partizanët shfaqeshin. Pasi mora pjesë në një apo dy përplasje, u binda së bashku me numrin dy të misionit Leitnant Hon R.D Uinn, se partizanët nuk po bënin asnjë përpjekje reale, as për të sulmuar dhe as për t’u rënë në qafe gjermanëve. (Një fakt; pozicioni që partizanët arritën më 30 tetor mbeti statik deri më 11 nëntor, edhe pse partizanët ishin më shumë në numër, 10 me 1 në raport me gjermanët). Disa herë ne pamë një grup prej 5 gjermanësh me një mitraloz, që zmprapsnin një grup prej qindra partizanësh të pajisur me dhjetëra mitralozë të lehtë. Pavarësisht se partizanët kishin superioritet në fuqi zjarri, ata kishin mungesa në murtaja dhe granata. Por unë e dija se këto materiale, si: murtaja dhe granata, partizanët i kishin në Bizë dhe i kishin marrë ndihma me parashutë nga ne.

Më pas, një grup partizanësh erdhën të më merrnin në ditën time të tretë që isha në Tiranë dhe shkova në shtabin e Brigadës së parë, ku gjeta Hysni Kapon, komisar dhe shef i stafit të kësaj komande, që më priste. Nuk më dha asnjë referencë në lidhje me hyrjen në qytet dhe priste komente nga ana ime. E pyeta: kush e ka fajin që mungojnë materialet si murtaja dhe granata në luftimet që po bëhen ? Mos e kishim fajin ne apo ata që nuk po shpërndaheshin? Ai nuk u shfaq i surprizuar për mungesën e këtyre materialeve. Më pas, erdhi Shehu së bashku me Komisarin Themelko dhe diskutuam të njëjtën çështje. Ai më pyeti së çfarë ndihma do të vijnë nga ndihma ajrore për Ballkanin. I thashë se një operacion i tillë do të kishte vlerë pas një sulmi të koordinuar të këmbësorisë dhe e pyeta se kur ka ndërmend ta bëjë. Ai mu përgjigj:” Ju bombarduat objektivat që ne ju kërkuam dhe, sa për sulmin e këmbësorisë, nuk është puna juaj”.

Iu përgjigja duke i thënë se përgjigjja e tij nuk është bindëse dhe se duke parë që forcat armike në Tiranë janë kaq të vogla në numër, është e vështirë të bind shtabin tim në Bari të realizojë një sulm ajror që është shumë i kushtueshëm dhe nuk besoja se do të ishte me vlerë pa pasur një garanci që partizanët do e përdornin mirë këtë avantazh. U kërkova të vizitoj sektorët në frontin perëndimor dhe verior dhe që të mund të sinjalizoja Barin, bazuar në të dhënat që do mblidhja, por në të njëjtën kohë duke u lënë kohë atyre të merrnin një vendim për sulmin.

Unë vazhdoja të insistoja tek Shehu dhe Ndreu se pozicion statik i partizanëve favorizonte vetëm armikun dhe, pa një plan për të sulmuar, s’mund të kishte sulme ajrore nga pala jonë. Unë isha kundër situatës aktuale dhe do t’ua shprehja edhe atyre, por edhe shtabit tim në Bari të Italisë. Në lidhje me qëndrimet që na vinin nga të burgosurit e luftës, të cilët kishin vullnet të bashkëpunonin dhe të dorëzoheshin tek ne dhe jo tek forca jo të rregullta ushtarake, u kërkova që të bisedoj me komandantin e garnizonit gjerman, kapiten Ledener. Kjo u diskutua fillimisht së bashku me idenë e një plani për sulm, por menjëherë më pas, pasi mora një përgjigje negative, bëhej i pamunduar sulmi ajror dhe marrja e perëndimit të qytetit nga partizanët .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura