Publikohen dokumentet e rralla/Gripi spanjoll, si merrnin leje tregtarët në Elbasan për të lëvizur nga qyteti në qytet! Për popullatën…

Jan 19, 2021 | 14:35
SHPËRNDAJE

leja-elbasan-759x383

Pandemia e gripit spanjoll e vitit 1918 njihet si një nga pandemitë më vdekjeprurëse në histori. Numri i viktimave llogaritet nga 20-50 milionë persona. Shumë vendeve u mungojnë statistikat dhe të dhënat lidhur me impaktin e kësaj pandemie. Sa i përket Shqipërisë, janë të rralla të dhënat lidhur me prezencën e “gripit të Spanjës apo sëmundjes spanjolle”. Megjithatë, në arkivën e shtetit gjenden disa dokumente që tregojnë për disa masa që ka marrë në atë periudhë nënprefektura e Elbasanit.

Kur pandemia e njohur si gripi spanjoll u përhap edhe në Shqipëri, vendi në atë periudhë administrohej nga ushtritë e huaja; ajo italiane, austro-hungareze dhe franceze.

Në atë periudhë vendit i mungonte një sistem shëndetësor i mirëorganizuar, mjekët dhe spitalet për të përballuar një ngjarje shëndetësore të kësaj përmase.

Në dokumentet e Arkivës së Shtetit që sjell për herë të parë SCAN, gjendet një qarkore e shkruar me shkrim dore për shpërndarjen e afisheve informuese por edhe disa shkresa të tjera që të ndihmojnë të hedhësh sadopak dritëlidhur me atë që ka ndodhur në ato vite në Shqipëri.

Statistikat dhe shmangia e grumbullimeve masive

Shkresa e parë mban numrin 412 dhe i drejtohet drejtorisë së Dumresë në Belsh. Në këtë periudhë kishte pak muaj që bota ishte përfshirë nga pandemia (shpërtheu në shkurt 1918).

Duhet të bani hetimet e nevojshme dhe të na lajmëroni se prej punëtorëve dërguemë në rrugë ose tu ardh prej rruge në shtëpi të tynë, sa vetë kanë vdekun deri tani në rrugë? Të bani një listë duke treguar emnin, mbiemnin si dhe katundin” shkruhet në shkresën që mban datën 22 gusht 1918 dhe firmën e nënprefektit.

Në këtë periudhë, në Shqipëri aplikohej ‘taksa e rrugës” ku shqiptarët në moshë pune detyroheshin që të shlyenin detyrimin duke punuar disa ditë në muaj në ndërtimin e rrugëve.

Si rrjedhojë e këtij detyrimi, punimet kryheshin me aksione masive që grumbullonin shumë njerëz por në këtë rast, përbënin rrezik për përhapjen e virusit.

Afishe për mbrojtjen nga ‘sëmundja e Spanjës’

Një shkresë tjetër mban numrin 110 dhe datën 17 dhjetor 1918 ku nënprefektura e Elbasanit u drejtohet krahinarive që i vë në dijeni për afishet me masat parandaluese për “sëmundjen e Spanjës”  që duhet të shpërndahen në popullatë. Po ashtu, nënprefektura u kërkon krahinarive që të lajmërojnë kryepleqtë megojë që të veprojnë ashtu sikurse shkruhet në zëdhënie, pra në afishet publike ku jepen masat që duhet të marrin shqiptarët për të parandaluar infektimin.

Leja për të lëvizur nga qyteti në qytet

Një shkresë tjetër është ajo e datës 8 dhjetor 1918 që mban firmën e Emin S.Matraxhiut në Elbasan drejtuar nënprefekturës ku i kërkon leje lëvizje nga Elbasani në Berat. Në letër drejtuar nënprefektit, Matraxhiu shkruan se kërkon të shkojë në Berat e të qendrojë aty për më shumë se një muaj për arsye tregtie.

Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura