Pse xhaxhai dhe dy nipërit masakruan kushëririn, zbulohet shkaku i sherrit që përfundoi tragjikisht

Aug 25, 2018 | 22:08
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Xhaxhai dhe dy nipërit dhunojnë për vdekje 56-vjeçarin, arrestohen. Arben Nazif, 56 vjeç, Emiljano Nazif, 30 vjeç, dhe Edison Nazif, 30 vjeç, të tre banues në Korçë, akuzohen se kanë dhunuar Nevruz Fiqi, 56 vjeç, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij.

korca

Ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 16:00, ku tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, në Lagjen Nr. 8 kanë plagosur rëndë me grushte e shkelma 56-vjeçarin, i cili si pasojë e kësaj dhune fizike dyshohet se ka gjetur vdekjen gjatë natës në banesën e tij.

56-vjeçari Fiqi u gjet pa jetë në shtëpinë e tij nga i vëllai të premten në mëngjes, pasi jetonte i vetëm. Policia nisi hetimet, pasi në fytyrën e viktimës u konstatuan shenja dhune.

Nga ana tjetër, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe priten konkluzionet përfundimtare të ekspertizës mjeko-ligjore. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por nga familjarët mësohet se 56-vjeçari fillimisht është konfliktuar me Emiljano Nazifin, person ky me precedentë penalë, për mbledhjen e kanaçeve.

Personi i akuzuar si autor ka të afërm në pallatin 2-katësh, ku jetonte edhe viktima. Ndërkohë që nga informacionet mësohet se një natë më parë viktima ka qenë duke pirë me një të afërm në hyrje të pallatit, aty ku ka pasur edhe një konfrontim fizik me një person tjetër. Ka qenë vëllai i 56- vjeçarit, ai i cili ka gjetur trupin e pajetë, duke lajmëruar më pas edhe Policinë.

Burime nga Policia bënë të ditur, se nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës janë konstatuar gjurmë gjaku dhe hematoma në fytyrë. Pritet që të kryhet ekspertiza mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 56- vjeçarit. Ndërkohë, ndaj tre të arrestuarve Prokuroria e Korçës ka ngritur akuzën “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura