“Pse volli vrer pas ‘90-ës mjeku më i besuar i Enver Hoxhës”- Kardiologu Ahmet Kamberi zbulon prapaskenat: Frika më e madhe që kishte profesor Fejzi Hoxha! Ç’më rrëfeu Babë Myslymi

Jan 25, 2021 | 21:45
SHPËRNDAJE

Profesor Fejzi Hoxha, një nga mjekët më të besuar nga udhëheqja komuniste e kohës, duke filluar nga Enver Hoxha por dhe Hysni Kapo, për shkak të përvojës dhe moshës së tij, analizohet në librin e profesor Ahmet Kamberit, “Pacienti ynë i veçantë”, përmes qëndrimeve dhe veprimeve të tij profesionale ndaj pacientit.

Profesor Hoxha, do të ishte gjatë jetës së tij i dyzuar dhe nën një persekutim të vazhdueshëm, që nuk ia bënte askush, por ndjenja e një gabimi të mundshëm që mund të ndodhte gjatë mjekimit të Enver Hoxhës, që mund t’i shkaktonte atij dhe vdekjen.

kamberi

Duket se profesor Hoxha jetonte nën makthin e një dënimi që atij dhe familjes së tij mund t’i bëhej nëse me shëndetin e Enver Hoxhës gjërat nuk shkonin siç duhej. Por sipas Ahmet Kamberit, anëtarit të grupit special të mjekëve pranë Enver Hoxhës, pozicionimi i profesor Hoxhës në krahun e nacionalistëve në Konferencën e Mukjes, sipas dëshmisë së Babë Myslymit, e rëndonte gjendjen e tij biografike në rast të ndonjë ndëshkimi.

Nga ana tjetër, sipas Kamberit, profesor Hoxha edhe pse ka qenë më i besuari, por dhe i shpërblyeri dhe me pozicione deri politike, si ai i disa mandateve në Kuvendin Popullor, ai nuk e kursen vrerin e tij pas viteve 1990 ndaj udhëheqësit komunist Enver Hoxha, të cilit i shërbeu për disa dekada.

AHMET KAMBERI

TREMBJA PREJ NJË RREZIKU IMAGJINAR

Ankimi i prof. Hoxhës për mua te Hysni Kapoja mund të ketë lidhje me trembjen nga një rrezik, të cilit ai mendonte se duhej t’i ruhej fort.

Shumë vite më vonë do të mësoja për rezervat e mëdha të profesorit. Në atë kohë unë e dija që Profesori kujdesej për shëndetin e Hysniut, por nuk e kisha idenë e marrëdhënieve të tyre personale.

Kur lexova kujtimet e tij, në librin e Llukë Heqimit, profesor Fejzi Hoxha, mjeku, humanisti, pedagogu, shkencëtari, kuptova se ashpërsia e sjelljes sime para Hysni Kapos ka qenë një kokëkrisje e një të riu naiv. Kuptova gjithashtu se profesori ka qenë një njeri i dyzuar. Edhe pse ishte personi që kishte gëzuar besimin e plotë të familjes dhe trajtimin e veçantë miqësor të Enverit dhe që, ndoshta ndër ne të tjerët ishte më i besuari, ai kishte jetuar me ankthin dhe frikën se mos me ndonjë veprim të tijin, i cili mund të mos rezultonte medoemos i suksesshëm, do ta pësonte keqas ai dhe familja e tij.

Prandaj, përkundër faktit që ishte një klinicist i spikatur, ai matej shumë në përshkrimin e mjekimit të udhëheqësit, mjekim të cilin nuk e kishte provuar vetë, ose nuk kishte pasur rastin ta provonte. Këtë ne e kishim vënë re, por e quanim si thjesht një kujdes të tij të tepruar. Në kujtimet e veta ai e mban veten si mjeku përgjegjës i Enver Hoxhës dhe se, po të ndodhte diçka, do të ishte ai që do të ndëshkohej.

Kështu, ndoshta mund të ketë qenë para krijimit të ekipit. Por, e vërteta është se pas krijimit të ekipit mjekësor nuk ka pasur asnjë mjek përgjegjës, sepse ishte ekipi, në njëmendësi të plotë dhe askush tjetër që merrte vendime dhe përgjegjësi për mjekimin e pacientit. I vetmi që do të mbante përgjegjësi vetjake, mund të ishte kardiologu i shërbimit të pandërprerë, i cili në rast urgjence urdhëronte vetë mjekimet që i duheshin bërë atij aty për aty. Për ato nuk mund të pritej mbledhja e njësisë ose e ekipit.

Ndoshta profesorit i peshonte edhe një fakt tjetër, të cilin, të paktën unë e dija, por nuk ia kisha përmendur ndonjëherë, kurse ai vetë mund ta ndjente si mizë nën kësulë. Babë Myslimi më kishte thënë disa herë që e kishte pasur përballë atë në Mukje (në Konferencën e Mukjes, ku Profesori ishte në krahun e nacionalistëve). Por pavarësisht kësaj, ai e kishte mjekuar Babën për shumë kohë dhe Baba e vlerësonte për këtë. Ajo për të cilën ankohej Baba ishte se, profesori, nga frika se gjendja e tij klinike nuk e lejonte, ishte bërë pengesë të operohej për glaukomën, kur këtë e kishin kërkuar specialistët oftalmologë. Shumë kohë më pas, Baba u operua në një gjendje klinike aspak më të mirë, por atëherë ndryshimet anatomike të nervit të pamjes ishin të pakthyeshme.

Në kujtimet e tij, profesori shkruan se mbante një aparat që e shqetësonte shumë kur binte, ngaqë kërkohej nga Klinika Speciale. Në të vërtetë ai aparat ishte një biper që e mbanin vetëm anëtarët e ekipit mjekësor, jo konsulentët e Klinikës Speciale e as mjekët e saj. Ai i bën të qarta dyshimet e tij, të cilat i kishin diktuar gjatë gjithë kohës edhe sjelljen profesionale ndaj pacientit. Ja se çfarë shkruan Llukë Heqimi, mbështetur në shënimet e tij: “Jo rrallë në Klinikën Speciale mendimet nuk ishin gjithmonë të njëjta.

Fejzi Hoxha nuk lëvizte kollaj nga e tija, saqë njëherë, pa marrë parasysh vendin delikat, kërkoi të tërhiqej nga konsulta e përgjithshme (lexo: Ekipi, A.K.), duke u qëndruar besnik mendimeve të tij. Çdo gjë e re – mendonte prof. Hoxha – është e re dhe e mirë, por ajo do të kërkonte edhe dy gjëra të rëndësishme. Së pari: Çfarë do të ndodhte në ecurinë e këtij opinioni të ri në përgjithësi? Së dyti: Si do të vepronte individi ndaj rënies së theksuar të peshës, në rastin konkret, ishte fjala për rënien nga pesha të Enverit. Prof. Hoxha, në aspektin e marrëdhënieve, nuk e kishte asnjëherë të lehtë punën, megjithëse ishte njeriu më i besueshëm për shumë e shumë arsye.

Një siguri e tepërt, ose një besim i tepruar edhe në një rrugë të drejtë ku nuk mendohej të ndodhte gjë, mund të bëhej shkak e ndoshta, t’i kushtonte edhe familjarisht…Çdo gjë mund të pranonte, përjashtuar barrën e rëndë që duhej të mbante për të sëmurin. Kjo kalonte çdo torturë njerëzore. Komplikacionet e mundshme nga sëmundja në përgjithësi shoqëroheshin me fjalët e zakonshme: -Kush e shqetësoi udhëheqësin?! Mjekët duhet ta sjellin në shëndetin e parë sa më shpejt. Partisë i duhet Enveri më shumë se kurrë, tani në këtë kohë të mbushur me armiq. Një aparat i vogël që mbante në trup, ia prishte gjakun sa herë që binte. Ai e paralajmëronte se duhej të telefononte Klinikën Speciale. Dikush ishte i sëmurë. Por atij i shkonte mendja për Enverin. Duke ditur sëmundjet që kishte, profesorin e tronditnin fantazitë e asaj që ishte më e rrezikshme”. (Nënvizimet janë të miat) Por, si duhej ta kuptoje këtë shënim të tij që vijon:

“Pas 25 vjetësh të diabetit, Enver Hoxhës i ndodhi ataku i parë i zemrës. Sëmundja e sheqerit po shfaqte rrezikun e saj të madh. Historia filloi disi e çuditshme. (Është fjala për periudhën midis 13 gushtit 1973 dhe 16 tetorit të atij viti, të cilën unë e kam përshkruar më sipër A. K.). Mjekët nuk i dhanë rëndësi shtrëngimeve të forta të gjoksit, duke mbivlerësuar një elektrokardiogramë normale. (Siç kam treguar më sipër, kishte 3 elektrokardiograma që flisnin qartë për praninë e sëmundjes arteriore koronare: prova ushtrimore e vitit 1967, elektrokardiograma e regjistruar në Durrës natën e 13 gushtit 1973 dhe elektrokardiograma e regjistruar në Dajt, menjëherë pas një krize anginore tipike të kraharorit, po në gusht 1973. A.K.) Por, këto shenja nuk ishin nga duhani dhe mundësia e ngushtimit të enëve të gjakut nga nikotina, por këto ishin dëmtime të vërteta të enëve të gjakut. Krizat vazhdonin pa pushim dhe pacientit po i sosej durimi” (Nënvizimet janë të miat).

E habitshme! Shtrëngime të tilla, por më të lehta dhe më të rralla, sidomos kur ecte në të ftohtë ose kundër erës, siç e kam përshkruar më sipër, ai kishte pasur që në vitin 1965 dhe prova ushtrimore në vitin 1967 kishte qenë pozitive për iskemi të muskulit të zemrës, pa zënë në gojë ankimet klinike tipike të anginës së paqëndrueshme midis 13 gushtit dhe 16 tetorit 1973, ndërkohë që siç e ka pohuar, mjeku përgjegjës kishte qenë ai vetë. Kishte edhe të tjera të cilat do t’i mësoja më vonë për profesorin. Prej tyre kuptova se si njerëzit mund të bëjnë edhe punë, të cilat, në vend që t’u japin kënaqësi, u shtien frikën, makthin dhe dyshimin e përjetshëm në pritje të së keqes. U fut drojën nga mungesa e plotësimit të pritshmërisë nga veprime të caktuara, që një profesionist i mirë i bën me qëllim të mirë. U ngulit idenë e persekutimit se mos një gabim i vogël bëhet shkak për fatkeqësi të mëdha personale e familjare.

U rrënjos mënyrën se si duhet të fshihen gjithmonë nga përndjekja që imagjinojnë. Madje, edhe në shënimet e tij, siç del nga libri i prof. Heqimit, prof. Hoxha përpiqet të mbetet i fshehtë. Ai thotë se “Jo rrallë mendimet në Klinikën Speciale…”, kur, në të vërtetë, bëhet fjalë për mendimet në Ekipin Mjekësor të Enver Hoxhës. Ai thotë “…kërkoi të largohej nga konsulta e përgjithshme”, kur nuk bëhej fjalë për asnjë lloj konsulte, por për ekipin mjekësor të Enver Hoxhës. Ai flet për një aparat të vogël që i prishte gjakun se duhej t’i telefononte Klinikës Speciale, kur ai duhej t’i telefononte oficerit të shërbimit të brendshëm në shtëpinë e Enver Hoxhës.

Frika e tij duket edhe në fshehjen e së vërtetës, në mbajtjen e këtyre shënimeve. Nga shënimet e tij, del dhe se ai kishte pasur marrëdhënie shumë të mira personale me Hysni Kapon, për të cilin ai kishte një vlerësim të posaçëm dhe një simpati të jashtëzakonshme. Është krejt njerëzore dhe e kuptueshme kjo. Ai ishte njohur me Hysniun që në ditët e para të Çlirimit, kur merrej me organizimin e shërbimit mjekësor në Spitalin e Shkodrës dhe kishte pasur një përplasje me komandantin, Esat Ndreun. Meqenëse prostitucioni ishte i ndaluar, Ndreu i kishte kërkuar atij që prostitutat të mos lihen rrugëve, por të sistemoheshin si punonjëse në spital. Këtë profesori e kishte kundërshtuar dhe Hysniu e kishte ndihmuar (Ll. Heqimi, libër i cituar).

Profesori kishte pasur rastin ta takonte shumë herë më pas, ta mjekonte dhe të kujdesej për ndjekjen e tij mjekësore, t’i shfaqte mendime jo vetëm për Klinikën Speciale e për ekipin mjekësor të Enverit, por edhe për shëndetësinë në përgjithësi, të cilat Hysniu ia kishte vlerësuar dhe e kishte dëgjuar. Ai, në asnjë rast, nuk shprehet se ndihej i frikësuar ose i trembur nga Hysniu, qoftë edhe kur ai e përdori për herë të parë glukofazhin dhe diabinezën tek ai. Përkundrazi, ai nuk lë rast pa shprehur frikën nga Enveri, me të cilin ai ishte njohur që në lice, e kishte bërë drejtor të Spitalit Civil që më 1946-n, i kishte hapur rrugën e karrierës profesionale e shkencore, e të aktivitetit politik (deputet), si edhe i kishte dhënë titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Në njëfarë mënyre, ai shpreh ndjesinë e të qenit i terrorizuar gjatë gjithë kohës që i ka shërbyer atij dhe sidomos, Nexhmijes.

Në një artikull të publikuar pas vdekjes, të bazuar në shënimet e tij, ai e shfaq haptazi këtë tmerr dhe shprehet në mënyrën më të keqe të mundshme për një mjek, të cilit i ishte dhënë një besim i madh, që ai e zvetënon pa iu dridhur qerpiku. Megjithatë, nuk qe dhe nuk është as i pari dhe as i fundit. Ideja e ngulitur e persekutimit nuk iu nda atij sa qe gjallë dhe po ashtu dëshira për të vjellë vrerin, që i kishte helmuar shpirtin prej dekadash, kundër atij që i kishte dhënë dorën dhe e kishte nderuar aq shumë, përtej çdo merite.

Këto mund të kenë qenë edhe arsyet kryesore se pse ai i druhej Pacientit. Pse i trembej përgjegjësisë dhe nuk kishte guximin e mjaftueshëm t’ia bënte të qartë problemin real të shëndetit të tij, si edhe të rrjedhojave të mundshme nga mostrajtimi i duhur. Pse ngutej në mjekimin e problemeve shëndetësore të parëndësishme deri në bezdi dhe i zbuste ose rezervohej në mjekimin e duhur për ato që ishin me të vërtetë të rëndësishme. Në këtë qëndrim ai përpiqej t’i tërhiqte edhe kolegët e tjerë dhe jo krejt pa efekt. Pacienti kërkonte shpjegime me argumente bindëse, në mënyrë që ai t’i dinte rrjedhojat vërtetë reale të problemit të caktuar shëndetësor e që të bëhej i vetëdijshëm dhe bashkëpunues. Por, ai e urrente mënyrën e shpjegimit me përpjekje për ta trembur atë. Kësaj ai i përgjigjej prerazi negativisht.

Nexhmija, duke justifikuar se pse ajo nuk e kishte gjithmonë të mundur të na ndihmonte, duke na vënë në dijeni për shqetësimet e pacientit, zbulon edhe qasjen e profesorit në trajtimin e problemeve të tij: “’Na ndihmo!’ ishte një fjalë goje, – thotë ajo – sepse Enveri kur sëmurej nuk ishte në humor të mirë, nuk i pranonte lehtë kontrollet, ilaçet, rekomandimet e kufizimet e shumta. Ai nuk donte ta pyesje shpesh: ’Si ndihesh?…Të kaloi?’. Neve grave nuk na lë instinkti i gruas, i nënës, shpesh bëhemi të bezdisshme me përkujdesjet tona: ‘Mos këtë …mos atë…! Merre shallin se fryn erë…’, etj., dhe ai përsëriste refrenin e prof. Hoxhës ‘Mos në diell se të lodh! Mos në det se të ftoh!’” (Nënvizimi është i imi.)

Në verë të vitit 1995, tek po shëtisnim në një park në Zyrih, në pritje për t’u nisur për Amerikë, një koleg imi, i cili e kishte vizituar profesorin tri ditë para se të vdiste, kureshtar të mësonte diçka nga unë, më tregoi bisedën që kishte bërë me të. Ai i kishte thënë atij se donte të rronte edhe pak, sepse kishte për të folur shumë për diktatorin. Se ç‘ kishte për të folur për diktatorin, e dinte ai dhe e ka marrë me vete. Por, ajo që dinim ne, të cilët kemi punuar me të, është se ai ishte personi më i vlerësuar i Enver Hoxhës, ndër të gjithë ne të tjerët, se ai e dëgjonte atë me shumë vëmendje, se bënte edhe shaka me të dhe se ai kujdesej në mënyrë të veçantë për të. Madje, në një rast, unë vetë i kam çuar atij një arkë me dhjetëra vëllime librash në frëngjisht, që i kishin ardhur Enverit, dhe ai kishte thënë t’ia çonin Fejziut.

Në kujtimet e tij të vitit 1988, botuar në një përmbledhje kujtimesh për Enverin, ai flet në shkallën sipërore për të. Por kjo kishte ndodhur herët, tre vjet para se të ndryshohej sistemi politik në Shqipëri.

Pavarësisht të gjithave, unë kam pasur një vlerësim të veçantë për Profesorin dhe e kam respektuar. Ai ishte një klinicist shumë i vyer, kishte merita vetjake në zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri, kishte themeluar shërbimin e endokrinologjisë, të dietologjisë dhe atë të nefrologjisë; ishte një pedagog që përkrahu disa të rinj; ishte dhe njeri me kulturë të gjerë, si edhe na la trashëgim një libër të paçmuar për historinë e mjekësisë shqiptare, Njoftime historike për zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri, Tiranë, 1962, i cili vështirë se do të shkruhej më mirë nga dikush tjetër prej kolegëve të brezit të vet. Por, unë isha kundër qasjes së tij në trajtimin e pacientit.

Kur isha ministër Shëndetësie, i shkova bashkë me prof. Bajram Prezën në shtëpi, për ta uruar për 80-vjetorin e lindjes. Më pas, në fillim të gushtit të vitit 1989, para se të nisesha për pushime, më erdhi në zyrë, më tha se kishte probleme me prostatën dhe se kishte frikë të operohej këtu. Këtë e dija, se kisha një raport mjekësor për të. E pyeta se ku dëshironte të operohej dhe cilin urolog donte që ta shoqëronte. Donte të operohej në Vienë dhe shoqërues donte prof. Simon Çapelin.

“Do të bëhet ashtu siç dëshironi ju, profesor”, – i thashë, pa e zgjatur. Ai ngriti kokën që deri atëherë e mbante ulur duke mos më vështruar drejt, sytë i shkëlqyen. Ndoshta, nuk e kishte pritur që kërkesa e tij të plotësohej me aq lehtësi. Pas kësaj ai nisi të hapte një muhabet për Isufin dhe e filloi me fjalë jo të mira për të. Unë nuk desha ta dëgjoja për këtë. Për sa kohë ne kishim punuar bashkë, ata të dy kishin shkuar më mirë se me këdo tjetër. Për çfarë kishte ndodhur më pas, nuk kisha dëshirë ta dëgjoja, prandaj u ngrita. Ai mbeti pak si i hutuar, por u ngrit edhe ai. E përcolla deri në krye të shkallëve të Ministrisë. U përqafuam dhe nuk u pamë më, ndonëse do të rronte edhe tre vjet të tjerë. Unë atëherë nuk i dija të gjitha ato që do të mësoja vite pas vdekjes së tij.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura