Pse Vlahutin i kërkon qeverisë të bashkëpunojë me opozitën

Feb 8, 2018 | 10:46
SHPËRNDAJE

lavdrim-litaLAVDRIM LITA

Në frymë dhe në germë, strategjia e re e Komisionit Europian për zgjerimin me anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor dëshironte të jepte mesazhin që nuk duhet të krijohen pritshmëri për një anëtarësim të shpejtë në BE. Të gjithë njerëzit entuziastë në Tiranë, që prisnin një fjalë të mirë për çeljen e negociatave me BE në qershor, morën një kovë me ujë ftohtë. Strategjia e re e zgjerimit  të KE-së paraqet mundësinë që dy vende nga rajoni, Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë potencialisht të gatshëm për t’u bashkuar me BE në vitin 2025.

Gjithashtu, strategjia ofron mbështetje më të madhe për katër anëtarët e tjerë: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Znj.Mogherini, shefja e politikës së Jashtme të BE dhe Johanes Hahn, komisioner për Zgjerimin, vunë në dukje nevojën për kryerjen e detyrave të shtëpisë për Shqipërinë. BE kërkon më shumë rezultate në Reformën në Drejtësi (veting) dhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. BE këmbëngul te Reforma e sistemit të Drejtësisë dhe konsolidimit të sundimit të ligjit, sidomos me shembujt jo të mirë që po jep Polonia, Hungaria dhe Rumania në cenimin e pavarësisë të Gjyqësorit. Ndërkohë, një përthyerje tjetër u bë në Tiranë.

Ambasadorja e BE, znj. Vlahutin, në prezantimin e raportit, kërkoi për herë të parë pas shumë kohësh që, “qeveria t’i japë mundësi opozitës të angazhohet. Sa më shumë reforma të zbatoni, më shpejt arrini. Qeveri- opozitë, deri në pranverë, duhet të bëjnë punë me konstruktivitet.” E vërteta është se ka një shqetësim në rritje të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, Bruksel dhe Uashington, për pandjeshmërinë e maxhorancës qeverisëse ndaj kërkesave të opozitës, si në raport me luftimin e krimit të organizuar, mungesën e perspektivës ekonomike, ashtu edhe në ndikimin e parave të pista në zgjedhje.

Investimi i Kryeministrit Edi Rama për të izoluar opozitën në ndërkombëtarizimin e çështjeve të saj, sidomos në ndërhyrjen për të redaktuar raportimet që u dërgohen kancelarive ndërkombëtare nga Tirana – është bërë shqetësues për vetë Komisionin Europian dhe Departamentin e Shtetit. Në këtë kontekst, strategjia e re e BE-së dha një sinjal të rëndësishëm: qeveria “Rama” do të duhet të marrë me shumë seriozitet sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe ndërmarrjen e një sërë ndryshimesh të tjera demokratike.

Çdo qytetar i Bashkimit Europian do të pyeste veten nëse ka ndonjë dobi reale anëtarësimi i shpejtë i vendeve të ashtuquajtura kandidate për në BE. Pra, sa të dobishëm jemi ne, si rajon, për institucionet, tregun dhe shoqërinë që përbëjnë Bashkimin Europian? Është një pyetje që elita politike, akademike e mediatike e Tiranës nuk i ka kthyer asnjëherë një përgjigje serioze. Maksimumi që Tirana zyrtare ka “shitur” në kancelaritë e Europës dhe institucionet e BE-së, është toleranca fetare dhe ruajtja e stabilitetit në rajon.

Dobia reale e Shqipërisë si vlerë e shtuar për institucionet, tregun dhe shoqërinë e BEsë nuk është adresuar seriozisht nga vendimmarrësit institucionalë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile. Qasja shqiptaro centrike se “ne jemi europianë, por nuk na duan siç duan sllavët” nuk qëndron. Bashkimi Europian përballet me shumë probleme dhe nuk ka asnjë arsye madhore të shtojë problemet brenda saj duke bërë një vendim të paarsyeshëm për anëtarësimin para kohe të Shqipërisë. Së pari, Shqipëria duhet të bëhet e dobishme për veten e saj dhe së dyti të jetë e dobishme për Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura