Pse u nervozua Thaçi me Europën

Mar 13, 2020 | 9:17
SHPËRNDAJE

 

ALEKSANDËR BIBERAJ

Aleksander-Biberaj

Ishte surprizues, por, në fakt, aspak zhgënjyes qëndrimi nervoz i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, gjatë një takimi me një delegacion të CDU-së së Kancelares Angela Merkel. Në këtë takim, z. Thaçi gati sa nuk kërcënoi Gjermaninë dhe Europën me bojkot nëse nuk liberalizoheshin vizat. Natyrisht që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është tepër i vonuar, gjë për të cilën jo pak përgjegjësi ka edhe z. Thaci, si faktori kryesor politik i 20 viteve të fundit, në pozitat herë si Kryeministër, herë si President. Ky qëndrim i Z. Thaçi ndaj BE-së buron nga fakti se BE përshëndeti nismën e qeverisë “Kurti” për heqjen progresive të tarifës 100% shoqëruar edhe me hapa reciprokë që do të ndërmerren nga Serbia për të frenuar mosnjohjet e çnjohjet e Kosovës apo anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Ndërsa ftohja me Gjermaninë, me sa duket, lidhet me faktin se ishte Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, ajo që bëri të dështojë skenari antishqiptar i treshes Thaci-Vuçiç-Rama për ndarjen e Kosovës, nëpërmjet hipotezës së “shkëmbimit të territoreve” apo “ndryshimit të kufijve”. Dihet që këto hipoteza antishqiptare e kanë origjinën në doktrinat famëkeqe për krijimin e “Serbisë së Madhe” të Cubrilloviçëve dhe Qosiçëve, të cilat datojnë nga fundi i shekullit të 19-të. Në atë kohë u projektuan edhe hartat antishqiptare që mbajnë Thaçi dhe Vuçiçi nëpër duar dhe që ua grisi Kancelarja Merkel në Samitin e Berlinit vitin e kaluar, qëndrim të cilit iu bashkua edhe Presidenti Francez Makron. I ndodhur në këto kushte dhe i frustruar nga dështimi i planit për arsye të kundërshtimit të prerë europian, z. Thaçi u përpoq që të gjente rrugëdalje nëpërmjet lobingjeve antishqiptare, me karakter komercialo-politike në SHBA, të cilat kurrsesi nuk përfaqësojnë politikën zyrtare amerikane. Dihet që politika zyrtare e Presidentit Donald Trump dhe e lidershipit politik në SHBA ka qenë dhe mbetet mbështetja ndaj çdo marrëveshje, për të cilën palët bien dakord, duke hedhur poshtë çdo aludim apo inskenim për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh. Qëndrimet e politikës amerikane kanë qenë dhe mbeten të palëkundura dhe tepër konsekuente për mos ndryshim kufijsh, duke respektuar edhe rreth 115 njohje ndërkombëtare që i janë bërë shtetit të Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që njeh shtetin e Kosovës sipas tërësisë dhe integritetit territorial ekzistues, planin e Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës si dhe rezolutën “1244” të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për aq kohë sa John Bolton ishte Këshilltar për Sigurinë i Presidentit Donald Trump, z. Thaçi u fsheh pas tij, ndonëse z. Bolton asnjëherë nuk u shpreh për ndarjen e Kosovës. Dihet tashmë fundi i palavdishëm i John Bolton, pasi vetë Presidenti Donald Trump, kur e largoi atë nga detyra, u shpreh se “po të kisha dëgjuar këshillat e tij, SHBA do të ishte në Luftën e Gjashtë Botërore”. Edhe sot ka një konflikt të hapur ndërmjet Presidentit Trump dhe John Bolton, për arsye të tendencës së këtij të fundit për të botuar një libër që mund të jetë libër-akuzë, me të pavërteta kundër Presidentit Trump, libër që do të shkelte etikën zyrtare, por edhe ligjin, pasi mund të botonte informacione tepër konfidenciale, që klasifikohen si sekret shtetëror në SHBA dhe mund të deklasifikohen vetëm pas shumë vitesh ose dekadash. Tani, Presidenti i Kosovës po fshihet pas emrit të ambasadorit Grenell, ndërkohë që vetë z. Grenell është shprehur se SHBA nuk është për shkëmbim territoresh apo ndryshime kufijsh.

Sot e kësaj dite nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të lidershipit politik të SHBA-së dhe as të ndonjë zyrtari amerikan që shpreh apo mbron hipotezën e shkëmbimit të territoreve apo ndryshimit të kufijve. Natyrisht, nëse z. Thaçi do t’i shkonte z. Grenell me një marrëveshje të sponsorizuar nga Beogradi, të pamiratuar as nga Kuvendi i Kosovës, as nga Qeveria dhe as nga Populli i Kosovës, atëherë kjo do të ishte një situatë e paparashikuar dhe e jashtëzakonshme, e cila duhet parandaluar me çdo kusht, mjet dhe çmim, dhe ndaj së cilës duhet të reagojë çdo shqiptar kudo që është. Edhe në takimin e para disa ditëve me Presidentin Serb Vuçiç në SHBA, Presidenti i Kosovës nuk kishte mandat përfaqësimi, ndërkohë që po ashtu nuk kishte asnjë njoftim-informim, konsultim apo bashkërendim me Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, me Kryeministrin dhe grupin negociator, me partitë politike apo shoqërinë civile, me ishluftëtarët dhe veteranët e UÇK-së apo me median dhe më kryesorja as me popullin e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti deklaroi këtë javë në Parlament se “Hashim Thaçi e ka të gatshme marrëveshjen me Aleksandër Vuçiçin”?!

Si çdo shqiptar i kam kërkuar z. Hashim Thaçi si President i Kosovës, që të bëjë transparente dhe të na informojë për këtë marrëveshje. E njëjta kërkesë i është adresuar edhe z. Edi Rama, si Kryeministër i Shqipërisë. Fatkeqësisht, z. Hashim Thaçi, ndonëse është kreu i shtetit të Kosovës, po vepron prej më shumë se një viti në fshehtësi të plotë sikur të ishte duke shitur apo blerë te noteri tokat-trojet e veta, megjithëse edhe për ato besoj se duhej të konsultohej më parë me familjen dhe fisin e tij. Në të vërtetë, bëhet fjalë për Kosovën dhe territorin e saj të larë me gjakun e shqiptarëve ndër breza, bëhet fjalë për interesin kombëtar të rreth 10 milionë shqiptarëve të shpërndarë në të gjithë botën, për të cilët, përfshirë edhe çdonjërin prej nesh, Kosova, Shqipëria dhe çdo pëllëmbë toke shqiptare, është pronë e shenjtë dhe na përket të gjithëve. Presidenti i Kosovës është i pari politikan shqiptar që ka lancuar publikisht hipotezën e ndarjes së Kosovës, të kamufluar me të ashtuquajturën “korrigjim kufijsh” apo “shkëmbim territoresh”, dhe prej më shumë se një viti nuk ka reshtur së shërbyeri kësaj kauze antishqiptare me çdo mjet dhe mënyrë. Një vit më parë iu ngeci sharra në gozhdë pasi u bë barrierë e pakapërcyeshme ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa tani pengesë është Kryeministri aktual Albin Kurti. Besoj se për çdo shqiptar është më se e qartë se vendosja e tarifës ishte një mjet parandalues për të mbrojtur integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe ajo, ashtu siç është vënë, edhe mund të hiqet. Sot, në Kosovë, kemi dy shtete paralele, një të Hashim Thaçit, dhe atë që drejtohet nga Kuvendi, Qeveria dhe Kryeministri, të dalë nga vullneti popullor nëpërmjet zgjedhjeve të 6 nëntorit 2019. Është shumë i çuditshëm qëndrimi i PDK-së, partisë që doli nga UÇK, pasi askush nga kjo parti nuk e ka kundërshtuar publikisht një politikë të tillë të Presidentit, përfshirë edhe z. Kadri Veseli si kryetar i PDK-së, si ish-Kryeparlamentar dhe ish-kryetar i SHIKut për një kohë të gjatë. Ndërkohë që shteti paralel i Hashim Thaçit vazhdon të punojë nën rrogoz, duke minuar çdo ditë qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, mision në të cilin ndihmohet edhe nga “flirtimi” me z. Isa Mustafa dhe me disa deputetë të LDK-së, të cilët, siç thuhet në Kosovë, “janë nxënë në dëm”. Kambanat sot po bien për Kosovën, që duhet urgjentisht të çlirohet nga shteti paralel i Hashim Thaçit, i cili duke punuar natë e ditë në dëm të interesave kombëtare, përbën një rrezik kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura