Pse u dënua Sali Berisha

Apr 26, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

BISLIM AHMETAJ

BISLIM AHMETAJ

Sali Berisha njihet për stilin emocional në fjalimet e tij të çfarëdolloj qofshin ato. Ai shfaq (ka shfaqur) të njëjtin emocion si në inaugurimin e një rruge që të çon askund (P.sh. njëherë e një kohë i tha Sokol Olldashi: “Kot e bëjmë rrugën për në Progonat, atje s’na voton askush”.

Saliu iu përgjigj: “Po atje jetojnë njerëz, more Sokol, krejtësisht të ngjashëm dhe me halle të njëjta me ata që na votojnë në Shijak apo Kavajë”) dhe po të njëjtin emocion, po ai Sali Berishë, ka shfaqur edhe në inaugurimin e Rrugës së Kombit. Ai ndien dhe i shfaq emocionet, dhe tonin ekspresiv njëlloj si në një promovim libri mediokër të ndonjë shoku të tij, aq edhe në prezantimin e një shkrimtari apo filozofi modern, dhe askush s’dyshon që ai jo vetëm e ka lexuar, por edhe mund ta zhbirilojë në detaje njëlloj, si të parin, edhe të dytin.

Berisha ndan emocione të ngjashme me publikun, si në një inaugurim spitali, edhe në një përkujtimore të një ngjarjeje historike me rendësi kombëtare. Troç, Sali Berisha është njeri emocional, po aq sa edhe racional, tipar i karakterit të tij, dhuratë e Zotit. Këtë e dinë të gjitha “shqipet” në trojet amtare dhe jashtë saj. Këtë e dinë të gjithë të huajt lindorë, apo perëndimorë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm.

Ky është Sali Berisha, njeri emocional dhe racional. Për të mirën apo të keqen e tij. Për të mirën apo të keqen e forcës politike që përfaqëson, për të mirën apo të keqen e vendit të tij. Po çfarë tha Sali Berisha të enjten në Parlament, që u “dënua” me dhjetë ditë “burg” parlamentar nga ai “me nder” parlamenti (për cilësinë e të cilit është bashkëfajtor me atë që dha urdhër për “dënimin e tij”) në ndryshim me të enjten e parë, apo të enjten para saj, apo çdo të enjte qysh se ka hyrë në atë Parlament këtu e 25 vite më parë?

Po perifrazoj për të enjten e fundit “I bëj thirrje popullit të armatoset për t’u mbrojtur nga qeveria e saj”. Politikisht s’ka asnjë ndryshim, nga ato që Berisha ka artikuluar çdo të enjte në Parlament, apo çdo ditë në media “Qeveritë antipopullore rrëzohen vetëm me revolucion” dhe iu ka referuar presidentëve të Amerikës, apo individëve të famshëm që kanë bërë histori me thëniet dhe veprat e tyre.

Pse nuk e “dënuan” kur bëri thirrje për “revolucion”?! Pse nuk e “dënuan” për korrupsion gjatë qeverisjes tetëvjeçare? Por e “dënuan” vetëm pasi denoncoi dhe i detyroi të çonin në burg “shefin” e krimit, dirigjentin e “reformave” dhe “shtet-forcimit”, ortakun e oligarkisë financiare e kriminale, njeriun që i ka vu “shulin” biznesit, njerëzve të lirë, njëlloj si në kohën e ’97, kur bandat e partisë që udhëheq në pushtet sot Edi Rama dolën mbi ligjin, mbi rregullin, mbi etikën, mbi traditën dhe zhytën vendin në kaos.

Sali Berisha mund të ketë një mijë e një arsye për t’u përjashtuar nga Parlamenti. qoftë ky edhe parlament normal dhe jo “me nder parlament”. Dhe arsyeja e parë, sipas meje, do të ishte ajo që ai ka toleruar, inkurajuar dhe prodhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë një Parlament të tillë me rekorde kriminale të njohura tashmë botërisht dhe të pranuara me votë të brendshme parlamentare, (rekord “guinness” dekriminalizimi i vetvetes me votë-votim).

Arsyeja që përmenda më lart u shfaq “lakuriq” të enjten e “burgosjes” parlamentare të doktor Berishës, kundërshtarët politikë ia “ngrehën” trekëmbëshin, ndërsa “të vetët”, me rekorde morale të dyshimta, e futen kokën mes këmbëve dhe qeshën me gojë në grusht.

Për fund të këtij shkrimi-qëndrim dua të them që s’do kisha shkruar kurrë një shkrim për ta mbrojtur Sali Berishën, pasi jo vetëm që mendoj se ai s’ka nevojë për ndihmën apo mbrojtjen time, por edhe sepse s’kam arsye personale për t’i “dalë zot”, por me këtë qëndrim dua t’i dal për zot të drejtës dhe jo nënshtrimit, moralit dhe jo hipokrizisë, dinjitetit dhe jo përulësisë. Dua t’i dal përkrah qytetarit që nuk lëviz dot natën në zonat që kontrollohen nga kriminelët.

Dua t’i dal për zot sipërmarrjes së lirë dhe të ndershme, që nuk merr përsipër të angazhojë asnjë burim financiar në rritjen e biznesit të tij, sepse në kushtet e sotme i kërkohet të bëhet ortak me krimin dhe kriminelët, jo për fitim, por vetëm që të mbijetojë duke paguar rentën te krimi dhe oligarkët e krimit. U dal për zot atyre qindra-mijëra shqiptarëve që i ikën Atdheut si natës së varrit, sepse i ndjek shteti i tyre kumbarë me krimin e organizuar partner të qeveritarëve.

U dal për zot idealeve të atyre qindra e mijëra studentëve të dhjetorit ’90, që kishin projektuar një Shqipëri ndryshe, nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”. I dal për zot gjakut të Azem Hajdarit, që u vra vetëm se nuk iu nënshtrua bandave që kërkonin të sundonin shtetin, lirinë dhe demokracinë e qytetarëve të lirë, për të cilat ai kurrë s’u ndal së mbrojturi, deri sa e ndalën plumbat e bandave me mbështetje politike dhe qeveritare.

Për mua, Sali Berisha le të kalbet në burg, në qoftë se qeveritarët e sotshëm i vërtetojnë qoftë edhe një akuzë të vetme për korrupsion apo për dhunim të drejtash dhe lirish njerëzore përgjatë qeverisjeve të tij. Por ta dënosh me “burg” moral njeriun që çoi në burg “rektorin” e “lozhës” së krimit, është një krim që kërkon ndëshkim.

Këtë ndëshkim, në qoftë se nuk e jep opozita e sotshme, do ta japë opozita e nesërme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura