Pse shkollimi është çelësi i suksesit në biznes

Nov 17, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

PROF. AS. DR. ILJAS MEHMETI

PROF. AS. DR. ILJAS MEHMETI

J o vetëm ne si vend, por edhe Europa në mesin e viteve 2000-2010 e orientoi arsimin universitar të ndërtonte programe mësimore që t’i përgjigjeshin zhvillimit në shekullin XXI, në realitetin e globalizmit të tregut të lirë. Europianët gjithmonë kanë përmirësuar kurrikula. Ata kërkojnë përshtatje të tyre me zhvillimin ekonomik në tendencat e kohës

Krahas zhvillimit të shpejtë të ekonomisë, ka edhe ngjarje si kjo e Covid-19, ku për fat të keq po tronditen themelet e sistemit ekonomik global. Duhet parë se si do jenë reflektimet në ekonominë botërore, por një gjë është pothuaj e sigurt: se pas vitit 2019 ekonomitë nuk do zhvillohen njësoj në menaxhimin global dhe nacional, qoftë nga biznesi, por edhe nga qeverisjet qendrore e lokale në çdo vend.

SOT VUAJMË GABIMET E SË KALUARËS

Duhet të kemi kurajën që të vërtetat historike jo vetëm t’i themi, por të korrigjojmë me shpejtësi gabimet e bëra, të cilat kanë gjithmonë një tregues në kohë. Kur vendet e tjera filluan kapitalizmin, mandej revolucionin industrial, në korrelacion historik ata bënë reformimin e shkencës ekonomike, që t’i përgjigjeshin zhvillimit të forcave prodhuese, duke përsosur marrëdhëniet në prodhim. Ne si vend ishim nën sundimin otoman, mandej u instaluan me radhë mbretëria, socializmi me ekonominë e centralizuar, ku plani zëvendësoi tregun.

Vitet 1990 e gjetën vendin me një nivel ekonomik në standardin më të ulët në Europë, në një kohë që në vitet 1945-1990 u zhvilluan pothuaj tërë degët e industrisë dhe bujqësia arriti tregues sasiorë shumë të lartë. Fillimi i ekonomisë së tregut të lirë, pas 1991, solli falimentimin e pothuaj çdo force prodhuese dhe marrëdhënie të ngritura në këto vite. Faktorët e këtij shkatërrimi janë të shumtë, por themelorja është konceptimi i zhvillimit të tyre jashtë ligjeve të ekonomisë së tregut, jashtë konkurrencës, jashtë rregullave të ekonomisë botërore. Plani zëvendësoi tregun dhe pasojat u shoqëruan edhe në kulturën e shkollimit dhe kurrilulave, ku treguesit ekonomikë ishin nën diktatin e politikës. Këto janë të njohura, por duhen përsëritur, pasi edhe në vitin 2020 ishin me përjashtime minore. Kjo, sepse standardet e konsumit të popullsisë janë ende më të ulëtat në Europë.

Të zbatojmë shkencën ekonomike, ndryshe gjërat nuk shkojnë mirë!

Globalizimi dhe liria e biznesit në ekonominë e tregut, sidomos pas vitit 2008, kërkon që shkenca ekonomike dhe mësimdhënia të korrelohet në modelime të biznesit me kulturë, që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, përfshi Inteligjencën Artificiale si nivel i lartë i menaxhimit. Përvoja e Izraelit, Finlandës, Suedisë, vende të vogla që arritën zhvillim me cilësi mësimdhënieje dhe progres menaxherial, duke i gërshetuar me sfidat kulturore.

Korrelacion kohë-cilësi në modelimin e biznesit, zbatimi i novacioneve që mundëson globalizimi dhe tregu i lirë, sigurojnë veç të tjerash nivel të lartë të ardhurash edhe për gjeneratat e reja të popullsisë, të cilat kërkohet të jetë me kualifikim të thelluar dhe njëkohësisht cilësor.

Zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e njerëzve vendi ynë e ka të lidhur më integrimin në Komunitetin Europian. Ndaj, implementimi dhe vazhdimi i realizimit të sistemit arsimor të Bolonjës është rruga e vetme e shkollës universitare, e cila me misionin e saj shkencor dhe metodik armatos brezat me kulturën e të bërit biznes. Kjo, në mënyrë që prosperiteti i vendit të zgjidhë njëherazi rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë, si një mënyrë për të ulur emigrimin masiv, sidomos të të rinjve.

Shqipëria del në progres vetëm me një brez të rinjsh të mirarsimuar. Shoqëria duhet të kuptojë që për të kapërcyer këtë realitet dhe për t’u kthyer në progres e prosperitet në një kohë të shkurtër e afatmesëm, ka vetëm dhe vetëm një rrugë: mirarsimimin e brezit të ri.

Përvoja e 30 viteve demokraci flet vetë. Sa e sa gabime janë bërë duke mos u zbatuar ligjet e hekurta të ekonomisë, të cilat reflektohen dukshëm në dy tregues:

Së pari: Largimi i 40-45 % e popullsisë nga vendi, kryesisht të rinj. Së dyti: Niveli i konsumit të popullit tonë është disa herë më i ulët se i atyre europianë. Kjo situatë e agravuar ka shumë paqartësi, nuk është e viteve të fundit, por rëndësi ka e ardhmja, që të dy treguesit e mësipërm jo vetëm të frenohen, por edhe të prosperojë mirënia në popullin shqiptar. Shqipëria nuk mundet të prosperojë vetëm me importe!

Ne nuk mund të vazhdojmë si vend që çdo gjë ta sigurojmë nga importi. Ky realitet do jetë edhe më i ndjeshëm, me tendencën e uljes së të ardhurave që sjellin emigrantët, pasi importet blihen me valutë. Ndërkohë që pagesat brenda vendit kryesisht janë në lekë. Nëse nuk veprohet shpejt, situata mund të ndryshojë për keq. Rritja e emigrimit do të ulë konsumin dhe ndoshta vlera e lekut do tronditet, duke përkeqësuar situatën.

Analiza korrelative e treguesve, sipas shkencës ekonomike, evidenton që duhet ecur në unison me qeverisjen si pjesa tjetër e botës, duke i dhënë përparësi shkollës së Fridmanit e duke i kushtuar kujdes:

Së pari: Shteti të ndërhyjë sa më pak në lirinë e tregut dhe konkurrencën.

Së dyti: Programet zhvilluese të vendit të bëhen nga institucionet arsimore dhe shkencore.

Së treti: Të mbështesë cilësisht arsimin në çdo nivel, veçanërisht ai universitar, si në publik edhe në privat.

Së katërti: Shteti e shoqëria të mos lejojnë më që asnjë lek investim i çdo niveli të bëhet pa studime të plota, duke iu përgjigjur në  kohë reale niveleve teknologjike dhe menaxheriale, për të shkurtuar kohën e kthimit të kapitalit, si burim i riinvestimeve që mbulon zënien me punë të brezit të ri.

Vitet 1990 e gjetën vendin pa kulturën e kapitalizmit, për rrjedhojë edhe tërë përgatitjet e studentëve, sidomos në fushën e ekonomisë, por as shkenca të tjera ekzakte e shoqërore, nuk kishin ndikim në mënyrën e zhvillimit të teorive ose kurrikulave për brezat e kohës.

Brezat pas viteve 1950 kanë punuar, ndërtuar vepra industriale, bujqësore etj., të cilat sot, pas 70 vitesh, pothuaj nuk ekzistojnë më ose janë braktisur. Si rrjedhojëm, pati papunësi dhe largim masiv të njerëzve në emigracion, që vlerësohet rreth 42 % e popullsisë. Ata u larguan jo vetëm fizikisht, por edhe me kualifikimin tërësor dhe përvojën e punës. Miliarda dollarë vlerësohet kjo humbje për ekonominë e vendit.

Nuk mjafton pasoja nga e kaluara, por edhe pas viteve 1990 zhvillimi i vendit më shumë është realizuar në rrugë kaotike, duke e lënë të plotë lirinë ekonomisë në iniciativën individuale në kërkesat e mbijetesës së njerëzve. Pas vitit 2013 janë bërë përpjekje, por gabimet dhe gjërat tashmë kishin marrë rrugë, disa mirë dhe shumica keq. Kjo duket në pamje të parë si liri e mirë dhe demokratike, por solli nivelin ekonomik pa rritje mirëqenieje. Zhvillimi nuk u bë me kulturën e të bërit biznes, me të rejat e shkencës globale që garantojnë cilësi, kosto dhe fitim njëherazi.

EKONOMIA ËSHTË SHKENCË E NJËJTË NË TËRË BOTËN.

Vendi ka nevojë për dije të qëndrueshme që e armatosin me kulturë biznesin e ri të studentëve, duke bërë edhe ata punën e tyre me të njëjtat rregulla e ligje siç i bëjnë shokët e tyre në Europë, SHBA, Japoni e kudo në demokracitë funksionale. Ekonomia është shkencë, por në realitetin jetësor, subjekti pronar, punëtor dhe qeverisës shtetëror kanë këndvështrime të ndryshme interesash.

Studentët duhet të zbatojnë njohuritë e shkollës në punën e tyre. Edhe pse marrin njohuri në universitete pothuaj të barabarta me studentët e shkollave më të mira të botës, ende menaxherët dhe financierët nuk po zbatojnë ato që kanë mësuar. Ky është handikap i madh.

Në realitet, mangësitë ligjore dhe interesi i pronarëve bëjnë që teoritë dhe leksionet që ata kanë studiuar t’i shkelin në shumicën e rasteve për të mbajtur vendin e punës. S’ka si shpjegohet që në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Ballsh pronari i fundit ka bërë shitje që kalojnë disa qindra milionë euro dhe ka lënë gati për gati 2 vjet punëtorët pa paga e pa sigurime shoqërore. Në asnjë vend të Europës nuk ndodh kjo. Ka radhë pagesash që mësohen në universitet në lëndët e Menaxhimit, të Financës etj. Ky shtrembërim krijon probleme sociale, veç të tjerash. Investitori jo vetëm që përfiton pa të drejtë, por krijon edhe imazhin sikur shqiptarët janë popull që nuk punojnë ose nuk dinë të punojnë, për të mbuluar vjedhjet e tyre.

Biznesi, kur rritet në aktivitet, ka kërkesa më të mëdha për kulturë të të bërit biznes. Shumica e biznesmenëve shqiptare vazhdojnë t’i besojnë kulturës së tyre, duke mos iu afruar kulturës qeverisëse bashkëkohore të biznesit. Kështu, ata gabojnë në rrugët e rritjes së aktivitetit se ende ecin në investimet shtesë pa plane të plota biznesi, ose i bëjnë ato pa përgjegjësi, duke u besuar kredituesve, shitësve të teknologjive ose mbulojnë burimet e financimit. Janë më dhjetëra biznese me kapital disa dhjetëra milionë euro, pa i analizuar si janë bërë, që në zgjerimet e aktivitetit të tyre të kenë humbur kapitalin investues, ndërkohë që fitim nuk kanë arritur të marrin. Kjo është fatale për pronarin dhe vendin.

Ka projekte që implementohen me lloj-lloj emërtimesh, dhe kur vjen koha të kthejnë vlerën për të mbuluar kredinë, nuk arrijnë të vihen në punë. I tillë është TEC-i i ndërtuar në Vlorë, më vlerë 220 milionë dollarë, i cili ka gati 12 vjet që shoqërisë nuk i ka sjellë asnjë lek fitim, por i ka marrë edhe disa dhjetëra milionë dollarë të kredisë. Justifikimi është rritja e çmimit të karburantit, solarit si lëndë djegëse. Pyetja është: Plani i Biznesit a ndërtohet me tërë variantet optimiste dhe pesimiste?. Në këtë vepër, kush ka gabuar qoftë në studim dhe në vendimmarrje për të kryer investimin, nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Kjo është fatale për shoqërinë.

Shembuj ka me dhjetëra. Investimet pa plane biznesi humbin kapitalet, rritin borxhet, nuk hapin fronte të punës. Dhe pasojat janë të dukshme, largim i njerëzve nga vendi, në mungesë të punës dhe pagës dinjitoze.

Në shkollat universitare, jo vetëm implementohet literatura, siç e ka bota aktualisht, por edhe ndërthuret me veçoritë që ka vendi ynë i vogël që kurrikulat t’u hapin horizontin studentëve. Sipas “Bolonjës” kurrikulat ndërtohen me kulturën që çdo studim ekonomik të ketë një ndarje: 15% Psikologjia, Sociologjia dhe Ligjshmëria; 35 % përzgjedhja teknologjike dhe 40 % të jenë trajtimi menaxherial dhe i varianteve ekonomike. Njësoj si studimi i një godinë 30-katëshe, e cila jo vetëm duhet të mos rrëzohet, por duhet të përballojë tërmetin 10 e më shumë ballë. Kompanitë e fuqishme planet e biznesit kështu i pranojnë, ndaj sot ato kanë sukses. Sot, studim-projektimi ka arritur rreth 38-40 % e vlerës së investimit.

Kultura e të mësuarit në biznes kërkon të rriten njohuritë çdo ditë, pasi teknologjitë jo vetëm zhvillohen, por informacioni në kohë reale, në çdo cep të botës, lejon që tregu i lirë të shkatërrojë nëse gjërat nuk bëhen si duhet. Ndaj kërkohet saktësi me probabilitete afër njëshit për çdo plan biznesi, të madh ose të vogël. Lidhja korrelative e modeleve të bërit biznes, gërshetuar me sfidat kulturore dhe kushteve të vendit çojnë në zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm, konkurrent dhe frenojnë largimin e njerëzve, sidomos të të rinjve nga vendi. Tregun kurrkush nuk e lëshon dhe nuk e jep, ai arrihet të merret vetëm nga njerëz të mirarsimuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura